Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Rreziqet e dhjamosjes
Siç raporton The Independent e Londrës, është treguar se shtimet e jashtëzakonshme të rasteve me diabet, sëmundje të zemrës dhe sëmundje të tjera janë pasojë e «epidemisë së dhjamosjes, që ka pushtuar Evropën». Duke folur në një mbledhje të specialistëve në fushën e shëndetësisë, nga 26 vende, të mbajtur në Milano të Italisë, drejtuesi i International Obesity Task Force tha: «Kjo është një krizë mbarëbotërore dhe tani kërkohen veprime urgjente për ta parandaluar këtë epidemi të heshtur që po shkakton sëmundje të rënda dhe shpenzime gjithnjë e më të mëdha në shëndetësi. Nëse nuk veprojmë, do të gjendemi përballë një katastrofe shëndetësore.» Kjo epidemi përfshin të gjitha vendet evropiane dhe në disa pjesë është prekur 40 deri në 50 për qind e popullsisë. Qysh nga viti 1980, përqindja e personave të dhjamosur në Angli është rritur nga 8 në 20 për qind për gratë dhe nga 6 në 17 për qind për burrat. Mes shkaqeve të dhëna përfshihen mënyrat sedentare të jetesës dhe një dietë më e yndyrshme, që të dyja këto të lidhura me rritjen e mirëqenies. Ajo që të shqetëson më tepër është numri i fëmijëve që janë mbi peshë. Sipas profesorit Jaap Zaidel, president i Shoqatës Evropiane për Studimin e Dhjamosjes, «ka shenja se një përqindje akoma më e madhe e brezit të ardhshëm po bëhet e dhjamosur dhe mbi peshë në një moshë të vogël».
E keqja e globalizimit
Globalizimi ekonomik, siç thuhet në gazetën britanike The Guardian, po krijon një treg botëror që siguron mundësi më të mëdha për shumë njerëz, por ai, gjithashtu, po i shton rreziqet. Ndërvarësia e kombeve në ekonominë botërore të sapoformuar bën të mundur që një ngjarje në dukje e veçuar—si zhvlerësimi i bahtit tailandez më 1997—të shkaktojë panik financiar në mbarë botën. «Tridhjetë vjet më parë,—vëren The Guardian,—hendeku midis të mirave materiale që zotëronte një e pesta e botës, e përbërë nga njerëzit më të pasur dhe asaj që zotëronte një e pesta e popullsisë e përbërë nga njerëzit më të varfër, ishte në raportin 30 me 1. Rreth vitit 1990 hendeku ishte rritur në raportin 60 me 1 dhe sot ky raport është 74 me 1. Midis atyre që kanë përfituar më shumë nga globalizimi janë kriminelët, të cilët mund të shfrytëzojnë tani tregjet anembanë botës për drogë, armë dhe prostituta.»
A mund ta shmangni të ftohurën?
Mund të mos arrijmë ta shmangim gjithnjë të ftohurën, por, siç thotë The New York Times, mund të marrim disa masa parandaluese. Ndër më të rëndësishmet janë: të shmangim turmat sa të jetë e mundur dhe të përpiqemi të mos u japim dorën njerëzve që duket qartë se janë të ftohur. Veç kësaj, të mos fërkojmë sytë e hundën dhe t’i lajmë duart shpesh. Këto masa parandaluese janë të dobishme, sepse duart shpesh i kalojnë viruset e të ftohtit në membranat delikate të syrit dhe të hundës. Viruset e të ftohtit që ndodhen mbi ndonjë sipërfaqe ose mbi duar mund të mbeten aktive për disa orë, dhe një person që është i ftohur mund t’ua ngjitë sëmundjen të tjerëve edhe disa kohë para dhe pas periudhës kur shenjat e sëmundjes janë të dukshme. Masa të tjera parandaluese përfshijnë të mbajmë një dietë të ekuilibruar dhe të jemi veçanërisht të kujdesshëm kur kemi përreth fëmijë. Përse? Sepse ata marrin pesë deri në tetë infeksione të ftohti në vit!
Shëndeti mendor në Afrikë
«Afro 100 milionë persona nga popullsia 600-milionëshe e Afrikës Subsahariane vuajnë nga çrregullime mendore»,—njofton gazeta e Afrikës së Jugut The Star. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lufta dhe varfëria janë përgjegjëset kryesore për këtë shifër të lartë. Një faktor që lidhet me këtë është mbështetja financiare gjithnjë e më e pakët brenda rrethit familjar. Sipas profesorit Majkëll Olatavura nga Nigeria, ky «rrjet tradicional sigurie i Afrikës» po gërryhet nga standardet Perëndimore, nga abuzimi me drogën dhe nga dhuna civile. Veç kësaj, pjesëtarët e familjeve po udhëtojnë shumë larg shtëpisë për të gjetur punë. «Problemet ekonomike të qeverive afrikane kanë penguar aftësinë tonë për të dhënë ndihmë shëndetësore ashtu siç duhet»,—thotë profesor Olatavura.
