Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 106

Çlirimi nga burgu

Çlirimi nga burgu

SHIKO këtë engjëll që po mban hapur derën e burgut. Burrat që po çliron, janë apostujt e Jezuit. Le të shohim pse u burgosën ata.

Ka kaluar vetëm pak kohë që kur fryma e shenjtë u derdh mbi dishepujt e Jezuit. Dhe ja çfarë ndodh: një pasdite, Pjetri dhe Gjoni hyjnë në tempullin e Jerusalemit. Atje, afër derës, është një burrë që ka qenë i çalë gjithë jetën e tij. Njerëzit e sjellin këtu çdo ditë, që t’u kërkojë lëmoshë atyre që hyjnë në tempull. Kur sheh Pjetrin dhe Gjonin, ai u lutet që t’i japin diçka. Çfarë bëjnë dy apostujt?

Ata ndalojnë dhe e shohin këtë burrë të varfër. ‘Unë nuk kam para,—thotë Pjetri,—por do të të jap çfarë kam. Në emër të Jezuit, ngrihu dhe ec!’ Pastaj, Pjetri e kap burrin nga dora e djathtë dhe ai ngrihet menjëherë në këmbë e fillon të ecë. Kur njerëzit e shohin këtë, çuditen dhe janë shumë të lumtur për këtë mrekulli të bukur.

‘Këtë mrekulli e bëmë me anë të fuqisë së Perëndisë, që ngriti Jezuin nga vdekja’,—thotë Pjetri. Ndërsa ai dhe Gjoni po flasin, vijnë disa udhëheqës fetarë. Ata janë të zemëruar, sepse Pjetri dhe Gjoni po u thonë njerëzve që Jezui është ringjallur. Prandaj i kapin dhe i futin në burg.

Ditën tjetër, udhëheqësit fetarë bëjnë një mbledhje të madhe. Ata sjellin brenda Pjetrin, Gjonin dhe burrin që u shërua. ‘Me çfarë fuqie e bëtë këtë mrekulli?’—pyesin udhëheqësit fetarë.

Pjetri u thotë se ishte fuqia e Perëndisë, i cili ngriti Jezuin nga të vdekurit. Priftërinjtë nuk dinë çfarë të bëjnë, pasi nuk mund ta mohojnë mrekullinë e madhe që ndodhi në të vërtetë. Prandaj, i paralajmërojnë apostujt që të mos flasin më për Jezuin dhe pastaj i lënë të shkojnë.

Me kalimin e ditëve, apostujt vazhdojnë të predikojnë për Jezuin dhe të shërojnë të sëmurët. Lajmi për këto mrekulli përhapet. Prandaj, turma njerëzish nga qytetet rreth Jerusalemit i sjellin të sëmurët tek apostujt, që t’i shërojnë. Kjo i bën xhelozë udhëheqësit fetarë, prandaj i kapin apostujt dhe i futin në burg. Por ata nuk qëndrojnë gjatë atje.

Siç mund ta shohësh edhe këtu, gjatë natës engjëlli i Perëndisë hap derën e burgut. Engjëlli thotë: ‘Shkoni, qëndroni në tempull dhe vazhdoni t’u flitni njerëzve.’ Të nesërmen në mëngjes, kur udhëheqësit fetarë dërgojnë disa burra në burg për të marrë apostujt, ata nuk janë më atje. Më vonë, ata burra i gjejnë apostujt në tempull, duke mësuar, dhe i çojnë në sallën e Sinedrit.

‘Ne ju urdhëruam rreptësisht që të mos flitnit më për Jezuin,—thonë udhëheqësit fetarë.—Por ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimet tuaja.’ Apostujt përgjigjen: ‘Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, jo njerëzve.’ Kështu, ata vazhdojnë t’u mësojnë njerëzve ‘lajmin e mirë’. A nuk është ky një shembull i shkëlqyer për ta ndjekur?