TREGIMI 65
Mbretëria ndahet
A E DI pse po e gris rrobën e tij ky burrë? Jehovai i tha që ta bëjë këtë. Ky burrë është profet i Perëndisë, Akijahu. A e di çfarë është një profet? Është një njeri, të cilit Perëndia i thotë që më përpara atë që do të ndodhë.
Këtu Akijahu po flet me Jeroboamin. Jeroboami është një burrë, të cilin Solomoni e kishte vënë të drejtonte disa punë ndërtimi. Kur e takon Jeroboamin në rrugë, Akijahu bën një gjë të çuditshme. Heq rrobën e tij të re dhe e gris në 12 copë. I thotë Jeroboamit: ‘Merr 10 copë për vete.’ A e di pse Akijahu i jep Jeroboamit 10 copë?
Akijahu i shpjegon se Jehovai do t’ia heqë mbretërinë Solomonit. Ai i thotë se Jehovai do t’i japë 10 fise Jeroboamit. Kjo do të thotë se djalit të Solomonit, Rehoboamit, do t’i mbeten vetëm dy fise për të mbretëruar.
Kur Solomoni merr vesh çfarë i tha Akijahu Jeroboamit, zemërohet shumë. Ai përpiqet ta vrasë Jeroboamin. Por Jeroboami arratiset në Egjipt. Pas një farë kohe, Solomoni vdes. Ai ishte mbret për 40 vjet, por tani bëhet mbret djali i tij, Rehoboami. Sapo mëson se Solomoni ka vdekur, Jeroboami, që është në Egjipt, kthehet në Izrael.
Rehoboami nuk është mbret i mirë. Ai është edhe më i egër me popullin se babai i vet, Solomoni. Jeroboami dhe disa njerëz të tjerë të rëndësishëm shkojnë te mbreti Rehoboam dhe i kërkojnë që të jetë më i butë me popullin. Por Rehoboami nuk dëgjon. Madje bëhet edhe më i egër se më parë. Atëherë, populli e bën Jeroboamin mbret të 10 fiseve, ndërsa dy fise, Beniamini dhe Juda, mbajnë Rehoboamin si mbret.
Jeroboami nuk do që populli i tij të shkojë në Jerusalem për të adhuruar në tempullin e Jehovait. Prandaj, bën dy viça të artë dhe u mbush mendjen njerëzve të mbretërisë së tij me 10 fise, për t’i adhuruar viçat. Shpejt, vendi mbushet me krime e dhunë.
Edhe në mbretërinë me dy fise ka probleme. Më pak se pesë vjet pasi Rehoboami bëhet mbret, mbreti i Egjiptit vjen për të luftuar kundër Jerusalemit. Ai merr shumë thesare nga tempulli i Jehovait. Pra, tempulli i Jehovait mbetet vetëm për një kohë të shkurtër ashtu siç ishte ndërtuar në fillim.