Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 57

Perëndia zgjedh Davidin

Perëndia zgjedh Davidin

A E KUPTON nga figura çfarë ka ndodhur? Ky djalë e shpëtoi qengjin e vogël nga ariu. Ariu erdhi, e mori qengjin dhe ishte gati ta hante. Por djali vrapoi pas tyre dhe e shpëtoi qengjin nga goja e ariut. Kur ariu u ngrit, djali e mbërtheu atë dhe e la të ngordhur! Një herë tjetër, ai shpëtoi një dele nga luani. Djalë trim, apo jo? A e di se kush është?

Ky është një i ri me emrin David. Ai jeton në qytetin e Betlehemit. Gjyshi i tij ishte Obedi, djali i Ruthës dhe i Boazit. A i mban mend? Babai i Davidit është Jeseu. Davidi kujdeset për delet e babait. Davidi lindi 10 vjet pasi Jehovai zgjodhi Saulin si mbret.

Vjen koha kur Jehovai i thotë Samuelit: ‘Merr vajin e veçantë dhe shko në shtëpinë e Jeseut, në Betlehem. Unë kam zgjedhur një nga djemtë e tij që të jetë mbret.’ Kur Samueli shikon Eliabin, djalin e madh të Jeseut, thotë me vete: ‘Me siguri, ky është ai që ka zgjedhur Jehovai.’ Por Jehovai i thotë: ‘Mos shiko se sa i gjatë dhe i bukur është. Unë nuk e kam zgjedhur që të jetë mbret.’

Atëherë, Jeseu thërret djalin tjetër, Abinadabin, dhe e çon te Samueli. Por Samueli thotë: ‘Jo, Jehovai nuk ka zgjedhur as atë!’ Pastaj Jeseu çon djalin tjetër, Shamahun. ‘Jo, Jehovai nuk ka zgjedhur as këtë’,—thotë Samueli. Jeseu çon shtatë djemtë e tij te Samueli, por Jehovai nuk zgjedh asnjërin prej tyre. ‘Këta janë të gjithë djemtë e tu?’—pyet Samueli.

‘Është edhe më i vogli,—thotë Jeseu.—Ai është jashtë, duke u kujdesur për delet.’ Kur e sjellin Davidin, Samueli sheh se ai është djalë i bukur. ‘Ky është,—thotë Jehovai.—Mbi të derdhe vajin.’ Dhe Samueli kështu bën. Do të vijë koha kur Davidi do të bëhet mbret i Izraelit.