TREGIMI 64
Solomoni ndërton tempullin
PARA se të vdiste, Davidi i dha Solomonit planin që kishte bërë Perëndia Jehova për ndërtimin e tempullit të Tij. Në vitin e katërt të mbretërimit të tij, Solomoni fillon të ndërtojë tempullin. I duhen shtatë vjet e gjysmë për ta mbaruar. Për ndërtimin e tempullit punojnë dhjetëra mijë njerëz dhe ndërtesa kushton shumë para, sepse në të përdoret shumë ar dhe argjend.
Tempulli ka dy dhoma kryesore, siç kishte edhe tabernakulli. Por këto dhoma janë dy herë më të mëdha se ato të tabernakullit. Solomoni e vendos arkën e besëlidhjes në dhomën e brendshme të tempullit, kurse gjërat e tjera që ishin në tabernakull vihen në dhomën tjetër.
Kur mbaron ndërtimi i tempullit, bëhet një festë e madhe. Solomoni ulet në gjunjë përpara tempullit dhe lutet, siç mund të shohësh në figurë. ‘As i gjithë qielli nuk është aq i madh sa të të mbajë ty,
Sapo Solomoni mbaron lutjen, nga qielli zbret një zjarr dhe i përpin kafshët që janë dhënë si flijim. Pastaj një dritë e shndritshme, që vjen nga Jehovai, mbush tempullin. Kjo tregon se Jehovai po dëgjon dhe është i kënaqur me tempullin dhe me lutjen e Solomonit. Në vend të tabernakullit, tempulli bëhet tani vendi ku populli vjen për të adhuruar.
Për një kohë të gjatë, Solomoni mbretëron me mençuri dhe populli është i lumtur. Por, Solomoni martohet me shumë gra nga vende të tjera që nuk e adhurojnë Jehovain. E shikon njërën prej tyre që po i bën adhurim atij idhullit? Së fundi gratë e nxitin edhe Solomonin që të adhurojë perëndi të tjera. A e di se çfarë ndodh kur Solomoni vepron kështu? Ai nuk i trajton më me butësi njerëzit. Bëhet i ashpër dhe njerëzit nuk janë më të lumtur.
Për këtë, Jehovai zemërohet me Solomonin dhe i thotë: ‘Unë do të ta heq mbretërinë dhe do t’ia jap një tjetri. Nuk do ta bëj këtë kur je gjallë, por gjatë kohës kur do të mbretërojë djali yt. Por nuk do t’ia marr të gjithë mbretërinë djalit tënd.’ Le të shohim si ndodh kjo.