Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 93

Jezui ushqen shumë njerëz

Jezui ushqen shumë njerëz

KA NDODHUR diçka e tmerrshme! Sapo kanë vrarë Gjon Pagëzorin. Herodiada, gruaja e mbretit, e kishte inat Gjonin. Ajo arriti ta bindte mbretin që t’i priste kokën Gjonit.

Kur dëgjon për këtë, Jezui trishtohet shumë dhe shkon në një vend të vetmuar për të ndenjur vetëm. Por njerëzit e ndjekin. Kur e shikon turmën, Jezuit i vjen keq për ta. Prandaj u flet për mbretërinë e Perëndisë dhe shëron të sëmurët e tyre.

Në mbrëmje dishepujt vijnë tek ai dhe i thonë: ‘Tani është vonë dhe ky është një vend i vetmuar. Thuaju njerëzve të ikin, që shkojnë të blejnë ushqim për vete në fshatrat afër.’

—S’kanë pse të ikin,—përgjigjet Jezui.—Jepuni ju diçka për të ngrënë. Duke u kthyer nga Filipi, Jezui e pyet: ‘Ku mund të blejmë ushqim për t’u dhënë të gjithë këtyre njerëzve?’

—Do të na duhen shumë e shumë para, edhe sikur të donim të blinim vetëm pak ushqim për secilin,—përgjigjet Filipi. Andrea ngrihet dhe thotë: ‘Ky djalë, që po mban ushqimin tonë, ka pesë bukë dhe dy peshq. Por nuk mjafton për gjithë këta njerëz.’

—U thoni njerëzve që të ulen në bar,—thotë Jezui. Pastaj e falënderon Perëndinë për ushqimin dhe fillon ta ndajë pjesë-pjesë. Dishepujt u shpërndajnë bukë dhe peshk të gjithë njerëzve. Aty ka 5.000 burra dhe mijëra gra dhe fëmijë. Të gjithë hanë sa ngopen. Pasi dishepujt mbledhin çfarë mbetet, ka 12 shporta plot!

Tani Jezui u thotë dishepujve të hipin në një barkë për të kaluar përmes detit të Galilesë. Gjatë natës vjen një stuhi e madhe dhe dallgët e përplasin barkën sa në një anë në tjetrën. Dishepujt kanë shumë frikë. Pastaj, në mes të natës, shohin dikë që po vjen drejt tyre duke ecur mbi ujë. Bërtasin nga frika, sepse nuk e dinë se çfarë po shohin.

—Mos kini frikë,—thotë Jezui.—Jam unë! Por ata akoma nuk e besojnë dot. Prandaj Pjetri thotë: ‘Nëse je me të vërtetë ti, Zotëri, më thuaj të ec mbi ujë e të vij te ti.’ Jezui përgjigjet: ‘Eja!’ E Pjetri del nga barka dhe ecën mbi ujë! Pastaj frikësohet dhe fillon të fundoset, por Jezui e shpëton.

Më vonë, Jezui ushqen përsëri mijëra njerëz. Kësaj here ka vetëm shtatë bukë dhe disa peshq të vegjël. Por përsëri ka shumë ushqim për të gjithë. A nuk është e mrekullueshme mënyra se si kujdeset Jezui për njerëzit? Kur ai të qeverisë si mbret i vendosur nga Perëndia, nuk do të shqetësohemi më për asgjë!