Bota mahnitëse e insekteve
Bota mahnitëse e insekteve
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË SPANJË
A MENDONI se insektet s’janë gjë tjetër veçse diçka e bezdisshme? A do të donit që bota të ishte pa këto krijesa të mërzitshme? A i spërkatni, i vritni ose i shkelni sa herë t’ju jepet rasti? Para se t’i shpallni luftë çdo insekti që ndeshni, përse të mos përpiqeni të mësoni diçka për botën e tyre? Në fund të fundit, me një popullsi që është shumë më e madhe se ajo e njerëzve—rreth 200.000.000 insekte për 1 njeri—mund të jemi të sigurt se insektet do të jenë gjithnjë këtu.
Duke u hedhur një vështrim të shpejtë vetëm disa prej këtyre krijesave të çuditshme, mund të bindeni plotësisht që insektet e meritojnë respektin tuaj.
Mjeshtra fluturimi, mrekulli për t’u parë
Shumë insekte janë mjeshtra fluturimi. Vëreni disa shembuj. Mushkonjat mund të fluturojnë përmbys. Disa madje mund të fluturojnë në shi pa u lagur: po, duke u dredhuar në të vërtetë pikave të shiut! Disa grenza dhe bletë tropikale lëvizin me shpejtësi deri në 72 kilometra në orë. Një flutur monark e Amerikës Veriore përshkon 3.010 kilometra gjatë fluturimit të shtegtimit. Mizat e luleve mund t’i rrahin krahët më shumë se një mijë herë në sekondë, shumë më shpejt sesa kolibrat. Pilivesat mund të fluturojnë mbrapsht, një fakt ky që ka zgjuar kuriozitetin e kërkuesve dhe që i ka nxitur të bëjnë studime të përpikta.
Nëse jeni përpjekur ndonjëherë të vritni një mizë, e dini se këto insekte kanë shikim jashtëzakonisht të mprehtë, i cili shoqërohet me një refleks dhjetë herë më të shpejtë se yni. Është interesante që miza ka sy të përbërë që përmban mijëra kristalinë gjashtëfaqësh. Çdonjëri prej këtyre kristalinëve punon në mënyrë të pavarur. Ka të ngjarë, pra, që pamja që shikon miza të jetë e ndarë në copëza të vockla.
Disa insekte mund të dallojnë dritën ultraviolet, e cila është e padukshme për njerëzit. Kështu, ajo që ne na duket si një flutur e bardhë e rëndomtë, nuk është aspak e rëndomtë për fluturën mashkull. Vërtet, kur shihet në dritë ultraviolet, femra ka disenjo joshëse që janë ideale për të tërhequr vëmendjen e meshkujve, të cilët u vijnë rrotull për t’u çiftuar.
Sytë e shumë insekteve shërbejnë si busull. Bletët dhe grenzat, për shembull, mund të diktojnë planin e dritës së polarizuar, gjë që u jep mundësi
të përcaktojnë pozicionin e diellit në qiell, madje edhe kur ai është i fshehur nga retë. Falë kësaj aftësie, këto insekte mund të shkojnë shumë larg foleve të tyre për të kërkuar ushqim dhe prapë e gjejnë rrugën për në shtëpi pa u gabuar.Dashuria ndihet gjithkund
Në botën e insekteve, tingujt dhe aromat shpesh përdoren për të gjetur një partner, një arritje aspak e vogël kjo nëse jeta jote është vetëm punë javësh dhe partnerët e mundshëm janë të paktë.
Femra e fluturave perandorake të natës gjen shoqërues duke lëshuar një aromë që është kaq e fortë, saqë një mashkull duke e ndjekur atë mund të arrijë nga një largësi prej gati 11 kilometrash deri te femra. Antenat e tij të ndjeshme mund të diktojnë një molekulë të vetme të aromës.
