Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Transfuzionet e gjakut​—Një histori e gjatë polemikash

Transfuzionet e gjakut​—Një histori e gjatë polemikash

Transfuzionet e gjakut​—Një histori e gjatë polemikash

«Nëse rruazat e kuqe të gjakut do të ishin sot një ilaç i ri, do të ishte shumë e vështirë që të jepej leja për përdorimin e tyre.»​—Dr. Xhefri MekKëllou.

NË DIMRIN e vitit 1667, një të çmendur të dhunshëm që quhej Antuan Morua e çuan te Zhan-Batist Denisi, mjeku i shquar i mbretit Luigj XIV i Francës. Denisi kishte «kurën» ideale për maninë e Moruasë: transfuzion me gjak viçi, që, siç mendonte ai, do të kishte efekt qetësues mbi pacientin e tij. Por gjërat nuk vajtën mirë për Moruanë. Vërtet, pas një transfuzioni të dytë, gjendja e tij u përmirësua. Por shpejt francezin e mbërtheu përsëri çmenduria dhe pas pak kohësh vdiq.

Edhe pse më pas u përcaktua se Morua vdiq faktikisht nga helmimi me arsenik, eksperimentet e Denisit me gjak kafshësh ndezën një polemikë të ashpër në Francë. Përfundimisht, në vitin 1670, procedura u shpall e ndaluar. Me kalimin e kohës, parlamenti anglez e madje edhe papa bënë të njëjtën gjë. Gjatë 150 vjetëve pasuese, transfuzionet e gjakut thuajse nuk njiheshin.

Rreziqet e hershme

Në shekullin e 19-të, transfuzionet e gjakut dolën prapë në skenë. Në krye të këtij rigjallërimi ishte një mjek obstetër anglez, i quajtur Xhejms Blandel. Me teknikat e përmirësuara dhe me instrumentet e përparuara, si edhe me këmbënguljen e tij që të përdorej vetëm gjak njeriu, Blandel i vuri përsëri transfuzionet e gjakut në qendër të vëmendjes.

Por në vitin 1873, F. Gezelius, një mjek polak, zbuloi diçka frikësuese që e ngadalësoi rigjallërimin e transfuzioneve: më shumë se gjysma e transfuzioneve të kryera kishin përfunduar me vdekje. Pasi morën vesh këtë gjë, shumë mjekë me emër filluan ta dënonin publikisht kryerjen e kësaj procedure. Popullariteti i transfuzioneve u venit sërish.

Pastaj, në vitin 1878, mjeku francez Zhorzh Ajem krijoi solucionin fiziologjik, i cili mund të shërbente si një zëvendësues i gjakut. Ndryshe nga gjaku, solucioni fiziologjik nuk kishte efekte anësore, nuk mpiksej dhe ishte e kollajshme të transportohej. Natyrisht, solucioni fiziologjik i Ajemit nisi të përdorej gjerësisht. Mirëpo, për çudi, pas pak opinioni filloi të mbante përsëri anën e gjakut. Përse?

Në vitin 1900, patologu austriak Karl Landshtainer zbuloi ekzistencën e grupeve të gjakut dhe gjeti se një grup gjaku nuk përputhet gjithnjë me një tjetër. Nuk ishte për t’u habitur që aq shumë transfuzione në të kaluarën kishin përfunduar me tragjedi! Tani kjo gjë mund të ndryshohej, thjesht duke u siguruar që grupi i gjakut të dhuruesit përputhej me atë të marrësit. Me këtë njohuri u përtëri besimi i mjekëve te transfuzionet dhe kjo pikërisht para Luftës I Botërore.

Transfuzionet e gjakut dhe Lufta

Gjatë Luftës I Botërore, ushtarëve të plagosur u bëheshin me shumicë transfuzione. Sigurisht, gjaku mpikset me shpejtësi dhe më parë do të kishte qenë thuajse e pamundur që ai të transportohej në fushat e betejës. Por aty nga fillimi i shekullit të 20-të, dr. Riçard Ljuison, i Spitalit Mali Sinai në Nju Jork Siti, kishte eksperimentuar me sukses me një antikoagulant të quajtur citrat natriumi. Disa mjekë e konsideronin këtë zbulim emocionues si një mrekulli. «Ishte gati-gati sikur ta kishe bërë diellin të ndalej në vend»,​—shkruante dr. Bertram M. Bernhaim, mjek i shquar i asaj kohe.

Lufta II Botërore u shoqërua nga një rritje e kërkesës për gjak. Publiku bombardohej me afishe që përmbanin slogane të tilla, si: «Jepni gjak tani», «Gjaku juaj mund ta shpëtojë atë» dhe «Ai e dha gjakun e tij. Ju a do ta jepni tuajin?». Thirrjes për gjak iu përgjigjën shumë njerëz. Gjatë Luftës II Botërore, në Shtetet e Bashkuara u dhuruan rreth 13.000.000 njësi gjaku. Është llogaritur se në Londër u mblodhën dhe u shpërndanë rreth 260.000 litra. Sigurisht, transfuzionet e gjakut mbartnin një sërë rreziqesh shëndetësore, siç u bë shpejt e qartë.

