TREGIMI 74
Një burrë që s’ka frikë
SHIKO njerëzit që po tallen me këtë burrë. A e di kush është ai? Është Jeremia, një profet shumë i rëndësishëm i Perëndisë.
Jo shumë kohë pasi mbreti Josia fillon shkatërrimin e idhujve nga vendi, Jehovai i thotë Jeremisë se do të jetë profeti i Tij. Megjithatë, Jeremia mendon se është tepër i ri për të qenë profet. Por Jehovai i thotë se do ta ndihmojë.
Jeremia u thotë izraelitëve që të mos bëjnë më gjëra të këqija. ‘Ato perëndi që adhurojnë njerëzit e kombeve janë të rreme’,—thotë ai. Por shumë izraelitë duan të adhurojnë idhujt, jo Perëndinë e vërtetë Jehova. Kur Jeremia u thotë njerëzve se Perëndia do t’i ndëshkojë për ligësinë e tyre, ata tallen me të.
Vitet kalojnë. Josia vdes dhe, tre muaj më vonë, bëhet mbret djali i tij, Jehojakimi. Jeremia vazhdon t’u thotë njerëzve: ‘Në qoftë se nuk ndryshoni sjelljen tuaj të keqe, Jerusalemi do të shkatërrohet.’ Priftërinjtë e kapin Jereminë dhe bërtasin: ‘Ti duhesh vrarë për këtë gjëra që thua.’ Pastaj u thonë princave të Izraelit: ‘Jeremia duhet të vritet, sepse ka folur kundër qytetit tonë.’
Çfarë do të bëjë Jeremia tani? Ai nuk ka frikë! U thotë atyre: ‘Jehovai më dërgoi t’ju them këto gjëra. Nëse nuk ndryshoni sjelljen tuaj të keqe, Jehovai do ta shkatërrojë Jerusalemin. Por të jeni të sigurt për këtë: nëse do të më vritni mua, do të vritni një njeri që s’ka bërë keq.’
Princat e lënë Jereminë të jetojë, por izraelitët nuk e ndryshojnë sjelljen e tyre të keqe. Më vonë, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, vjen dhe lufton kundër Jerusalemit. Në fund, Nabukodonosori i bën izraelitët shërbëtorë të tij. Mijëra prej tyre i çon në Babiloni. Mendo pak si do të ndiheshe, në qoftë se disa të huaj do të të çonin larg, në një vend të panjohur!