Bulkthat, karkalecat dhe gjinkallat preferojnë t’u dëgjohet zëri. Edhe ne njerëzit mund ta dëgjojmë gjinkallën në kohën e dashurisë, ndërkohë që ajo e shndërron gjithë trupin e saj në një flegërz
rikumbuese. E pra, një grup i madh gjinkallash në kohën e çiftimit mund të bëjë një potere më shurdhuese se zhurma e çekanit pneumatik! Në kontrast me këtë, disa femra nuk lëshojnë asnjë tingull.Zgjimi dhe nxehja
Për njerëzit që jetojnë në klimë të ftohtë është e rëndësishme ta ruajnë ngrohtësinë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për insektet me gjak të ftohtë, të cilat çdo mëngjes zgjohen thuajse krejt të ngrira. Dielli është aleati i tyre dhe ato e shfrytëzojnë sa të munden.
Insektet me krahë dhe brumbujt tërhiqen nga ato lule ose gjethe që thithin ngrohtësinë e diellit gjatë orëve të para të mëngjesit. Disa brumbuj frekuentojnë zambakët australianë të ujit, të cilët shërbejnë si soba botanike, pasi i ngrohin lulet e tyre të paktën 20°Celsius më shumë sesa temperatura e mjedisit rrethues. Ndryshe nga brumbujt, fluturat kanë një sistem ngrohjeje të brendshëm. Kur kanë nevojë të ngrohen, ato hapin krahët e tyre, të cilat shërbejnë si panele diellore të efektshme dhe i drejtojnë nga dielli.
Ja, insektet bëjnë gjithçka!
Në botën e insekteve, thuajse çdo lloj ka një rol të ndryshëm, disa nga të cilët janë mjaft të çuditshëm.
Disa flutura nate, për shembull, e kërkojnë kripën dhe lagështinë jetëdhënëse duke thithur lotët e bizonit. Insekte të tjera, të pajisura me një kundërngrirës të fuqishëm, banojnë në maja të ngrira malesh dhe e kalojnë jetën duke rrëmuar për insekte që kanë ngordhur nga i ftohti.Siç vërejti mbreti i mençur Solomon mijëra vjet më parë, milingona është veçanërisht punëtore. Solomoni shkroi: «Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.» (Fjalët e urta 6:6-8) Sa më e jashtëzakonshme është mungesa e një mbikëqyrësi nëse kemi parasysh që disa koloni milingonash mund të numërojnë më shumë se 20 milionë! Megjithatë, «metropoli» i këtyre insekteve funksionon në mënyrë të përsosur—çdo milingonë kryen detyrën e vet të veçantë, kështu që e gjithë kolonia ka ushqim, mbrojtje dhe strehë.
Ndoshta shembulli më mbresëlënës i shtëpive të insekteve është pirgu i dheut i termiteve. Disa nga këto shtëpi janë 7,5 metra të larta. * Këto mrekulli ndërtimi kanë sisteme të ndërlikuara ajri të kondicionuar dhe kopshte nëntokësore me kërpudha. Ç’është më e mahnitshmja, termitet që ndërtojnë këto piramida vigane janë të verbra!
Pse kemi nevojë për insektet?
Insektet luajnë një rol jetësor në jetën tonë të përditshme. Në fakt, rreth 30 për qind e ushqimeve që hamë varen nga pjalmimi që kryejnë bletët, shumica e të cilave janë bletë të egra. Por pjalmimi është vetëm një nga punët e dobishme që kryejnë insektet. Insektet e mbajnë tokën të pastër nëpërmjet një sistemi të efektshëm riciklimi, pasi ato ripërpunojnë bimët dhe kafshët e ngordhura. Kështu toka pasurohet dhe lëndët ushqyese që çlirohen mund të bëjnë që gjërat të rriten. «Pa insektet,—shkruan entomologu Kristofor O’Tul në librin e tij Alien Empire (Perandori e huaj),—ne do ishim mbuluar me bimë dhe kafshë të ngordhura.»
Mungesa e insekteve ndihet jashtëzakonisht kur puna e tyre nuk bëhet. Vëreni ç’ndodhi në Australi, e cila është bërë habitati i miliona gjedhëve. Kopetë në mënyrë të pashmangshme lëshojnë gjithandej bajga. Përveçse nuk është një pamje e bukur, plehu i kafshëve siguronte vend shumimi për mizën e gëmushave—një përhapëse sëmundjesh epidemike si te njerëzit, ashtu edhe te gjedhët. Kështu nga Evropa dhe nga Afrika u importuan brumbuj plehu. Problemi u zgjidh!
