Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 96

Jezui shëron të sëmurët

Jezui shëron të sëmurët

NDËRSA udhëton nga një vend në tjetrin, Jezui shëron të sëmurët. Lajmi për këto mrekulli përhapet në të gjitha fshatrat dhe qytetet rreth e rrotull. Kështu njerëzit sjellin tek ai të çalët, të verbrit dhe të shurdhrit, si dhe shumë të tjerë që janë të sëmurë. Jezui i shëron të gjithë.

Tani kanë kaluar tri vjet që nga koha kur Gjoni e pagëzoi Jezuin. Dhe Jezui u thotë apostujve të tij se së shpejti do të shkojë në Jerusalem, ku do ta vrasin, por pastaj do të ringjallet. Ndërkohë Jezui vazhdon të shërojë të sëmurët.

Një ditë, Jezui po mëson njerëzit, por është ditë e shtunë, ditë sabati. Sabati është ditë pushimi për judenjtë. Gruaja që shikon këtu ka qenë shumë e sëmurë. Për 18 vjet ishte e përkulur dhe nuk mund të qëndronte drejt. Jezui e prek dhe ajo fillon të qëndrojë drejt. Është shëruar!

Kjo i zemëron shumë udhëheqësit fetarë. ‘Ka gjashtë ditë kur duhet të punojmë,—i bërtet turmës njëri prej tyre.—Në këto ditë mund të vini për t’u shëruar, jo të shtunën!’

Por Jezui u përgjigjet: ‘Njerëz të këqij. Kush prej jush nuk do ta zgjidhte gomarin dhe nuk do ta çonte për të pirë ujë në ditë sabati? A nuk duhej të shërohej në sabat kjo grua e shkretë, që ka qenë e sëmurë për 18 vjet?’ Përgjigjja e Jezuit i turpëron këta njerëz të këqij.

Më vonë, Jezui dhe apostujt e tij udhëtojnë drejt Jerusalemit. Sapo dalin nga qyteti i Jerikosë, dy lypës të verbër dëgjojnë se po kalon Jezui dhe bërtasin: ‘Jezu, na ndihmo!’

Jezui i thërret dhe i pyet: ‘Çfarë doni të bëj për ju?’ Ata thonë: ‘Zotëri, na i hap sytë që të shohim.’ Jezui u prek sytë dhe menjëherë ata shohin! A e di pse i bën Jezui gjithë këto mrekulli? Sepse i do njerëzit dhe do që të kenë besim tek ai. Prandaj, mund të jemi të sigurt se kur të qeverisë ai si Mbret, asnjë njeri në tokë nuk do të sëmuret më.