Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A dëshironi të mësoni një gjuhë të huaj?

A dëshironi të mësoni një gjuhë të huaj?

A dëshironi të mësoni një gjuhë të huaj?

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRITANI

«Është më kollaj ta thuash, se ta bësh.» Kështu thonë shumë persona kur është fjala për të mësuar një gjuhë të huaj, veçanërisht mbasi e provojnë këtë gjë. Natyrisht, mësimi i një gjuhe tjetër është një sfidë, për të mos thënë më shumë. Por ata që ia kanë dalë mbanë me sukses thonë se ia vlen barra qiranë.

ARSYET për të mësuar një gjuhë të re janë nga më të ndryshmet. Andrea, për shembull, planifikoi t’i kalonte pushimet në Francë dhe dëshironte që të ishte në gjendje të bisedonte me njerëzit atje në gjuhën e tyre. Guido ka lindur në Angli, por familja e tij është me origjinë italiane. «Njihja vetëm një dialekt,​—thotë ai,​—kështu që doja të mësoja ta flitja italishten siç duhet.» Kohët e fundit vëllai i Xhonatanit shkoi për të jetuar jashtë shtetit dhe u martua me një vajzë spanjolle. «Kur shkoja për vizitë tek im vëlla, doja të flitja me të afërmit e mi të rinj në gjuhën e tyre»,​—thotë Xhonatani.

Por mësimi i një gjuhe të huaj mund të ketë edhe dobi të tjera. «Më mësoi të kem empati,​—thotë Luiza.​—Tani e kuptoj se si ndihen të huajt kur mbërrijnë në një vend ku flitet një gjuhë e ndryshme nga e tyrja.» Në rastin e Pamelës dobitë janë edhe më konkrete. E rritur në Angli, ajo e njihte pak gjuhën kineze, që është gjuha e familjes së saj. Për pasojë, Pamela dhe e ëma bëheshin gjithnjë e më të largëta për njëra-tjetrën. «Nuk komunikonim shumë ndërmjet nesh,​—tregon Pamela.​—Por tani që mund të flas gjuhën kineze jemi më të afërta dhe marrëdhënia jonë është përmirësuar.»

Çfarë ndihmon për të pasur sukses?

Çfarë do t’ju duhet që të keni sukses në mësimin e një gjuhe të huaj? Shumë veta që ia kanë dalë mbanë e vënë theksin te gjërat e mëposhtme:

Motivacion. Ju duhet një nxitje: një arsye për të ndjekur synimin tuaj. Studentët që kanë motivacion të fortë, në përgjithësi përparojnë më shumë.

Përulësi. Mos pritni tepër nga vetja: gabimet janë të pashmangshme, sidomos në fillim. «Njerëzit do të qeshin,​—thotë Alison,​—kështu që mbani ndjenjën e humorit.» Valeria është e po këtij mendimi: «Jeni si një fëmijë që po mëson të ecë. Shpesh do të rrëzoheni, por thjesht duhet të ngriheni dhe të përpiqeni përsëri.»

Durim. «Për mua, dy vitet e para ishin të vështira dhe nganjëherë më vinte ta lija fare»,​—pranon Davidi. Megjithatë, ai vëren: «Me kalimin e kohës bëhet më e lehtë.» Xhili ndihet po njësoj. «Nuk e mendon që ke bërë progres derisa hedh vështrimin pas»,​—thotë ajo.

Praktikë. Një rutinë e rregullt do t’ju ndihmojë që dalëngadalë ta flitni rrjedhshëm gjuhën e re. Përpiquni ta praktikoni çdo ditë, edhe sikur vetëm pak minuta. Siç thuhet në një tekst mësimor, « ‘pak dhe shpesh’ është më mirë sesa ‘shumë, por rrallë’ ».

Mjete të dobishme

A jeni gati ta pranoni sfidën e mësimit të një gjuhe të huaj? Nëse po, mjetet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë në përparimin tuaj.

Skeda demonstruese. Çdonjëra prej tyre ka në pjesën e përparme një fjalë ose shprehje dhe nga mbrapa përkthimin. Nëse këto nuk janë në dispozicion në vendin ku jetoni, mund të krijoni vetë një koleksion skedash.

Audiokaseta dhe videokaseta mësimore. Këto mund t’ju ndihmojnë të dëgjoni gjuhën e folur saktë. Për shembull, ndërsa ngiste makinën, Davidi mësoi bazat e japonishtes duke dëgjuar audiokasetën e një libri me shprehje për turistët.

Programe kompjuterike ndërvepruese. Disa nga këto ju japin mundësi të regjistroni zërin tuaj dhe pastaj ta krahasoni shqiptimin tuaj me atë të personave që flasin atë gjuhë.

Radioja dhe televizioni. Nëse në zonën tuaj radioja ose televizioni transmetojnë programe të cilat përdorin gjuhën që jeni duke mësuar, pse të mos e çoni tek ai stacion dhe të shihni se sa mund të kuptoni?

Revistat dhe librat. Përpiquni të lexoni materiale të shtypura në gjuhën e re, duke u siguruar që të mos jenë as tepër të vështira, as tepër të lehta për t’u kuptuar. *

Zotërimi i gjuhës

Sigurisht, herët a vonë duhet të bisedoni me ata që flasin në atë gjuhë. Kjo nuk kërkon që të udhëtoni për në një vend të largët. Në vend të kësaj, ndoshta mund të vizitoni një kongregacion në gjuhë të huaj të Dëshmitarëve të Jehovait në vendin tuaj.

Sidoqoftë, synimi duhet të jetë që të mësoni të mendoni në gjuhën e re, në vend që thjesht të gjeni fjalët e shprehjet, duke përkthyer nga gjuha juaj amtare. Ka të ngjarë që të jetë një ndihmë edhe nëse përpiqeni të mësoni diçka rreth traditave e zakoneve të njerëzve që flasin gjuhën tuaj të re. «Nuk mund ta mësojmë me të vërtetë një gjuhë, nëse nuk kuptojmë diçka rreth veçorive dhe vlerave të kulturës së cilës i përket ajo»,​—thotë specialisti në fushën e gjuhësisë Robert Lado.

Një fjalë e fundit: mos u shkurajoni nëse duket se përparimi juaj është i ngadalshëm. Mësimi i një gjuhe të re është, në fund të fundit, një proces i vazhdueshëm. «Nuk pushoj kurrë së mësuari,​—thotë Xhil, e cila e ka mësuar gjuhën e shenjave 20 vjet më parë.​—Gjuha është gjithmonë në zhvillim.»

A dëshironi, pra, të mësoni një gjuhë të huaj? Nëse po, përgatituni t’i futeni një përpjekjeje sfiduese, por, gjithsesi, mjaft shpërblyese.

[Shënimi]

^ par. 18 Zgjohuni! tani është në dispozicion në 83 gjuhë dhe revista shoqëruese Kulla e Rojës botohet në 132 gjuhë. Shumë veta kanë parë se mënyra e qartë në të cilën shkruhen këto revista është një ndihmë kur je duke mësuar një gjuhë të re.

[Figurat në faqet 12, 13]

Mund ta zgjeroni fjalorin . . .

. . . duke e krahasuar gjuhën tuaj amtare me atë që po mësoni