Sëmundje të transmetuara nëpërmjet gjakut

Pas Luftës II Botërore, një sërë përparimesh të mëdha në fushën e mjekësisë bënë të mundur disa ndërhyrje kirurgjikale që më parë ishin të paimagjinueshme. Si rezultat u krijua një industri mbarëbotërore që nxirrte fitime prej miliarda dollarësh në vit. Ajo siguronte gjakun për transfuzione, të cilat mjekët nisën t’i konsideronin si procedurën standarde të operacioneve.

Shpejt, ama, doli në plan të parë shqetësimi për sëmundjet që lidheshin me transfuzionin. Gjatë luftës së Koresë, për shembull, afro 22 për qind e njerëzve që u ishte bërë transfuzion me plazmë gjaku kishin marrë hepatitin, pra gati trefishi i përqindjes së atyre që ishin infektuar gjatë Luftës II Botërore. Rreth viteve 70, Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA llogaritën se numri i vdekjeve nga hepatiti që ishte marrë me anë të gjakut ishte rreth 3.500 në vit. Disa burime të tjera llogaritën se kjo shifër ishte dhjetë herë më e lartë.

Në sajë të ekzaminimeve më të mira dhe të përzgjedhjes më të kujdesshme të dhuruesve, numri i të infektuarve me hepatit B u pakësua. Por, pas kësaj, një virus i ri e disa herë vdekjeprurës, i cili shkaktonte hepatitin C, mori shumë jetë njerëzish. Është përllogaritur se këtë virus e morën katër milionë amerikanë, disa qindra mijë prej të cilëve nëpërmjet transfuzioneve të gjakut. Natyrisht, më vonë, kontrollet rigoroze e zvogëluan përhapjen e hepatitit C. Prapëseprapë, disa kanë frikë se do të shfaqen rreziqe të reja dhe se kjo gjë do të kuptohet vetëm kur të jetë tepër vonë.

Një tjetër skandal: Gjak i infektuar me HIV

Në vitet 80 u zbulua se gjaku mund të infektohet me HIV, me virusin që shkakton SIDA-n. Në fillim punonjësit e Qendrave të Konservimit të Gjakut nuk donin ta merrnin në konsideratë faktin që rezervat e tyre mund të ishin të infektuara. Në fillim shumë prej tyre e pritën kërcënimin e HIV-it me skepticizëm. Sipas dr. Brus Evat, «ishte sikur dikush, pasi qe endur nëpër shkretëtirë t’u thoshte: ‘Kam parë një jashtëtokësor.’ Ata e dëgjuan, por thjesht nuk e besuan këtë gjë».

Megjithatë, nga një vend në tjetrin shpërthyen shumë skandale, të cilat dëshmonin për infektimin e gjakut me HIV. Është llogaritur se prej transfuzioneve që ishin bërë nga viti 1982 deri në vitin 1985, në Francë ishin infektuar me HIV 6.000 deri në 8.000 njerëz. Transfuzionet e gjakut konsiderohen përgjegjëse për 10 për qind të infektimeve me HIV në mbarë Afrikën dhe për 40 për qind të rasteve me SIDA në Pakistan. Sot, në sajë të metodave të përmirësuara të ekzaminimit, transmetimi i HIV-it nëpërmjet transfuzioneve të gjakut ndodh rrallë në vendet e zhvilluara. Megjithatë, transmetimi i këtij virusi vazhdon të jetë një problem në vendet në zhvillim, ku proceset e ekzaminimit nuk mund të kryhen.

Është e qartë se përse vitet e fundit është rritur interesimi për mjekësinë dhe kirurgjinë pa gjak. Por, a është kjo një alternativë e sigurt?

[Kutia në faqen 6]

Transfuzionet e gjakut: Asnjë standard mjekësor

Çdo vit, vetëm në Shtetet e Bashkuara përdoren 11.000.000 njësi me rruaza të kuqe gjaku, për t’u bërë transfuzion 3.000.000 pacientëve. Duke pasur parasysh këtë numër të madh, mund të mendohet se mjekët kanë një standard të përpiktë, kur bëhet fjalë për t’u futur gjak pacientëve. Megjithatë, një revistë mjekësore (The New England Journal of Medicine) vëren se ekzistojnë çuditërisht pak të dhëna «që drejtojnë marrjen e vendimeve rreth transfuzioneve». Në fakt, ka një larmi të madhe praktikash, jo vetëm në lidhje pikërisht me atë që transfuzohet dhe në çfarë sasie, por edhe në lidhje me faktin nëse duhet bërë apo jo një transfuzion. «Bërja e transfuzionit varet nga mjeku, jo nga pacienti»,​—thuhet në revistën mjekësore Acta Anæsthesiologica Belgica. Duke pasur parasysh këto gjëra, nuk është aspak për t’u habitur që një studim i botuar në The New England Journal of Medicine zbulonte se «afro 66 për qind e transfuzioneve të bëra nuk kanë qenë të nevojshme».

[Figurat në faqen 5]

Lufta II Botërore u shoqërua nga një rritje e kërkesës për gjak

[Burimet]

Muzeu Perandorak i Luftës, Londër

Foto të Arkivave Kombëtare të SHBA-së