Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 114

Fundi i të gjitha ligësive

Fundi i të gjitha ligësive

ÇFARË shikon këtu? Po, është një ushtri me kuaj të bardhë. Por, shiko nga po vijnë ata. Kuajt po zbresin me vrap nga qielli, të hipur mbi re! A ka me të vërtetë kuaj në qiell?

Jo, këta nuk janë kuaj të vërtetë. Ne e dimë që kuajt nuk mund të vrapojnë mbi re, apo jo? Por Bibla flet për kuaj në qiell. A e di pse?

Sepse, në kohët e lashta, kuajt përdoreshin shumë në luftë. Prandaj, kur Bibla flet për kalorësit që zbresin nga qielli me kuaj, tregon se Perëndia ka një luftë kundër njerëzve në tokë. A e di si quhet kjo luftë? Harmagedon. Kjo luftë bëhet për t’i dhënë fund të gjitha ligësive në tokë.

Jezui është Ai që do të udhëheqë këtë luftë, në Harmagedon. Të kujtohet, Jehovai e zgjodhi Jezuin që të jetë mbreti i qeverisë së Tij. Prandaj Jezui ka një kurorë mbreti në kokë. Kurse shpata tregon që ai do t’i vrasë të gjithë armiqtë e Perëndisë. A duhet të habitemi që Perëndia do të shkatërrojë të gjithë të këqijtë?

Shiko përsëri tregimin 10. Çfarë shikon aty? Po, Përmbytjen e madhe ku u shkatërruan të këqijtë. Kush e solli Përmbytjen? Perëndia Jehova. Tani shiko tregimin 15. Çfarë po ndodh atje? Sodoma dhe Gomorra po shkatërrohen nga zjarri që dërgoi Jehovai.

Kalo te tregimi 33. Shiko çfarë po ndodh me kuajt dhe me karrocat egjiptiane të luftës. Kush bëri që uji të përplasej mbi ta e t’i mbulonte? Jehovai. E bëri për të mbrojtur popullin e tij. Shiko tregimin 76. Do të shohësh se Jehovai lejon që edhe populli i tij, Izraeli, të shkatërrohet për shkak të ligësisë së tyre.

Prandaj, nuk duhet të habitemi që Jehovai do të dërgojë ushtritë e tij qiellore për t’u dhënë fund të gjitha ligësive në tokë. Por, mendo se çfarë do të thotë kjo. Ktheje faqen dhe le të shohim.