La Bambusëré—Një ëndërr e realizuar
La Bambusëré—Një ëndërr e realizuar
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË FRANCË
AFRO 150 vjet më parë, në jug të Francës, Eugjen Mazeli, një importues erëzash aziatike, iu fut punës për të krijuar atë që do të bëhej fidanishtja më e madhe e bambuve në botë, me nja 200 varietete të kësaj bime të shumanshme që rritet me shpejtësi. Deri në vitin 1855, aspirata e Mazelit nuk po realizohej dot për shkak të një pengese të madhe: bambuja nuk rritej në Evropë.
Përpjekjet për ta importuar bimën nga Azia shkuan kot. Ndonëse bambuja është shumë e fuqishme në habitatin e vet (disa varietete mund të durojnë temperatura deri në –24 gradë Celsius dhe mund të rriten deri në një lartësi prej 5.000 metrash), ishte e pamundur që rrënjët të mbaheshin gjallë gjatë udhëtimeve të gjata përmes kontinenteve. Megjithatë, me daljen e anijeve më të shpejta, kampione bambush u importuan me sukses në Angli në vitin 1827 e më pas në Francë. Ëndrra e Mazelit ishte një hap më pranë realitetit.
Sfida tjetër për Mazelin ishte të gjente një vend të përshtatshëm për fidanishten e tij. Në vitin 1855 ai bleu një pronë prej 84 akrash afër Anduzesë, në jug të Francës, një vend që kishte tokë të mirë dhe ku ndihej dobia e klimës mesdhetare. Duhej një punë e madhe për të sjellë ujin nga një lumë aty pranë. Por përpjekjet e palodhura të Mazelit dolën me sukses.
Mjerisht, aty nga viti 1890 Mazeli falimentoi dhe iu desh ta shiste kopshtin e tij të çmuar. Megjithatë, lumturisht, të tjerët e vazhduan punën aty ku e la ai, kështu që sot afro 350.000 njerëz në vit vizitojnë Bambusërénë: ëndrrën e realizuar të Mazelit.
[Burimi i figurës në faqen 31]
Të gjitha fotot: La Bambouseraie de Prafrance