Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 100

Jezui në kopsht

Jezui në kopsht

PASI largohen nga dhoma e sipërme, Jezui dhe apostujt shkojnë në kopshtin e Getsemanisë. Ata kanë ardhur këtu shumë herë të tjera më parë. Jezui tani u thotë të rrinë zgjuar dhe të luten. Pastaj largohet pak dhe bie me fytyrë përtokë për t’u lutur.

Më vonë, Jezui kthehet aty ku janë apostujt e tij. Si mendon ti, çfarë po bëjnë ata? I ka zënë gjumi! Tri herë Jezui u thotë se duhet të rrinë zgjuar, por çdo herë që kthehet, i gjen në gjumë. ‘Si mund të flini në një kohë të tillë?—thotë Jezui herën e fundit që kthehet.—Ka ardhur koha që të më dorëzojnë tek armiqtë e mi.’

Pikërisht në atë çast dëgjohet zhurma e një turme të madhe. Shiko! Njerëzit po vijnë me shpata dhe shkopinj! Në duar mbajnë pishtarë për të bërë dritë. Kur afrohen, dikush del nga turma dhe vjen drejt Jezuit. Ai e puth Jezuin, siç e sheh edhe në figurë. Burri është Judë Iskarioti! Pse e puth Jezuin?

Jezui e pyet: ‘Judë, po më tradhton me një puthje?’ Po, puthja është një shenjë. Kjo u tregon burrave që janë me Judën se ky është Jezui, njeriu që po kërkojnë. Atëherë armiqtë e Jezuit afrohen për ta kapur. Por Pjetri nuk ka ndër mend t’i lërë që ta marrin Jezuin pa luftë. Ai nxjerr shpatën që ka me vete dhe godet burrin afër tij. Shpata nuk qëllon në shenjë, domethënë në kokën e burrit, por i pret veshin e djathtë. Jezui prek veshin e burrit dhe e shëron.

Jezui i thotë Pjetrit: ‘Fute shpatën në vendin e saj. A mendon se s’mund t’i kërkoj Atit tim të dërgojë me mijëra engjëj për të më shpëtuar?’ Po, Jezui mund ta bëjë këtë! Por nuk i kërkon Perëndisë të dërgojë engjëj, sepse e di se ka ardhur koha që armiqtë e tij ta marrin. Prandaj, i lë që ta marrin. Le të shohim se çfarë ndodh tani me Jezuin.