Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjekësia dhe kirurgjia pa gjak​—Gjithnjë e më e kërkuar

Mjekësia dhe kirurgjia pa gjak​—Gjithnjë e më e kërkuar

Mjekësia dhe kirurgjia pa gjak​—Gjithnjë e më e kërkuar

«Të gjithë ata që merren me gjakun dhe kujdesen për pacientët që operohen duhet të marrin në konsideratë kirurgjinë pa gjak.»​—Dr. Joakim Bolt, profesor i anesteziologjisë, Ludvigshaven, Gjermani.

TRAGJEDIA e SIDA-s i ka shtyrë shkencëtarët dhe mjekët që të ndërmarrin hapa të tjerë për ta bërë sallën e operacionit një vend më të sigurt. Është e qartë që kjo ka nënkuptuar një ekzaminim më të rreptë të gjakut. Por specialistët thonë se as këto masa nuk sigurojnë që transfuzionet të jenë pa rreziqe. «Edhe pse shoqëria shpenzon shuma të mëdha për t’i bërë rezervat e gjakut më të sigurta se asnjëherë më parë,​—thuhet në revistën Transfusion,​—ne mendojmë se prapëseprapë pacientët do të përpiqen t’i shmangin transfuzionet alogjenike [me gjak të një individi tjetër], për arsyen e thjeshtë se rezervat e gjakut s’mund të jenë kurrë plotësisht të sigurta.»

Nuk është për t’u habitur që shumë mjekë tani ngurrojnë t’u futin gjak pacientëve. «Në thelb transfuzionet e gjakut nuk janë aspak të dobishme dhe ne bëjmë çmos për t’i mënjanuar ato për çdo person»,​—thotë dr. Aleks Zapolanski nga San Françisko, Kaliforni.

Publiku në përgjithësi po bëhet i vetëdijshëm për rreziqet e transfuzioneve. Në fakt, një anketë e vitit 1996 zbuloi se 89 për qind e kanadezëve do të preferonin ndonjë alternativë tjetër në vend të gjakut. «Jo të gjithë pacientët do t’i refuzonin transfuzionet me gjakun e dikujt tjetër, ashtu si Dëshmitarët e Jehovait,​—thuhet në Journal of Vascular Surgery.​—Megjithatë, rreziku i transmetimit të sëmundjeve dhe ai i dobësimit të sistemit imunitar na japin prova të qarta se duhet të gjejmë alternativa për të gjithë pacientët tanë.»

Një metodë e preferuar

Lumturisht, ekziston një alternativë: mjekësia dhe kirurgjia pa gjak. Shumë pacientë e konsiderojnë atë jo si një mundësi të fundit, por si një trajtim të preferuar dhe kanë arsye të vlefshme për këtë. Kryekirurgu Stiven Xhefri Polard nga Britania vëren se përqindjet e sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë tek ata persona që operohen pa u dhënë gjak janë «shumë-shumë të njëjta me ato të pacientëve që marrin gjak. Gjithashtu, në shumicën e rasteve ata që operohen pa gjak kursehen nga infeksionet dhe ndërlikimet që lindin pas operacionit, të cilat shpesh shkaktohen nga gjaku që është marrë».

Si lindi trajtimi mjekësor pa gjak? Pyetja në njëfarë kuptimi është disi e çuditshme, pasi faktikisht mjekësia pa gjak ka ekzistuar para përdorimit të gjakut. Në të vërtetë, vetëm në fillim të shekullit të 20-të teknologjia e transfuzioneve përparoi deri në atë pikë sa nisi të përdorej rëndom. Megjithatë, dekadat e fundit po praktikohet në një masë të madhe kirurgjia pa gjak. Për shembull, gjatë viteve 60, kirurgu i mirënjohur Denton Kullei kreu disa nga operacionet e para me zemër të hapur pa përdorimin e gjakut.

Gjatë viteve 70, me shtimin e rasteve me hepatit tek ata që u ishin bërë transfuzione, shumë mjekë filluan të kërkonin alternativa të tjera në vend të gjakut. Në vitet 80 një sërë ekipesh të mëdha mjekësore po kryenin ndërhyrje kirurgjike pa përdorur gjak. Pastaj, me shpërthimin e epidemisë së SIDA-s, me këto ekipe konsultoheshin shpesh edhe ekipe të tjera që prisnin me padurim të përvetësonin të njëjtat teknika. Gjatë viteve 90, shumë spitale krijuan programe që u ofrojnë alternativa pa gjak pacientëve të tyre.

