Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 66

Jezebela, një mbretëreshë e ligë

Jezebela, një mbretëreshë e ligë

PASI vdes mbreti Jeroboam, çdo mbret në mbretërinë veriore me 10 fise të Izraelit është i keq. Më i keqi nga të gjithë është mbreti Akab. A e di pse? Një nga arsyet kryesore është gruaja e tij, mbretëresha e ligë Jezebelë.

Jezebela nuk është izraelite. Ajo është e bija e mbretit të Sidonit. Ajo adhuron perëndinë e rremë Baal dhe nxit Akabin e shumë izraelitë të tjerë që të adhurojnë Baalin. Jezebela e urren Jehovain dhe vret shumë profetë të tij. Të tjerëve u duhet të fshihen nëpër shpella, që të mos vriten. Në qoftë se dëshiron diçka, Jezebela është gati edhe të vrasë një njeri për ta marrë atë gjë.

Një ditë mbreti Akab është shumë i trishtuar. Prandaj Jezebela e pyet: ‘Pse je i trishtuar sot?’

‘Nga ajo që më tha Naboti,—i përgjigjet Akabi.—Unë doja të blija vreshtin e tij, por ai më tha se s’mund të ma jepte.’

‘Mos u mërzit,—i thotë Jezebela.—Do ta marr unë për ty.’

Kështu, Jezebela u shkruan letra disa burrave të rëndësishëm të qytetit ku banon Naboti. ‘Gjeni disa njerëz të pavlerë, që të thonë se Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin,—thotë ajo.—Pastaj, nxirreni Nabotin jashtë qytetit dhe qëllojeni me gurë që të vdesë.’

Sapo merr vesh se Naboti ka vdekur, Jezebela i thotë Akabit: ‘Tani, shko merre vreshtin e tij.’ A nuk mendon se Jezebela duhet të ndëshkohet për këtë gjë kaq të tmerrshme që bëri?

Prandaj, pas njëfarë kohe, Jehovai dërgon një burrë që quhet Jehu për ta ndëshkuar. Kur Jezebela dëgjon që po vjen Jehu, lyen sytë dhe rregullohet, që të duket e bukur. Por kur vjen Jehu dhe e shikon Jezebelën në dritare, u thërret njerëzve që janë në pallat: ‘Hidheni poshtë!’ Siç e shikon edhe në figurë, njerëzit binden. E hedhin poshtë dhe ajo vdes. Ky është fundi i mbretëreshës së ligë Jezebelë.