Sixhade me disenjo lufte
Siç thuhet në gazetën e Meksikos The News, në Afganistan tmerret e luftës po shfaqen në një formë të pazakontë arti. Gjatë 20 vjetëve të fundit, artizanet afganase kanë endur pamje të mjeteve të luftës në sixhadet e tyre të famshme. Mes motiveve tradicionale të zogjve, xhamive dhe luleve mund të shihen motive mitralozësh, granatash dore dhe tankesh të blinduara. Një specialist për sixhadet, Beri O’Konel, thotë se ndonëse motivet nuk dallohen
gjithmonë menjëherë, shumë disenjo kanë «një ikonografi kaq të saktë», saqë shpesh mund të «dallosh kallashnikovin AK-47 nga ai AK-74». Thuhet se shumica e endëseve të sixhadeve janë gra që janë viktima të luftës. Për to, thurja e këtyre sixhadeve unike është një mënyrë e hollë për të shprehur ndjenjat.Shi i ndotur
Siç raportohet në revistën New Scientist, nivelet e larta të pesticideve të tretura e kanë bërë një pjesë të ujit të shiut në Evropë të papërshtatshëm për t’u pirë. Kimistët në Zvicër kanë zbuluar se mostrat e shiut, të marra gjatë minutave të para të një rrebeshi, shpesh përmbajnë pesticide në nivele më të larta sesa ato që konsiderohen të pranueshme qoftë nga Bashkimi Evropian, qoftë nga Zvicra. Përgjegjëse për këtë janë spërkatjet e të mbjellave, dhe përqendrimi më i lartë i këtyre substancave kimike helmuese shfaqet qartë në rrebeshin e parë që bie pas një periudhe të gjatë thatësire. Ndërkohë, studiuesit suedezë e kanë lidhur shtimin e shpejtë të rasteve me limfomë limfoide (një formë kanceri) me përdorimin e përhapur të disa lëndëve për spërkatjen e të mbjellave. Substancat kimike që pengojnë rritjen e bimësisë mbi materialet që përdoren për ndërtimin e çative, ndotin, gjithashtu, ujin e shiut, që rrjedh nga ndërtesat.
Vdekje të lidhura me bujqësinë
Siç thuhet në gazetën The Times të Londrës, në fermat e Britanisë vritet më shumë se një person në javë, gjë që e bën punën në fermë një nga punët më të rrezikshme në vend. Në vitin 1998, viktima më e vogël, vetëm 4 vjeç, mbeti i vrarë poshtë rrotave të një traktori, dhe përmbysja e traktorëve në vende të pjerrëta shkaktoi edhe shtatë vdekje të tjera. Fermerët po paralajmërohen që të mendohen mirë para se të ndërmarrin punë të rrezikshme, si edhe të kontrollojnë gjendjen para se ta ngasin traktorin në vende të pjerrëta. Deivid Mati, kryeinspektor i bujqësisë në një organizëm britanik për sigurinë në punë (Health and Safety Executive), tha: «Shumica e këtyre tragjedive do të ishin shmangur, nëse personi do ishte ndalur për një moment, do kishte menduar me kujdes për punën dhe do e kishte kryer atë pakëz më ndryshe.»
Burime të pazakonta energjie
▪ Ishulli Uveá në Kaledoninë e Re nuk ka naftë, por atje, siç thuhet në revistën franceze Sciences et avenir, po përdoret vaji i arrës së kokosit, për të prodhuar elektricitet. Inxhinieri francez Alan Lienar harxhoi 18 vjet për të krijuar një motor që punon me vaj arre kokosi. Motori vë në punë një gjenerator, i cili, nga ana e tij, furnizon me energji një impiant shkripëzimi që u siguron ujë të pijshëm 235 familjeve të ishullit. Lienar thotë se sistemi i tij 165-kilovatësh konkurron me motorët dizel, për sa i përket prodhimit të energjisë dhe konsumimit të karburantit.
▪ Ndërkohë, në një eksperiment të kryer në fshatin Kalali të shtetit Gujarati në Indi, është shfrytëzuar fuqia e qeve për të prodhuar elektricitet. Në revistën Down to Earth të Delhit të Ri thuhet se një shkencëtari dhe mbesës së tij u lindi një ide për të prodhuar energji. Katër qe rrotullojnë një bosht të lidhur me një kuti shpejtësie që vë në punë një gjenerator të vogël. Gjeneratori është i lidhur me disa bateri, të cilat furnizojnë me energji një pompë uji dhe një mulli drithi. Kostoja e njësisë së kësaj energjie, siç thuhet në Down to Earth, është rreth dhjetë cent, në krahasim me 1 dollar për njësi duke përdorur turbinat me erë ose 24 dollarë për njësi duke përdorur panele diellore. Por, meqë fshatarët kanë nevojë që qetë të punojnë në fusha për tre muaj të vitit, ata që merren me këtë projekt po kërkojnë ndonjë mënyrë të efektshme për të ruajtur energjinë, që të përdoret gjatë mungesës së qeve.
Ngrënie e ekuilibruar
Mesatarisht, vajzat zgjaten 25 centimetra dhe shtojnë 18 deri në 22 kile ndërmjet moshës 10 dhe 14 vjeç, ndërsa djemtë zgjaten rreth 30 centimetra dhe shtojnë 22 deri në 27 kile ndërmjet moshës 12 dhe 16 vjeç. Gjatë kësaj periudhe rritjeje të shpejtë, nuk është e pazakontë që adoleshentët të ndihen mjaft në siklet për peshën e tyre dhe shumë nisin të merakosen se si ta mbajnë nën kontroll atë. «Por mbajtja e dietës dhe kufizimi i sasisë së ushqimit nuk janë zgjidhje të mira për shëndetin dhe nuk rekomandohen»,—shkruan dietologia Lin Roblin në gazetën The Toronto Star. Këto masa, siç vëren Roblin, mund ta privojnë trupin nga lëndët ushqyese. Gjithashtu, eksperimentimi me dietat «u çel rrugën zakoneve të këqija në të ngrënë dhe mund të çojë në çrregullime më të rënda të të ushqyerit». Ajo vëren se adoleshentët duhet të kenë një pikëpamje më realiste për pamjen e tyre dhe të arrijnë një peshë të shëndetshme «duke ngrënë në mënyrë të ekuilibruar, duke pasur një mënyrë jetese aktive dhe duke qenë të kënaqur për veten».