Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 116

Si mund të jetojmë përgjithmonë?

Si mund të jetojmë përgjithmonë?

A MUND të më thuash çfarë po lexon kjo vajzë e vogël me miqtë e saj? Të njëjtin libër që po lexon edhe tiLibri im i tregimeve biblike. Ata po lexojnë të njëjtin tregim që po lexon dhe ti: «Si mund të jetojmë përgjithmonë?»

A e di çfarë po mësojnë ata? Fillimisht, po mësojnë se, nëse duam të jetojmë përgjithmonë, duhet të njohim Jehovain dhe Birin e tij, Jezuin. Bibla thotë: ‘Ja si mund të jetosh përgjithmonë: mëso për Perëndinë e vetëm të vërtetë dhe për Birin që ai dërgoi në tokë, Jezu Krishtin.’

Si mund të mësojmë për Perëndinë Jehova dhe për Birin e tij, Jezuin? Një mënyrë është duke lexuar nga fillimi deri në fund këtë libër, Libri im i tregimeve biblike. Këtu mësojmë shumë gjëra për Jehovain dhe për Jezuin, apo jo? Libri na tregon edhe për shumë gjëra që kanë bërë ata e për gjërat që do të bëjnë në të ardhmen. Por nuk mjafton vetëm të lexojmë këtë libër.

A e shikon librin tjetër aty në figurë? Është Bibla. Thuaji dikujt që të të lexojë pjesët e Biblës nga të cilat janë marrë tregimet e këtij libri. Bibla ka të gjitha mësimet që duhet të dimë, për t’i shërbyer Jehovait në mënyrën e duhur dhe për të fituar jetën e përhershme. Prandaj, duhet të na bëhet zakon që ta studiojmë shpesh Biblën.

Por nuk mjafton vetëm të mësojmë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. Mund të dimë shumë e shumë gjëra për ta e për mësimet e tyre, e prapë të mos e fitojmë jetën e përhershme. A e di çfarë duhet tjetër?

Duhet edhe të jetojmë sipas gjërave që mësojmë. A e mban mend Judë Iskariotin? Ishte njëri nga 12 burrat që Jezui i zgjodhi si apostujt e tij. Juda kishte shumë njohuri për Jehovain dhe për Jezuin. Por çfarë ndodhi me të? Pas njëfarë kohe u bë egoist dhe e tradhtoi Jezuin tek armiqtë e tij, për 30 monedha argjendi. Prandaj, Juda nuk do ta marrë jetën e përhershme.

Po Gehazi, burri për të cilin folëm në tregimin 69, a të kujtohet? Ai dëshironte të kishte rroba dhe para që nuk i takonin atij. Prandaj, për t’i pasur ato gjëra, gënjeu. Por Jehovai e ndëshkoi. Ai do të na ndëshkojë edhe ne, po të mos u bindemi ligjeve të tij.

Megjithatë, shumë njerëz të mirë i shërbyen gjithmonë Jehovait me besnikëri. Ne duam të jemi si ata, apo jo? Samueli i vogël është një shembull i mirë për t’u ndjekur. Të kujtohet, në tregimin 55 pamë që ai ishte vetëm katër ose pesë vjeç kur filloi t’i shërbente Jehovait në tabernakullin e tij. Prandaj, sado i vogël të jesh, asnjëherë nuk je tepër i vogël për t’i shërbyer Jehovait.

Sigurisht, shembulli që duam të ndjekim të gjithë, është Jezu Krishti. Siç e pamë në tregimin 87, edhe kur ishte i vogël, ai ishte në tempull, duke folur me të tjerët për Atin e tij qiellor. Ta ndjekim edhe ne shembullin e tij. T’u flasim sa më shumë njerëzve për Perëndinë tonë të mrekullueshëm, Jehovain, dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. Nëse veprojmë kështu, atëherë mund të jetojmë përgjithmonë në parajsën e re të Perëndisë, këtu në tokë.