Nënat me SIDA hasin një dilemë
Nënat me SIDA hasin një dilemë
CINTIAS, * një gruaje që jeton në Inditë Perëndimore i duhej të zgjidhte nëse do ta ushqente foshnjën e saj të sapolindur me gji apo me biberon. Mund të duket një vendim i lehtë. Në fund të fundit, specialistët në fushën e shëndetësisë e kanë rekomanduar për dekada të tëra qumështin e nënës si «ushqimin më të mirë natyror» për bebet. Veç kësaj, në vendet e varfra foshnjat që ushqehen me biberon kanë rreth 15 herë më shumë mundësi që të vdesin nga sëmundjet diarreike, sesa ato që ushqehen me qumësht gjiri. Në fakt, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) raporton se çdo ditë vdesin rreth 4.000 fëmijë si pasojë e rreziqeve që sjellin zëvendësuesit e qumështit të gjirit.
Megjithatë, në rastin e Cintias ushqimi i fëmijës me gji përfshinte një rrezik krejtësisht tjetër. Ajo kishte marrë nga i shoqi virusin njerëzor të mangësisë imunitare (HIV), i cili shkakton SIDA-n. Pastaj, pas lindjes, Cintia mësoi se fëmija i një nëne të infektuar me HIV ka një probabilitet 1 me 7 që të infektohet nëpërmjet qumështit të gjirit. * Kështu, asaj i duhej të bënte një zgjedhje të dhimbshme: ta ekspozonte foshnjën e saj ndaj rreziqeve të ushqimit me gji ose ta vinte para rreziqeve të ushqimit me biberon.
Në ato pjesë të botës ku epidemia e SIDA-s ka goditur më rëndë, në çdo 10 gra shtatzëna 2 ose 3 janë të infektuara me HIV. Në një vend, më shumë se gjysma e të gjitha grave shtatzëna që iu bënë analiza ishin të infektuara. «Këto shifra alarmuese,—raporton Radioja e OKB-së,—kanë bërë që shkencëtarët të nxitojnë për të gjetur një zgjidhje.» Për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi, gjashtë organizata të OKB-së kanë bashkuar përvojën, përpjekjet dhe të ardhurat e tyre për të formuar Programin e Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për HIV/SIDA-n, të njohur si OKBSIDA. * Por ajo çfarë ka zbuluar OKBSIDA është që zgjidhja e dilemës së SIDA-s nuk është aq e thjeshtë.
Pengesa të ndërlikuara që bllokojnë një zgjidhje të thjeshtë
Sipas Edit Uaitit, specialiste në fushën e ushqimit me gji të fëmijëve dhe e transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija, punonjësit e shëndetësisë po i këshillojnë gratë sieropozitive në vendet e industrializuara që të mos i ushqejnë foshnjat e tyre me gji, pasi kjo gjë thuajse e dyfishon rrezikun që foshnja të infektohet. Përdorimi i përzierjeve ushqimore për fëmijë duket një alternativë e
logjikshme. Por në vendet në zhvillim—ku teoritë idealiste ia lënë shpejt vendin realitetit të ashpër—kjo zgjidhje e thjeshtë është e vështirë të vihet në jetë.Njëra nga pengesat është shoqërore. Në ato vende ku fëmijët ushqehen gjithmonë me gji, gratë që i ushqejnë të vegjlit e tyre me biberon mund të jenë duke deklaruar në këtë mënyrë se janë të infektuara me HIV. Një grua mund të ketë frikë se do të fajësohet, do të braktiset ose madje edhe do të rrihet, nëse gjendja e saj bëhet e njohur. Disa gra që gjenden në këto rrethana mendojnë se nuk kanë rrugë tjetër përveçse ta ushqejnë me gji foshnjën e tyre, për të mbajtur të fshehtë faktin që janë sieropozitive.
