Ndihmë për viktimat e torturës
Ndihmë për viktimat e torturës
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË DANIMARKË
«ËSHTË MË E LEHTË TË SHËROSH KOCKAT E THYERA, SE TË SHËROSH NJË SHPIRT TË THYER.»—Dr. Inge Genefke.
NJË i ri po shëtit në rrugën e qetë të një qyteti evropian dhe ndalet për të vështruar disa mallra të ekspozuara në vitrinën e një dyqani. Papritmas, duart fillojnë t’i dridhen. Gjunjët po ashtu. Ai vë duart në grykë sikur do të mbytet. Në vitrinë sapo ka parë pasqyrimin e dy policëve me uniformë. I riu nuk ka thyer asnjë ligj dhe nuk ka arsye për t’u trembur. Sidoqoftë, thjesht pamja e njerëzve me uniformë i sjell ndër mend një vend mijëra kilometra larg dhe një kohë disa vjet më parë, kur ka qenë viktimë e torturave.
Kjo mund të jetë historia e kujtdo prej miliona burrave, grave e madje edhe fëmijëve. Mund të jetë historia e ndokujt që njihni. Viktima e keqtrajtimit mizor mund të jetë një refugjat ose një imigrant që ka ardhur në lagjen tuaj. Fëmijët e tij mund të shkojnë në shkollë me fëmijët tuaj. Ti mund ta njohësh si një fqinj të heshtur, të qetë e të sjellshëm që në përgjithësi qëndron i veçuar. Por pamja e jashtme mund të jetë mashtruese. Ajo mund të fshehë trazimin e brendshëm që ndien viktima ndërsa lufton me kujtimet e vuajtjeve të shkuara fizike e mendore. Ndonjë pamje ose tingull mund ta bëjë të rijetojë tmerret e së kaluarës. Një nga këto viktima shpjegon: «Sa herë që dëgjoj të qarën e një foshnjeje, mendoj për njerëzit që i kam dëgjuar të qanin në burg. Sa herë që dëgjoj një tingull si fërshëllimë, më kujtohet fshikullima e thuprës: zhurma që bënte ajo tamam përpara se të më qëllonte.»
Tortura nuk është një mjet që e përdorin vetëm ekstremistët politikë dhe grupet terroriste. Në një sërë vendesh, atë e përdorin edhe forcat ushtarake e policore. Përse? Tortura mund të jetë një mënyrë e shpejtë dhe e efektshme për të marrë informacione, për të nxjerrë ndonjë pohim, për të siguruar dëshmi akuzuese ose për t’u hakmarrë. Sipas dr. Inge Genefke nga Danimarka, specialiste e shquar në fushën e torturave, në disa raste qeveritë «kanë ardhur në fuqi dhe e kanë mbajtur pozitën e tyre nëpërmjet praktikimit të torturës». Një viktimë u shpreh kështu: «Ata donin të
më thyenin mua, në mënyrë që të tjerët të shihnin se çfarë të ndodh kur kritikon qeverinë.»Shumë njerëzve ideja e torturimit të njerëzve të tjerë u sjell ndër mend vetëm Epokën e Errët ose Mesjetën. Në fund të fundit, në vitin 1948 Organizata e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në të cilën thuhet: «Askush nuk duhet t’u nënshtrohet torturave ose trajtimit a ndëshkimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.» (Neni 5) Megjithatë, disa specalistë mendojnë se deri në 35 për qind e refugjatëve të botës janë torturuar. Përse është kaq e përhapur tortura? Si ndikon ajo mbi viktimat dhe ç’mund të bëhet për t’i ndihmuar ata?
Pasoja
Nuk është për t’u habitur që shumë viktima të torturave largohen nga vendi i tyre për të nisur një jetë të re diku tjetër. Por ndonëse vendi mund të ndryshojë, vuajtja—si ajo fizike, edhe ajo psikologjike—vazhdon. Viktima mund të provojë, për shembull, ndjenja faji pasi s’ka mundur të mbrojë miqtë ose të afërmit nga keqtrajtimi. Ai, gjithashtu, mund të zhvillojë një mosbesim të madh te të tjerët, duke pasur frikë se çdo njeri që takon mund të jetë ndonjë informator. «Viktima e torturave do të mbetet gjithmonë një person i huaj,—thotë shkrimtari Karsten Jensen.—Ai e ka humbur njëherë e mirë besimin te bota.»
