Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 63

Mbreti i mençur Solomon

Mbreti i mençur Solomon

KUR bëhet mbret, Solomoni është adoleshent. Ai e do Jehovain dhe ndjek këshillat e mira që i dha babai i tij, Davidi. Jehovai është i kënaqur me Solomonin, prandaj një natë i thotë në ëndërr: ‘Solomon, çfarë dëshiron të të jap?’

Solomoni përgjigjet: ‘Jehova, Perëndia im, jam shumë i ri dhe nuk di të qeveris. Prandaj më jep mençuri, që ta qeveris popullin tënd në mënyrë të drejtë.’

Jehovait i pëlqen ajo që i kërkon Solomoni. Prandaj i thotë: ‘Meqë ke kërkuar mençuri dhe jo jetë të gjatë apo pasuri, unë do të të jap më shumë mençuri se çdo njeri tjetër që ka jetuar ndonjëherë. Por do të të jap edhe ato që nuk m’i ke kërkuar, pra pasuri dhe lavdi.’

Pak kohë më vonë, dy gra vijnë te Solomoni me një problem të vështirë. ‘Kjo grua dhe unë jetojmë në të njëjtën shtëpi,—shpjegon njëra prej tyre.—Unë linda një djalë dhe pas dy ditësh edhe ajo lindi djalë. Një natë, foshnja e saj vdiq. Por, ndërsa unë flija, ajo e vuri foshnjën e saj të vdekur pranë meje dhe mori foshnjën time. Kur u zgjova dhe pashë fëmijën e vdekur, vura re se ai nuk ishte imi.’

Menjëherë gruaja tjetër thotë: ‘Jo! Fëmija i gjallë është imi dhe ai që ka vdekur është i saj!’ Gruaja e parë përgjigjet: ‘Jo! Fëmija i vdekur është i yti, kurse i gjalli është imi!’ Kështu diskutonin të dy gratë. Çfarë do të bëjë Solomoni?

Ai dërgon që të marrin një shpatë dhe, kur ia sjellin, thotë: ‘Ndajeni më dysh fëmijën e gjallë dhe jepini secilës grua nga një gjysmë.’

‘Jo,—ulërin mamaja e vërtetë.—Të lutem, mos e vrit fëmijën. Jepja asaj!’ Por gruaja tjetër thotë: ‘Mos ia jep asnjërës nga ne; ndaje më dysh.’

Më në fund Solomoni thotë: ‘Mos e vritni fëmijën! Jepjani gruas së parë. Ajo është mamaja e vërtetë.’ Solomoni e kupton këtë, sepse mamaja e vërtetë e do kaq shumë fëmijën, sa është gati t’ia japë gruas tjetër vetëm që të mos vritet. Kur njerëzit dëgjojnë si e zgjidh problemin Solomoni, janë shumë të gëzuar që kanë një mbret kaq të mençur.

Gjatë mbretërimit të Solomonit, Perëndia i bekon njerëzit duke bërë që toka të prodhojë me bollëk grurë dhe elb, rrush, fiq dhe ushqime të tjera. Njerëzit vishen me rroba të mira dhe jetojnë në shtëpi të bukura. Ka gjëra të mira për të gjithë dhe me bollëk.