Miq apo armiq?
Vërtet, disa insekte hanë të mbjellat dhe mbartin sëmundje. Por vetëm afro 1 për qind e insekteve të botës konsiderohen të dëmshme dhe mjaft prej tyre bëjnë dëme më shumë për shkak të mënyrës në të cilën e ka transformuar mjedisin vetë njeriu. Mushkonja që mbart malarien, për shembull, rrallë i shqetëson vendasit që banojnë në pyjet ekuatoriale. Megjithatë, ajo bën kërdinë në qytetet pranë pyjeve, ku ujërat e ndenjura janë me bollëk.
Shpesh njeriu mund t’i mbajë nën kontroll me mjete natyrore insektet e dëmshme që sulmojnë të mbjellat, qoftë duke alternuar kulturat bujqësore, qoftë duke përhapur a ruajtur grabitqarët natyrorë. Mollëkuqet e thjeshta dhe disa insekte të gjinisë Chrysopa mbajnë me efektshmëri nën kontroll sëmundjet që shkaktohen nga morrat e bimëve. Gjithashtu, punonjësit e shëndetit publik në Azinë Juglindore zbuluan se një çift larvash të pilivesës mund ta pastronin një enë me ujë nga larvat e mushkonjës.
Megjithë veçoritë e pakëndshme, pra, insektet janë një pjesë thelbësore e botës natyrore nga e cila ne varemi. Siç vëren Kristofor O’Tul, ndërkohë që insektet mund të mbijetojnë pa ne, «ne nuk mund të mbijetojmë pa to».
[Shënimi]
^ par. 20 Për njerëzit, ekuivalenti do të ishte një grataçielë më shumë se nëntë kilometra e lartë.
[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]
METAMORFOZA—Një pamje e re, një jetë e re
Disa insekte e shndërrojnë krejtësisht pamjen e tyre nëpërmjet një procesi të quajtur metamorfozë, që do të thotë «ndryshim në formë». Ndryshimet mund të jenë shumë të habitshme. Vemjet shndërrohen në miza, larvat në flutura dhe larvat e ujit në pilivesa që fluturojnë. Qindra mijë insekte i nënshtrohen metamorfozës.
Për t’u bërë një transformim i tillë—i ngjashëm me shndërrimin e një treni në një aeroplan—duhet të ndodhin ndryshime të jashtëzakonshme brenda trupit të insektit. Vëreni rastin e fluturës për shembull. Ndërkohë që larva fle brenda pupës, shumica e indeve dhe e organeve të mëparshme të trupit zhduken dhe zhvillohet një tërësi organesh të reja të rritura të tilla, si: flatrat, sytë dhe antenat.
Shpesh transformimi përfshin një stil të ri jetese. Për shembull, ndërsa është në fazën larvore, pilivesa kap peshq të vegjël ose larva bretkose, por kur bëhet një e rritur që mund të fluturojë, ushqimi i saj bëhen insektet. Kjo do të ishte njësoj sikur një njeri t’i kalonte 20 vjetët e parë të jetës duke notuar në det dhe pjesën tjetër të jetës duke fluturuar andej-këtej si zog.
A mund t’i bashkërendiste evolucioni këto transformime të habitshme? Si mund të shfaqej ashtu thjesht në skenë një larvë, e programuar për ta transformuar veten në flutur? E, lidhur me këtë, cila erdhi e para, larva apo flutura? Njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën, sepse vetëm flutura mban dhe lëshon vezët.
Sigurisht, procesi i metamorfozës jep dëshmi bindëse për një Kryeprojektues, për atë që Bibla e identifikon si Krijuesin e të gjitha gjërave, Perëndinë e Plotfuqishëm.—Psalmi 104:24; Zbulesa 4:11.
[Figurat]
Bishtdallëndyshja që sapo ka dalë nga pupa shtrin krahët
[Figurat në faqen 18]
Sipër: brumbull pjalmngrënës
Sipër djathtas: brumbull gjethesh i mbuluar me vesë duke u ngrohur
Djathtas në cep: kacadre afrikan
[Figura në faqen 18]
Karkalec afrikan brishkurtër
[Figura në faqen 18]
Mizë kali