Rezultati është një përzierje e traumës fizike dhe asaj mendore që mund të çoroditë viktimën dhe këdo që përpiqet ta ndihmojë atë. Disa herë problemet fizike mund të kurohen pa vështirësi, por nuk është kështu për ato psikologjike. «Në fillim mendonim: ‘Mirë pra, do t’u kurojmë plagët e pastaj ata do të mund të rifillojnë jetën e tyre’,—pranon dr. Genefke.—Por shpejt mësuam se ishte dhimbja që kishin në zemër ajo që po i brente.» Sidoqoftë, dr. Genefke vëren: «U habitëm kur kuptuam se është e mundur t’ua lehtësosh dhimbjen dhe t’i ndihmosh këto viktima, madje edhe nëse kanë kaluar shumë vite.»
Në vitin 1982, në Spitalin Kombëtar të Kopenhagës, dr. Genefke së bashku me mjekë të tjerë danezë ngritën një repart të vogël për trajtimin e refugjatëve që ishin viktima të torturave. Nga ato fillime të vogla u zhvillua një rrjet mbarëbotëror i quajtur Këshilli Ndërkombëtar i Rehabilitimit për Viktimat e Torturës (IRCT). Nga qendra e tij kryesore në Kopenhagë, këshilli po drejton punën për të dhënë ndihmë nëpërmjet më shumë se 100 qendrave anembanë botës. Gjatë viteve, këshilli ka mësuar shumë gjëra rreth trajtimit të viktimave të torturës.
Si të japim mbështetje?
Shpesh është e dobishme që viktimat të flasin për përvojën e tyre. «Afro 20 vjet më parë,—thuhet në një material informativ të IRCT-së,—viktimat e torturës shpesh ishin viktima në një kuptim të dyfishtë. Së pari duke qenë të ekspozuara ndaj torturës fizike e psikologjike dhe së dyti duke mos pasur mundësi të flasin rreth kësaj.»
Natyrisht, nuk është e këndshme të flasësh për një argument kaq të zymtë sa torturat. Por nëse një viktimë dëshiron t’i hapet një miku dhe ai refuzon ta dëgjojë, viktima mund të zhytet më thellë në dëshpërim. Prandaj, është e rëndësishme që viktima të sigurohet se dikush interesohet për të. Sigurisht, askush nuk duhet të futë hundët në çështjet personale të një tjetri. Në fund të fundit, vendimi nëse do t’i hapet apo jo dikujt, kur do ta bëjë këtë dhe kujt dëshiron t’i hapet, i përket viktimës.—Fjalët e urta 17:17; 1. Thesalonikasve 5:14.
* Ndjenjat e turpit janë zakonisht ndër të parat që duhen trajtuar. Një terapiste i tha një gruaje që ishte përdhunuar dhe rrahur shpesh: «Turpi që ndjen është normal dhe i kuptueshëm. Por mos harro që ai nuk është yti. Turpi u përket njerëzve që të kanë bërë këtë gjë.»
Shumica e specialistëve rekomandojnë që të mbahen parasysh si aspekti fizik, ashtu edhe ai mendor i torturës. Për disa viktima, rehabilitimi kërkon që të jepet ndihmë profesionale. Në mënyrat e ndryshme të trajtimit përfshihen ushtrime frymëmarrjeje dhe komunikimi.Të mbijetuarit e kampeve të përqëndrimit
Gjatë Luftës II Botërore miliona njerëz përjetuan keqtrajtime të tmerrshme në kampet e përqëndrimit të Hitlerit. Midis tyre ishin mijëra Dëshmitarë të Jehovait, të cilët u persekutuan sepse refuzuan të hiqnin dorë nga bindjet e tyre fetare. Besimi i tyre pa dyshim që i ndihmoi të përballonin këto situata të rënda. Në ç’mënyrë?