Ekzistojnë edhe pengesa të tjera. Vëreni, për shembull, rastin e Margaretës 20-vjeçare. Ajo—ashtu si të paktën 95 për qind e grave fshatare të Ugandës—nuk e ka bërë kurrë analizën për HIV. Por Margareta ka arsye për të qenë e shqetësuar. Vajza e parë i vdiq, dhe e dyta është e brishtë e shëndetligë. Margareta po e ushqen me gji dhjetë herë në ditë fëmijën e saj të tretë, pavarësisht nga fakti që mund të jetë e infektuar me HIV. «Nuk do të isha kurrë në gjendje ta ushqeja foshnjën tim me përzierje ushqimore»,—thotë ajo. Pse jo? Çmimi i përzierjes ushqimore që duhet për një fëmijë, siç thotë Margareta, është një herë e gjysmë më i lartë sesa shuma që fiton një familje në fshatin e saj gjatë një viti të tërë. Edhe sikur përzierja ushqimore të gjendej pa pagesë, do të ekzistonte akoma problemi që të gjeje ujë të pastër, për të formuar me përzierjen ushqimore një ushqim të sigurt për foshnjën. *
Disa nga këto pengesa mund të pakësohen nëse nënave të infektuara me HIV u sigurohen kushtet e duhura higjienosanitare, sasi të mjaftueshme zëvendësuesish të qumështit të gjirit dhe ujë i pandotur. E kushtueshme? Ndoshta. Megjithatë, çuditërisht, sigurimi i këtyre gjërave duket që ka të bëjë më tepër me faktin se kujt i jepen përparësitë, sesa me gjetjen e fondeve. Në fakt, OKB-ja raporton se disa nga vendet në zhvillim më të varfra në botë shpenzojnë rreth dy herë më shumë për ushtrinë, sesa për shëndetin dhe arsimimin.
Po ilaçet anti-SIDA?
Shkencëtarët e OKB-së kanë raportuar se një ilaç i thjeshtë e relativisht jo i kushtueshëm, i quajtur AZT, mund ta pakësojë në një masë të madhe transmetimin e HIV-it nga nëna te foshnja. Me ndihmën e OKBSIDA-s, kostoja e këtij mjekimi është ulur deri në 50 dollarë. Për më tepër, në korrik 1999 studiuesit që bëjnë kërkime për SIDA-n lajmëruan se trajtimi i nënave të infektuara me HIV dhe i të sapolindurve të tyre me nevirapinë që kushton vetëm 3 dollarë duket se është edhe më i efektshëm se AZT-ja në parandalimin e transmetimit të HIV-it. Specialistët në fushën e shëndetësisë thonë se nevirapina mund të parandalojë që deri në 400.000 të sapolindur në vit ta nisin jetën të infektuar me HIV.
Megjithatë, disa i kritikojnë këto trajtime me ilaçe, duke thënë se meqë ato kufizohen në parandalimin e transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija, nëna do të mposhtet më pas nga SIDA dhe do ta lërë fëmijën jetim. OKB-ja kundërpërgjigjet se alternativa e zymtë është të lihet që foshnjat të marrin HIV-in, duke i dënuar kështu këto viktima të pafajshme me një vdekje të ngadaltë e të trishtueshme. Ajo, gjithashtu, argumenton se nënat e infektuara me HIV mund të jetojnë me vite. Vëreni rastin e Cintias, të përmendur më lart. Ajo e mori vesh që kishte HIV-in në vitin 1985, në kohën kur lindi fëmijën, por u sëmur vetëm tetë vjet më pas. Dhe ndonëse foshnja e saj e kishte marrë HIV-in kur lindi, në moshën dyvjeçare nuk e kishte më.
Bibla na jep garancinë ngushëlluese se është afër koha kur do të gëzojmë një ambient vërtet të sigurt dhe kur do të kemi zgjidhjen e përhershme për plagë të tilla si SIDA. (Zbulesa 21:1-4) Perëndia Jehova premton një botë të re, në të cilën «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë’». (Isaia 33:24, BR) Dëshmitarëve të Jehovait do t’u pëlqente të të tregonin rreth kësaj zgjidhjeje të përhershme. Për më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni me botuesit e kësaj reviste ose me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.
[Shënimet]
^ par. 2 Nuk është emri i vërtetë.
^ par. 3 Sipas UNICEF-it, çdo ditë infektohen rreth 500 deri në 700 foshnja nëpërmjet qumështit të gjirit të nënave të tyre sieropozitive.
^ par. 4 Gjashtë organizatat janë: UNICEF-i, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Banka Botërore dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën. OKBSIDA u krijua në vitin 1995.
^ par. 8 Në një studim të kohëve të fundit sugjerohet se kombinimi i të ushqyerit me përzierje ushqimore me të ushqyerin me qumësht gjiri mund ta rritë rrezikun e infektimit me HIV dhe se qumështi i gjirit mund të përmbajë agjentë antiviralë që ndihmojnë në asnjanësimin e virusit. Nëse kjo është e vërtetë, ushqimi vetëm me gji—me gjithë rreziqet që mbart—mund të jetë një alternativë më e sigurt. Megjithatë, ende nuk është provuar nëse zbulimet e këtij studimi janë të sakta.
[Burimi i figurës në faqen 20]
OBSH/E. Hooper