TREGIMI 80
Populli i Perëndisë largohet nga Babilonia
KANË kaluar pothuajse dy vjet që kur Babilonia u pushtua nga medët dhe persët. Shiko çfarë po ndodh tani! Izraelitët po largohen nga Babilonia. Si u çliruan ata? Kush i lejoi të ikin?
I lejoi Kiri, mbreti i Persisë. Shumë kohë para se të lindte Kiri, Jehovai i tha profetit të tij, Isaisë, të shkruante për të: ‘Ti do të bësh ashtu si dua unë. Portat do të lihen hapur që ti të pushtosh qytetin.’ Dhe ishte vërtet Kiri që udhëhoqi ushtritë që pushtuan Babiloninë. Medët dhe persët hynë në qytet natën, përmes portave që ishin lënë hapur.
Por profeti i Jehovait, Isaia, tha edhe se Kiri do të jepte urdhër që Jerusalemi dhe tempulli i tij të ndërtoheshin përsëri. A e dha Kiri këtë urdhër? Po. Ja çfarë u thotë Kiri izraelitëve: ‘Shkoni tani në Jerusalem dhe ndërtoni tempullin e Jehovait, Perëndisë tuaj.’ Këta izraelitë janë nisur të bëjnë pikërisht këtë gjë.
Por jo të gjithë izraelitët që janë në Babiloni mund të bëjnë këtë udhëtim të gjatë për t’u kthyer në Jerusalem. Është një udhëtim shumë i gjatë, rreth 800 kilometra, dhe shumë izraelitë janë tepër të moshuar ose të sëmurë e nuk udhëtojnë dot kaq larg. Ka edhe arsye të tjera pse disa njerëz nuk shkojnë. Por Kiri u thotë atyre që nuk shkojnë: ‘Jepuni argjend dhe ar, si edhe dhurata të tjera njerëzve që do të kthehen për të ndërtuar Jerusalemin dhe tempullin e tij.’
Prandaj, këtyre izraelitëve që shkojnë në Jerusalem u japin shumë dhurata. Gjithashtu, Kiri u jep atyre vazot dhe kupat që mbreti Nabukodonosor i kishte marrë nga tempulli i Jehovait kur shkatërroi Jerusalemin. Njerëzit kanë shumë gjëra për të marrë me vete.
Pasi udhëtuan katër muaj, izraelitët mbërritën në Jerusalem, tamam në kohë. Kanë kaluar pikërisht 70 vjet që kur u shkatërrua qyteti dhe toka u la e shkretë, pa njerëz. Por, megjithëse tani janë kthyer në vendin e tyre, izraelitët do të kenë disa vështirësi, siç do të mësojmë më tej.