Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 87

Jezui i vogël në tempull

Jezui i vogël në tempull

SHIKO djalin e vogël që po flet me këta burra të mëdhenj. Ata janë mësues në tempullin e Perëndisë, në Jerusalem. Kurse djali është Jezui. Sa është rritur! Tani është 12 vjeç.

Mësuesit janë shumë të habitur që Jezui di kaq shumë për Perëndinë dhe për gjërat e shkruara në Bibël. Por pse nuk janë këtu edhe Jozefi e Maria? Ku janë ata? Le ta shohim.

Çdo vit, Jozefi e sjell familjen e tij në Jerusalem për një festë të veçantë të quajtur Pashkë. Udhëtimi nga Nazareti në Jerusalem është i gjatë. Atëherë s’kishte as makina, as trena. Shumica e njerëzve ecin në këmbë, prandaj duhen gati tri ditë për të shkuar në Jerusalem.

Tani Jozefi ka një familje të madhe. Prandaj duhet të kujdeset edhe për vëllezërit e motrat më të vogla të Jezuit. Këtë vit, Jozefi dhe Maria janë larguar për në Nazaret, bashkë me fëmijët, në këtë udhëtim të gjatë. Ata mendojnë se Jezui është bashkë me të tjerët. Por në mbrëmje, kur ndalojnë, nuk e gjejnë dot Jezuin. E kërkojnë te kushërinjtë dhe te shokët, por ai s’është me ta. Atëherë kthehen në Jerusalem për ta kërkuar atje.

Më në fund e gjejnë Jezuin këtu, bashkë me mësuesit. Ai po i dëgjon dhe po u bën pyetje. Të gjithë njerëzit habiten se sa i mençur është Jezui. Por Maria i thotë: ‘Bir, pse na e bëre këtë? Unë dhe babai yt u bëmë merak, se s’po të gjenim.’

—Pse duhej të më kërkonit?—përgjigjet Jezui.—A nuk e dinit se duhej të isha në shtëpinë e Atit tim?

Po, Jezuit i pëlqen shumë të jetë atje ku mund të mësojë për Perëndinë. A nuk duhet të ndihemi edhe ne kështu? Kur u kthye në shtëpi në Nazaret, Jezui shkonte çdo javë në mbledhjet për adhurim. Meqë ishte gjithnjë i vëmendshëm, mësonte shumë gjëra nga Bibla. Le të jemi edhe ne si Jezui dhe të ndjekim shembullin e tij.