Mjekët tashmë kanë aplikuar me sukses teknika pa gjak, gjatë rasteve urgjente dhe operacioneve që zakonisht bëheshin me transfuzione. «Operacionet e rënda të zemrës, të enëve të gjakut, ato gjinekologjike, obstetrike, ortopedike dhe urologjike mund të kryhen me sukses pa përdorur gjak ose përbërës të gjakut»,–vëren D. H.V. Vong, në Canadian Journal of Anaesthesia.

Një përparësi e kirurgjisë pa gjak është fakti që ajo i jep shtysë trajtimit më cilësor. «Aftësitë e kirurgut luajnë një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e humbjes së gjakut»,​—thotë dr. Benjamin J. Raihshtain, një shef kirurgjie në Klivlend, Ohajo. Në një revistë juridike të Afrikës së Jugut thuhet se në disa raste kirurgjia pa gjak mund të jetë «më e shpejtë, më e pastër dhe më pak e kushtueshme». Aty shtohet: «Sigurisht, në shumicën e rasteve trajtimi i mëtejshëm ka qenë më i lirë dhe ka harxhuar më pak kohë.» Këto janë vetëm pak nga arsyet se përse rreth 180 spitale anembanë botës kanë sot programe të specializuara në mjekësinë dhe kirurgjinë pa gjak.

Gjaku dhe Dëshmitarët e Jehovait

Për arsye biblike, Dëshmitarët e Jehovait i refuzojnë transfuzionet e gjakut. * Por ata pranojnë, e madje kërkojnë energjikisht, alternativa mjekësore në vend të gjakut. «Dëshmitarët e Jehovait, në mënyrë aktive, kërkojnë trajtimin më të mirë mjekësor,​—vërente dr. Riçard K. Spens kur ishte shef i kirurgjisë në një spital të Nju Jorkut.​—Si grup, ata janë pacientët më të mirinformuar që mund të ndeshë ndonjëherë kirurgu.»

Mjekët kanë përmirësuar shumë teknika të kirurgjisë pa gjak duke mjekuar Dëshmitarët e Jehovait. Vëreni përvojën e kirurgut të zemrës dhe të enëve të gjakut, Denton Kulleit. Gjatë një periudhe prej 27 vjetësh, ekipi i tij kreu operacione me zemër të hapur pa përdorur gjak në 663 Dëshmitarë të Jehovait. Rezultatet tregojnë qartë se operacionet e zemrës mund të kryhen me sukses pa përdorur gjak.

Është e vërtetë që shumë persona i kanë kritikuar Dëshmitarët e Jehovait për refuzimin e gjakut. Por një manual i botuar nga Shoqata e Anesteziologëve të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës e quan qëndrimin e Dëshmitarëve «një shenjë të respektit për jetën». Në fakt, qëndrimi i vendosur i Dëshmitarëve ka qenë një nga forcat më të mëdha nxitëse që trajtimi më i sigurt mjekësor të vihet në dispozicion për të gjithë. «Dëshmitarët e Jehovait që kanë pasur nevojë për operacione na kanë treguar rrugën dhe kanë ngulmuar që të bëheshin përmirësime në një sektor të rëndësishëm të shërbimit mjekësor norvegjez»,​—shkruan profesor Sten A. Evensen i Spitalit Kombëtar të Norvegjisë.

Për t’i ndihmuar mjekët në sigurimin e trajtimeve pa përdorimin e gjakut, Dëshmitarët e Jehovait kanë ngritur një shërbim të dobishëm të lidhjes me spitalet. Tani, më shumë se 1.400 Komitete të Lidhjes me Spitalet në mbarë botën janë të pajisura për t’u siguruar mjekëve dhe studiuesve literaturë mjekësore të sistemuar nëpër arkiva, e cila përfshin më shumë se 3.000 artikuj që kanë të bëjnë me mjekësinë dhe kirurgjinë pa gjak. «Sot, falë punës së Komiteteve të Lidhjes me Spitalet që kanë ngritur Dëshmitarët, jo vetëm që kanë nxjerrë dobi Dëshmitarët e Jehovait, por edhe pacientëve në përgjithësi ka më pak të ngjarë që t’u bëhen transfuzione gjaku të panevojshme»,​—vëren dr. Çarls Baron, pedagog në Fakultetin Juridik të Bostonit. *

Informacionet e grumbulluara nga Dëshmitarët e Jehovait lidhur me mjekësinë dhe kirurgjinë pa gjak u kanë sjellë dobi shumë personave në fushën e mjekësisë. Për shembull, gjatë përgatitjes së materialit për librin me titull Autotransfusion: Therapeutic Principles and Trends autorët u kërkuan Dëshmitarëve të Jehovait që t’u siguronin informacione rreth alternativave që zëvendësojnë transfuzionet e gjakut. Dëshmitarët ua plotësuan me kënaqësi kërkesën. Më pas, me mirënjohje, autorët pohonin: «Në gjithçka që kemi lexuar rreth kësaj çështjeje nuk kemi parë kurrë një listë kaq të përmbledhur dhe të plotë të strategjive për mënjanimin e transfuzioneve me gjakun e dikujt tjetër.»