Shumë kohë përpara se të burgoseshin, këta të krishterë kishin qenë studiues të kujdesshëm të Fjalës së Perëndisë. Kështu, ata nuk u habitën kur erdhën sprovat dhe as nuk fajësuan Perëndinë kur vuajtjet e tyre nuk morën fund menjëherë. Nëpërmjet studimit të Biblës Dëshmitarët kishin kuptuar se përse e lejon Perëndia ligësinë dhe se si do t’i japë fund asaj në kohën e caktuar nga ai. Nga studimi i Biblës ata kishin mësuar se Jehovai «e do drejtësinë» dhe se ai indinjohet shumë kur njerëzit keqtrajtojnë njëri-tjetrin.—Psalmi 37:28; Zakaria 2:8, 9.
Sigurisht, shumë prej këtyre të mbijetuarve të kampeve të përqëndrimit u është dashur të përballojnë pasojat traumatike të vuajtjeve të tyre. Në këtë gjë, atyre u ka dhënë shumë forcë ndjekja e këshillës së Pavlit. Ndërsa dergjej në një burg romak, në një situatë që duhet t’i ketë shkaktuar shumë ankth, Pavli u shkruante bashkëbesimtarëve: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërim, bashkë me falënderime. Dhe paqja e Perëndisë që ia tejkalon çdo mendimi do të ruajë zemrat dhe aftësitë tuaja mendore nëpërmjet Krishtit Jezu.»—Filipianëve 1:13; 4:6, 7, BR.
Nëpërmjet studimit të Biblës, këta mbajtës të integritetit kanë mësuar se Perëndia ka premtuar ta bëjë tokën një parajsë, ku pasojat e dhimbshme të keqtrajtimeve të tilla si torturat më në fund do të zhduken.
Dëshmitarët e Jehovait po e ndajnë këtë shpresë të bazuar në Bibël me njerëzit e tjerë në më shumë se 230 vende. Kushtet e trazuara botërore i vënë ata në kontakt me shumë njerëz që kanë vuajtur për shkak të trajtimit çnjerëzor nga njerëzit e tjerë. Kur takojnë viktima të torturave, Dëshmitarët përpiqen të ndajnë me këta individë premtimin e Biblës për një të ardhme të shkëlqyer. Sa të lumtur ndihen ata kur përhapin sihariqin për një të ardhme kur torturat do të jenë diçka e së shkuarës!—Isaia 65:17; Zbulesa 21:4.
[Shënimi]
^ par. 15 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim të veçantë. Të krishterët duhet të sigurohen se çfarëdo trajtimi që ndjekin nuk bie ndesh me parimet biblike.
[Diçitura në faqen 24]
«ASKUSH NUK DUHET T’U NËNSHTROHET TORTURAVE OSE TRAJTIMIT A NDËSHKIMIT MIZOR, ÇNJERËZOR OSE POSHTËRUES.»—Neni 5, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut
[Kutia në faqen 25]
SI MUND TË JEPNI NDIHMË
NËSE KENI NJOHUR DIKË QË PO MERR VETEN NGA PASOJAT E TORTURAVE, SUGJERIMET E MËPOSHTME MUND TË JENË TË DOBISHME:
● Tregoni empati. Mund të thoni: «E di që në vendin nga vjen ka shumë probleme. Si po ia del?»—Mateu 7:12; Romakëve 15:1.
● Mos u bëni tepër kureshtar ose mos jini tepër këmbëngulës për të dhënë ndihmë. Përkundrazi, jini të sjellshëm e tregoni konsideratë. Lërini të kuptojë viktimës se jeni i gatshëm ta dëgjoni.—Jakovit 1:19.
● Mos jini i gjindshëm më tepër se ç’duhet. Mos e privoni viktimën nga respekti për veten ose nga jeta e vet private. Qëllimi është të ndash barrën me viktimën, jo të përpiqesh ta mbash atë të gjithën.