A po jua ngre kafeja nivelin e kolesterolit?
A po jua ngre kafeja nivelin e kolesterolit?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
STUDIUESIT në Universitetin Bujqësor të Vageningenit, në Holandë, thonë se pirja e kafesë së pafiltruar ngre nivelin e kolesterolit.
Fjala kyç është «e pafiltruar». Përse? Në Research Reports, një buletin i Organizatës së Holandës për Kërkime Shkencore, thuhet se kokrrat e kafesë përmbajnë një substancë të quajtur kafestol, e cila ngre nivelin e kolesterolit. Kur mbi kafen e bluar hidhet direkt ujë i nxehtë, del kafestoli. E njëjta gjë ndodh kur kafeja e bluar imët zjehet në ujë për njëfarë kohe, ashtu si në rastin e kafes turke, ose kur në vend të një filtri letre përdoret filtër prej metali, si në rastin e ekspresit francez. Pa një filtër letre, kafestoli përfundon në kafen që do të pimë.
Një filxhan me kafe të pafiltruar, i cili mund të përmbajë deri në katër miligramë kafestol, mund të bëjë që niveli i kolesterolit të ngrihet rreth 1 për qind. Edhe ekspresi përmban kafestol, përderisa nuk bëhet me filtër letre. Megjithatë, ndikimi i tij në rritjen e nivelit të kolesterolit është më i pakët, nëse përdorim një filxhan të vogël. Më pak ekspres, më pak kafestol—ndoshta vetëm një ose dy miligramë për çdo filxhan. Sidoqoftë, Research Reports paralajmëron se pesë filxhanë të vegjël ekspres në ditë mund ta ngrenë nivelin e kolesterolit 2 për qind.
Thelbi i çështjes është që kafeja e bërë me filtër letre nuk përmban kafestol.