Përparimet në fushën e mjekësisë kanë bërë që shumë veta të marrin në konsideratë mjekësinë pa gjak. Ku do të na çojnë më tej këto përparime? Profesori Luk Montanie, zbulues i virusit të SIDA-s, thotë: «Evoluimi i kuptueshmërisë sonë në këtë fushë tregon se një ditë transfuzionet e gjakut nuk do të ekzistojnë më.» Ndërkohë, alternativat që përdoren në vend të transfuzioneve tashmë po shpëtojnë jetë.

[Shënimet]

^ par. 16 Gjithashtu, kur janë të ftuara, Komitetet e Lidhjes me Spitalet flasin para personelit mjekësor të spitalit. Përveç kësaj, nëse ndihma e tyre kërkohet në mënyrë specifike, ata i ndihmojnë pacientët që të kenë një komunikim paraprak, të hapur e të vazhdueshëm me mjekun e ngarkuar.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Ajo që thonë disa mjekë

‘Kirurgjia pa gjak nuk është vetëm për Dëshmitarët e Jehovait, por për të gjithë pacientët. Mendoj se çdo mjek duhet ta kryejë atë.’​—Dr. Joakim Bolt, profesor i anesteziologjisë në Ludvigshaven, Gjermani.

«Ndonëse sot transfuzionet e gjakut janë më të sigurta se në të kaluarën, ato ende mbartin rreziqe, të cilat përfshijnë reaksionet imunitare dhe marrjen e hepatitit ose të sëmundjeve të transmetuara seksualisht.»​—Dr. Terens J. Saki, asistent-profesor i mjekësisë.

«Shumica e mjekëve bëjnë automatikisht transfuzione, sa herë të jetë e mundur dhe pa u menduar shumë. Unë jo.»​—Dr. Aleks Zapolanski, shef i kirurgjisë së zemrës në Institutin e Zemrës të San-Françiskos.

«Nuk më duket që ka ndonjë operacion të zakonshëm në bark, i cili te një pacient normal kërkon në përgjithësi transfuzion gjaku.»​—Dr. Johanes Shele, profesor i kirurgjisë në Jenë, Gjermani.

[Figurat]

Dr. Joakim Bolt

Dr. Terens J. Saki

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

Mjekësia dhe kirurgjia pa gjak

Disa nga metodat

Lëngje: Tretësira Ringer-laktat, dekstrani, amidoni hidroksietilik dhe lëngje të tjera përdoren për të ruajtur vëllimin e gjakut, duke parandaluar gjendjen e shokut që vjen si pasojë e rënies së vëllimit. Disa lëngje që po analizohen tani mund të mbartin oksigjenin.

Preparate: Disa proteina të prodhuara me anë të inxhinierisë gjenetike mund të stimulojnë prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut (eritropojetini), të pllakëzave të gjakut (interleukina-11) dhe të disa rruazave të bardha të gjakut (GM-CSF, G-CSF). Barna të tjera e pakësojnë shumë humbjen e gjakut gjatë operacionit (aprotinina, antifibrinolitikë) ose ndihmojnë që të pakësohet gjakrrjedhja e menjëhershme (desmopresina).

Hemostatë biologjikë: Tampone të bëra me kolagjen dhe celulozë përdoren për të ndalur hemorragjinë nëpërmjet aplikimit direkt. Ngjitës dhe hermetizues prej fibrine mund të taposin plagët që janë si vrimë ose të mbulojnë sipërfaqe të mëdha indesh që rrjedhin gjak.

Riaftësimi i gjakut: Pajisjet për riaftësimin e gjakut e bëjnë të ripërdorshëm gjakun që del gjatë një operacioni ose nga një traumë. Gjaku filtrohet dhe mund t’i rikthehet pacientit brenda një cikli të mbyllur. Në raste ekstreme, duke përdorur këtë sistem mund të bëhen të ripërdorshme disa litra gjak.

Mjete kirurgjike: Disa pajisje presin dhe njëherësh i mbyllin enët e gjakut. Pajisje të tjera mund të mbyllin një sipërfaqe të madhe indesh ku po ndodh hemorragjia. Instrumentet laparoskopike dhe ato që ndërhyjnë në organizëm në një shkallë minimale, bëjnë të mundur që operacionet të kryhen pa humbjen e gjakut që vjen si pasojë e çarjeve të mëdha.

