Një pikëpamje e ekuilibruar për traditat e përhapura
Pikëpamja e Biblës
Një pikëpamje e ekuilibruar për traditat e përhapura
«NUK KA ASNJË ZAKON QË TË MOS JETË DËNUAR NË NJËFARË KOHE E VENDI DHE QË NË NJËFARË KOHE E VENDI TJETËR TË MOS JETË KËRKUAR SI NJË DETYRË.»
ME KËTË pohim, historiani irlandez Uiliam Leki përmbledh karakterin e ndryshueshëm të njerëzve. Vërejtjet e tij mund të jenë të vërteta edhe për zakonet e traditat e ndryshme përgjatë shekujve. Në fakt, shumë zakone që njëherë e një kohë konsideroheshin si pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme, në kohërat e mëvonshme janë dënuar. Kjo s’është për t’u habitur, sepse, siç vërejti apostulli i krishterë Pavël, «skena e kësaj bote po ndryshon».—1. Korintasve 7:31, BR.
Vërtet, shoqëria njerëzore është në një gjendje të vazhdueshme ndyshimi. Kjo gjë shpesh është pasqyruar në ndryshimet e mëdha në qëndrime dhe në zakonet shoqërore. Të krishterët nuk duhet të jenë «pjesë e botës», që do të thotë se ata qëndrojnë të ndarë nga shoqëria njerëzore që është e larguar nga Perëndia. Gjithsesi, Bibla pranon se të krishterët janë «në botë» dhe ajo nuk i urdhëron ata që të jenë persona të izoluar. Prandaj është e domosdoshme të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për traditat.—Gjoni 17:11, 14-16, BR; 2. Korintasve 6:14-17; Efesianëve 4:17-19; 2. Pjetrit 2:20.
Çfarë janë traditat?
Traditat janë praktika që ndiqen në jetën shoqërore dhe që janë të zakonshme në një vend të veçantë ose për një grup njerëzish. Disa tradita, të tilla si mënyrat e sjelljes dhe etiketa që duhen ndjekur gjatë ngrënies, mund të kenë lindur nga nevoja për të rregulluar sjelljen e njerëzve në aktivitetet në grup, duke u dhënë kështu mundësi atyre që të bashkëveprojnë me mirësjellje dhe respekt reciprok. Në raste të tilla, normat shoqërore të mirësjelljes mund të krahasohen me vajin, sepse ato lubrifikojnë ingranazhet e marrëdhënieve njerëzore.
Në tradita ka ndikuar thellësisht feja. Shumë prej tyre, në fakt, kanë lindur nga besëtytni të vjetra dhe nga ide fetare jobiblike. Për shembull, dhënia e luleve atyre që janë në zi mund ta ketë pasur origjinën në besëtytnitë fetare. * Veç kësaj, ngjyra e kaltër—që shpesh përdoret për foshnjat meshkuj—mendohej se trembte demonët. Rimeli shërbente si një mbrojtje kundër syrit të keq, ndërsa buzëkuqi përdorej për të prapsur demonët që të mos hynin në gojën e gruas dhe ta pushtonin atë. Madje edhe një zakon aq i thjeshtë sa vënia e dorës përpara kur të hapet goja mund të ketë lindur nga ideja që shpirti i njeriut mund të dilte përmes gojës tepër të hapur. Megjithatë, përgjatë viteve lidhjet fetare janë zhdukur dhe sot këto zakone e tradita nuk kanë asnjë domethënie fetare.
Shqetësimi i të krishterëve
Kur një i krishterë duhet të vendosë nëse do ta ndjekë apo jo një traditë të caktuar, shqetësimi i tij kryesor duhet të jetë: Cila është pikëpamja e Perëndisë e shprehur në Bibël? Në të kaluarën, Perëndia i dënoi një sërë zakonesh që mund të kenë qenë të lejuara në disa zona. Ato përfshinin flijimin e fëmijëve, keqpërdorimin e gjakut dhe praktika të ndryshme seksuale. (Levitiku 17:13, 14; 18:1-30; Ligji i përtërirë 18:10) Ngjashëm, një sërë traditash që janë të zakonshme sot, janë qartësisht në kundërshtim me parimet biblike. Midis tyre janë traditat jobiblike që kanë lidhje me festat fetare, të tilla si Krishtlindjet dhe Pashkët ose me zakonet supersticioze që kanë të bëjnë me spiritizmin.
