Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 115

Një Parajsë e re në tokë

Një Parajsë e re në tokë

SHIKOJI këto pemë të mëdha, lulet e bukura dhe malet e larta. A nuk është bukur këtu? Shiko si po ha dreri nga dora e djalit të vogël. Shiko edhe luanët e kuajt që po qëndrojnë aty në lëndinë. A nuk do të pëlqente ta kishe shtëpinë në një vend si ky?

Perëndia dëshiron që ti të jetosh përgjithmonë në tokë, në një parajsë. Ai nuk dëshiron që ti të kesh dhembje dhe vuajtje, siç kanë njerëzit sot. Ky është premtimi i Biblës për ata që do të jetojnë në parajsën e re: ‘Perëndia do të jetë me ta. Nuk do të ketë më as vdekje, as të qara, as dhembje. Gjërat e vjetra kanë kaluar.’

Jezui do të kujdeset që të ndodhë ky ndryshim i mrekullueshëm. A e di se kur? Po, pasi ta pastrojë tokën nga të gjitha ligësitë dhe nga njerëzit e këqij. Të kujtohet, kur ishte në tokë, Jezui i shëroi njerëzit nga të gjitha llojet e sëmundjeve, madje ringjalli dhe të vdekur. Jezui e bëri këtë për të treguar çfarë do të bënte në gjithë tokën, kur të bëhej Mbret i mbretërisë së Perëndisë.

Mendo sa bukur do të jetë në parajsën e re në tokë! Jezui, së bashku me disa që ka zgjedhur, do të qeverisin nga qielli. Këta qeveritarë do të kujdesen për çdo njeri në tokë dhe do të sigurohen që ata të jenë të lumtur. Le të shohim çfarë duhet të bëjmë që të jemi të sigurt se Perëndia do të na japë jetën e përhershme në parajsën e tij të re.