Teknika kirurgjike: Një planifikim i kujdesshëm i operacionit, si edhe konsultimi me mjekë me përvojë e ndihmon ekipin e kirurgëve të shmangë ndërlikimet. Veprimi i menjëhershëm për të ndalur hemorragjinë është thelbësor. Vonesat më të gjata se 24 orë mund ta rritin në një masë të madhe vdekshmërinë e pacientit. Duke i ndarë operacionet e mëdha në disa më të vogla pakësohet humbja e përgjithshme e gjakut.

[Kutia dhe figurat në faqen 10]

Mjekësia pa gjak ‘Standardi i ri i trajtimit’?

ZGJOHUNI! diskutoi për dobitë e mjekësisë dhe kirurgjisë pa gjak me katër specialistë të kësaj fushe.

Përveç pacientëve që nuk i pranojnë transfuzionet e gjakut për arsye fetare, kush tjetër po tregon interes për mjekësinë pa gjak?

Dr. Shpan: Në qendrën tonë, ata që kërkojnë mjekësinë pa gjak janë zakonisht pacientë mjaft të mirinformuar.

Dr. Shander: Në vitin 1998, numri i pacientëve që e refuzonin gjakun për arsye personale e tejkaloi numrin e pacientëve që e refuzonin gjakun për arsye fetare.

Dr. Boid: Janë, për shembull, pacientët me kancer. Është provuar mjaft herë që nëse nuk marrin gjak, ata përmirësohen më shumë dhe pakësohen mundësitë që sëmundja t’u rishfaqet.

Dr. Shpan: Shpesh ne kurojmë pa përdorur gjak profesorët e universitetit dhe familjet e tyre. Madje edhe kirurgët na kërkojnë që ta shmangim transfuzionin. Një kirurg, për shembull, erdhi te ne për të shoqen, e cila duhej të operohej. Ai tha: «Vetëm sigurohuni për një gjë: të mos i bëni transfuzion gjaku!»

Dr. Shander: Anëtarët e repartit tim të anestezisë thanë: ‘Ata pacientë që nuk marrin gjak përmirësohen njësoj si të tjerët e ndoshta bëhen edhe më mirë. Pse duhet të kemi dy standarde trajtimi? Nëse ky është trajtimi më i mirë, duhet ta aplikojmë për këdo.’ Prandaj, ne tani presim që mjekësia pa gjak të bëhet standardi i trajtimit.

Z. Ërnsho: Vërtet që kirurgjia pa gjak është veçanërisht për Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, kjo është mënyra se si dëshirojmë të kurojmë këdo.

Trajtimi pa gjak është më i kushtueshëm apo më i lirë?

Z. Ërnsho: Të kursen shumë.

Dr. Shander: Me mjekësinë pa gjak kostoja ulet 25 për qind.

Dr. Boid: Edhe sikur kjo të ishte arsyeja e vetme, duhet të përdorim trajtimin pa gjak.

Deri në ç’pikë janë bërë përparime në përdorimin e trajtimit mjekësor pa gjak?

Dr. Boid: Mendoj se përparimi është mjaft i madh. Pa dyshim që do ecim akoma përpara. Sa herë që hedhim sytë përreth, gjejmë disa arsye të reja të vlefshme për të mos përdorur gjak.

[Figurat]

Z. Piter Ërnsho, FRCS, kryekirurg ortoped, Londër, Angli

Dr. Donat R. Shpan profesor i anesteziologjisë, Zyrih, Zvicër

Dr. Arieh Shander asisent-profesor i anesteziologjisë, Shtetet e Bashkuara

Dr. Mark E. Boid profesor i obstetrikës dhe gjinekologjisë, Kanada

[Kutia në faqen 11]

Roli i pacientit

▪ Fol me mjekun tënd rreth alternativave pa gjak përpara se të lindë nevoja për mjekim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për gratë shtatzëna, për prindërit me fëmijë të vegjël dhe për të moshuarit.

▪ Hidhi dëshirat e tua me shkrim, sidomos nëse është në dispozicion një dokument ligjor për këtë qëllim.

▪ Nëse mjeku yt nuk është i gatshëm të të kurojë pa gjak, kërko një mjek që do t’i përmbushë dëshirat e tua.

▪ Duke qenë se disa nga alternativat që zëvendësojnë gjakun duan kohë që të bëjnë efekt, kërkoni pa vonesë që t’jua bëjnë atë mjekim nëse e dini se duhet të operoheni.