Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 60

Abigaila dhe Davidi

Abigaila dhe Davidi

A E NJEH këtë grua të bukur që po vjen të takojë Davidin? E quajnë Abigaila. Ajo është shumë e zgjuar dhe e ndalon Davidin të bëjë një veprim të keq. Po përpara se të mësojmë për këtë, le të shohim çfarë ka ndodhur me Davidin.

Pasi arratiset nga Sauli, Davidi fshihet në një shpellë. Vëllezërit e tij dhe pjesa tjetër e familjes bashkohen me të. Gjithsej janë 400 burra që vijnë tek ai dhe Davidi bëhet udhëheqësi i tyre. Pastaj Davidi shkon te mbreti i Moabit dhe i thotë: ‘Të lutem, lejo që nëna dhe babai im të qëndrojnë me ty, derisa të shoh se çfarë do të ndodhë me mua.’ Më vonë, Davidi dhe njerëzit e tij fshihen nëpër kodra.

Pas këtyre ngjarjeve, Davidi takon Abigailën. Burri i saj, Nabali, është një pronar i pasur. Ai ka 3.000 dele dhe 1.000 dhi. Nabali është njeri i keq. Kurse gruaja e tij, Abigaila, është shumë e bukur dhe di të veprojë në mënyrë të drejtë. Madje, një herë, ajo shpëton edhe familjen e saj. Le të shohim se si.

Davidi dhe njerëzit e tij kanë qenë të sjellshëm me Nabalin. Ata e kanë ndihmuar, duke i mbrojtur delet. Kështu, një ditë, Davidi dërgon disa nga njerëzit e tij për t’i kërkuar një favor Nabalit. Njerëzit e Davidit shkojnë te Nabali, kur ky dhe ndihmësit e tij po qethin delet. Është ditë feste dhe Nabali ka shumë gjëra të mira për të ngrënë. Prandaj, njerëzit e Davidit i thonë: ‘Ne kemi qenë të mirë me ty. Nuk të kemi vjedhur kurrë asnjë dele, por të kemi ndihmuar duke u kujdesur për to. Tani të lutemi, na jep pak ushqim.’

‘Unë nuk do të jap ushqim për njerëz si ju’,—thotë Nabali. Ai flet shumë keq dhe thotë gjëra të këqija për Davidin. Kur burrat kthehen dhe i tregojnë Davidit për këtë, Davidi zemërohet shumë. ‘Merrni shpatat!’—u thotë ai burrave. Dhe nisen për të vrarë Nabalin dhe njerëzit e tij.

Një nga njerëzit e Nabalit, i cili ka dëgjuar fjalët e këqija që tha ai, i tregon Abigailës se ç’ndodhi. Menjëherë, Abigaila bën gati disa ushqime. Ajo i ngarkon ushqimet në disa gomarë dhe niset. Kur takon Davidin, zbret nga gomari, përkulet në shenjë nderimi dhe i thotë: ‘Të lutem, zotëri, mos ia vër re burrit tim, Nabalit. Ai është budalla dhe bën gjëra të pamenda. Ja një dhuratë për ju. Të lutem, merre dhe na fal për atë që ndodhi.’

‘Ti je një grua e mençur,—përgjigjet Davidi.—Më ndalove që të vritja Nabalin për t’i shpaguar ligësitë e tij. Shko në shtëpi e qetë tani.’ Më vonë, kur vdes Nabali, Abigaila bëhet një nga gratë e Davidit.