Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 108

Rrugës për në Damask

Rrugës për në Damask

A E NJEH atë që është shtrirë në tokë? Është Sauli. Të kujtohet, ai u ruajti rrobat njerëzve që vranë me gurë Stefanin. Shiko dritën verbuese! Çfarë po ndodh?

Pasi vritet Stefani, Sauli do që të jetë i pari për të kërkuar dishepujt e Jezuit, që t’u bëjë keq. Ai hyn nga një shtëpi në tjetrën, i nxjerr jashtë dhe i hedh në burg. Shumë dishepuj arratisen në qytete të tjera dhe fillojnë të shpallin ‘lajmin e mirë’ atje. Por Sauli shkon në qytete të tjera për të gjetur dishepujt e Jezuit. Tani po shkon në Damask. Por, rrugës ndodh një gjë e çuditshme:

Papritmas, një dritë nga qielli shkëlqen rreth Saulit. Ai bie në tokë, siç e shohim dhe këtu. Pastaj një zë thotë: ‘Saul, Saul! Pse po më bën keq?’ Burrat që janë me Saulin e shohin dritën dhe dëgjojnë zërin, por nuk mund ta kuptojnë çfarë thuhet.

—Kush je ti, Zotëri?—pyet Sauli.

—Unë jam Jezui, ai që ti po i bën keq,—thotë zëri. Jezui e thotë këtë, sepse kur Sauli u bën keq dishepujve të Jezuit, ky ndihet sikur po i bëjnë keq atij vetë.

—Çfarë duhet të bëj, Zotëri?—e pyet Sauli tani.

—Ngrihu dhe shko në Damask,—i thotë Jezui.—Atje do të të thonë se çfarë duhet të bësh. Kur Sauli ngrihet dhe hap sytë, nuk sheh asgjë. Është verbuar! Atëherë njerëzit që janë me të e marrin për dore dhe e çojnë në Damask.

Jezui tani flet me një nga dishepujt e tij në Damask dhe i thotë: ‘Anania, ngrihu dhe shko te rruga që quhet e Drejtë. Në shtëpinë e Judës pyet për një njeri që quhet Saul. Unë e kam zgjedhur që të jetë për mua një shërbëtor i veçantë.’

Anania bindet. Kur takon Saulin, vendos duart tek ai dhe i thotë: ‘Zotëria më ka dërguar që të shohësh përsëri dhe të mbushesh me frymën e shenjtë.’ Menjëherë diçka që duket si luspa i bie nga sytë Saulit dhe ai sheh përsëri.

Perëndia e përdor Sauli në një mënyrë të fuqishme për t’u predikuar njerëzve të shumë kombeve. Ai bëhet i njohur si apostulli Pavël, për të cilin do të mësojmë më shumë. Por së pari, le të shohim se çfarë pune i jep Perëndia Pjetrit.