Por ç’të themi për ato tradita që më parë mund të kenë qenë të lidhura me zakone të diskutueshme, por që sot konsiderohen kryesisht si pjesë e etiketës shoqërore? Për shembull, shumë tradita të përhapura të dasmave, ku përfshihen këmbimi i unazave dhe ngrënia e tortës, mund të kenë origjina pagane. A do të thotë kjo se të krishterët nuk lejohet t’i ndjekin këto tradita? A kërkohet që të krishterët të rrëmojnë me imtësi në çdo traditë të zonës së tyre, për të parë se mos në ndonjë vend a në ndonjë periudhë ajo ka pasur ngjyrime negative?
Pavli thotë se «atje ku është fryma e Zotit [Jehovait, BR], atje është liria». (2. Korintasve 3:17, Jakovit 1:25) Perëndia dëshiron që ta përdorim këtë liri jo si një shkas për dëshirat e forta egoiste, por për të stërvitur aftësitë tona perceptuese që të dallojmë të drejtën nga e gabuara. (Galatasve 5:13; Hebrenjve 5:14; 1. Pjetrit 2:16) Prandaj, në një çështje ku nuk ka ndonjë shkelje të hapur të parimeve biblike, Dëshmitarët e Jehovait nuk caktojnë një rregull të prerë. Në vend të kësaj, çdo i krishterë duhet të peshojë rrethanat dhe të marrë një vendim personal.
Të kërkojmë dobinë e të tjerëve
A do të thotë kjo se është gjithmonë e përshtatshme të marrim pjesë në një traditë të caktuar, për sa kohë që ajo nuk shkel drejtpërdrejt atë që thotë Bibla? Jo. (Galatasve 5:13) Pavli tregoi se një i krishterë duhet të kërkojë jo vetëm dobinë e vet, ‘por [atë] të të shumtëve’. Ai duhet ‘t’i bëjë të gjitha [gjërat] për lavdinë e Perëndisë’ dhe të mos bëhet shkak pengese. (1. Korintasve 10:31-33) Kështu, një person që kërkon miratimin e Perëndisë ndihet i nxitur të pyesë veten: ‘Si e konsiderojnë të tjerët këtë traditë? A ka ky zakon ndonjë domethënie të papëlqyeshme për njerëzit në zonën time? A do të nënkuptonte pjesëmarrja ime se unë pajtohem me zakone dhe ide që fyejnë Perëndinë?’—1. Korintasve 9:19, 23; 10:23, 24.
Disa tradita, ndonëse në përgjithësi janë të padëmshme, në një vend të caktuar mund të praktikohen në disa mënyra që janë në kundërshtim me parimet biblike. Për shembull, në disa raste specifike dhënia e luleve mund të marrë një kuptim të veçantë që bie ndesh me mësimet e Biblës. Pra, çfarë duhet t’i interesojë në radhë të parë një të krishteri? Ndonëse mund të jetë e arsyeshme që të shqyrtohet origjina e një tradite të veçantë, në disa raste është më e rëndësishme të shqyrtohet se çfarë kuptimi ka ajo traditë për njerëzit në atë kohë dhe në atë vend ku jeton tani personi. Nëse gjatë një periudhe të veçantë të vitit ose në disa rrethana të caktuara një traditë ka ngjyrime jobiblike a negative, të krishterët mund të vendosin me mençuri që gjatë asaj periudhe ta shmangin atë zakon.
Pavli u lut që të krishterët të vazhdonin të linin që dashuria e tyre të ishte me bollëk në njohuri të saktë dhe në aftësi të plotë shquese. Duke mbajtur një pikëpamje të ekuilibruar për traditat e përhapura, të krishterët ‘sigurohen për gjërat më të rëndësishme, me qëllim që të mund të jenë të patëmetë e të mos pengojnë të tjerët’. (Filipianëve 1:9, 10, BR) Njëkohësisht, ata do të lënë që ‘arsyetueshmëria e tyre të bëhet e njohur ndër të gjithë njerëzit’.—Filipianëve 4:5, BR.
[Shënimi]
^ par. 8 Sipas disa antropologëve, buqetat e luleve përdoreshin nganjëherë si blatime për të vdekurin, për të parandalur që ai t’u fanitej të gjallëve.
[Figurat në faqen 26]
Disa tradita të vjetra, si vënia e dorës përpara kur të hapet goja dhe dhënia e luleve atyre që janë në zi, e kanë humbur domethënien e parë