Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 77

Ata nuk u përkulën

Ata nuk u përkulën

A E MBAN mend që kemi folur për këta tre të rinj? Po, janë shokët e Danielit që nuk donin të hanin ushqime që s’ishin të mira për ta. Babilonasit ua vunë emrin Shadrak, Meshak dhe Abednego. Por shikoji tani. Përse nuk po përkulen para kësaj shëmbëlltyre gjigante, si gjithë të tjerët? Le të shohim.

A i mban mend ligjet që shkroi vetë Jehovai, të quajtura Dhjetë Urdhërimet? I pari urdhërim ishte: ‘Nuk duhet të adhuroni asnjë perëndi tjetër përveç meje.’ Të rinjtë këtu po i binden këtij ligji, megjithëse kjo nuk është e lehtë.

Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, ka thirrur shumë njerëz të rëndësishëm për të nderuar këtë shëmbëlltyrë që ka ngritur. Ai sapo u ka thënë njerëzve: ‘Kur të dëgjoni tingullin e bririt, të harpës dhe të veglave të tjera muzikore, do të përkuleni dhe do të adhuroni këtë shëmbëlltyrë prej ari. Kushdo që nuk do të përkulet për ta adhuruar, do të hidhet menjëherë në një furrë me zjarr përvëlues.’

Kur merr vesh se Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja nuk janë përkulur, Nabukodonosori zemërohet shumë. Ai urdhëron që t’i sjellin para tij. U jep një mundësi tjetër që të përkulen për të adhuruar. Por të rinjtë kanë besim te Jehovai. ‘Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na shpëtojë,—i thonë Nabukodonosorit.—Por edhe sikur të mos na shpëtojë, nuk do të përkulemi përpara shëmbëlltyrës sate prej ari.’

Kur e dëgjon këtë, Nabukodonosori zemërohet edhe më shumë. Aty afër ka një furrë dhe ai urdhëron: ‘Nxeheni furrën shtatë herë më shumë se më parë!’ Atëherë ai i urdhëron njerëzit më të fortë të ushtrisë së tij të lidhin Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon dhe t’i flakin në furrë. Furra është kaq e nxehtë, sa njerëzit e fortë vdesin të djegur nga flakët. Por, çfarë ndodh me tre të rinjtë që u hodhën në të?

Mbreti shikon brenda në furrë dhe frikësohet shumë.

—A nuk i lidhëm ne tre burrat dhe i flakëm brenda në furrën e nxehtë?’—pyet ai.

—Po,—i përgjigjen shërbëtorët.

—Por unë shoh katër njerëz që po ecin në mes të zjarrit,—thotë ai.—Nuk janë të lidhur dhe zjarri nuk po i dëmton. Dhe i katërti duket si një perëndi.’ Mbreti i afrohet derës së furrës dhe bërtet: ‘Shadrak! Meshak! Abednego! Dilni jashtë, ju shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë!’

Kur ata dalin, të gjithë e shohin se nuk janë dëmtuar. Pastaj mbreti thotë: ‘Le të lavdërohet Perëndia i Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos! Ai dërgoi engjëllin e tij që i shpëtoi, sepse nuk u përkulën dhe nuk adhuruan asnjë perëndi tjetër përveç perëndisë së tyre.’

A nuk është ky një shembull i shkëlqyer i besnikërisë ndaj Jehovait, shembull që ne duhet të ndjekim?