Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është ndonjëherë e justifikuar të gënjesh?

A është ndonjëherë e justifikuar të gënjesh?

Pikëpamja e Biblës

A është ndonjëherë e justifikuar të gënjesh?

«NJË ÇIKË PASAKTËSI TË SHPËTON DISA HERË NGA NJË MAL SHPJEGIMESH.»

KY KOMENT tregon atë çka mendojnë shumë njerëz për gënjeshtrën. Arsyetimi i tyre është se të gënjesh nuk është diçka e gabuar, nëse kjo gjë s’i bën dëm ndokujt. Ky arsyetim ka madje edhe një emër akademik: etika e momentit, e cila thotë se i vetmi ligj që duhet ndjekur është i ashtuquajturi ligj i dashurisë. Me fjalë të tjera, siç shpjegon autorja Diana Komp, «nëse motivacioni yt është i drejtë dhe nëse qëllimet e tua janë të drejta, (atëherë) fakti që gënjyet . . . nuk është ndonjë gjë e madhe».

Kjo pikëpamje është e zakonshme në botën e sotme. Skandale që kanë të bëjnë me gënjeshtra të thëna nga politikanë të shquar dhe udhëheqës të tjerë botërorë kanë tronditur shoqërinë. Të ndikuar nga kjo klimë, shumë njerëz janë bërë më tolerantë ndaj gënjeshtrës. Në disa fusha, gënjeshtra është bërë madje mënyra zyrtare e të vepruarit. «Unë paguhem që të gënjej. Fitoj gara shitjesh dhe marr çdo vit lavdërime që më ngrenë në qiell, në qoftë se gënjej . . . . Kjo duket se është kudo thelbi i asaj që të mësojnë para se të bësh shitje me pakicë»,​—ankohet një shitëse. Shumë veta mendojnë se faktikisht nuk ka asnjë të keqe në të ashtuquajturat gënjeshtra të vogla të padëmshme. A është kështu? A ka raste kur mund të jetë e justifikuar që të krishterët të gënjejnë?

Standardi i lartë i Biblës

Bibla dënon me forcë çdo lloj gënjeshtre. ‘[Perëndia] do të zhdukë gjithë ata që thonë gënjeshtra’,​—deklaron psalmisti. (Psalmi 5:6; shiko Zbulesën 22:15.) Në Fjalët e urta 6:16-19, Bibla radhit shtatë gjëra që janë të neveritshme për Jehovain. «Gjuha gënjeshtare» dhe «dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra» zënë një vend të dukshëm në këtë listë. Përse? Sepse Jehovai e urren dëmin që shkakton gënjeshtra. Kjo është një arsye për të cilën Jezui e quajti Satanain gënjeshtar dhe vrasës. Gënjeshtrat e tij e zhytën njerëzimin në vuajtje dhe në vdekje.​—Zanafilla 3:4, 5; Gjoni 8:44; Romakëve 5:12.

Se sa serioze e konsideron Jehovai gënjeshtrën, del në pah nga ajo që i ndodhi Ananisë dhe Safirës. Ata të dy gënjyen me qëllim apostujt, duke u përpjekur haptazi që të dukeshin më bujarë nga ç’ishin në të vërtetë. Veprimi i tyre qe i qëllimshëm dhe i paramenduar. Prandaj, apostulli Pjetër deklaroi: «Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!» Për këtë arsye, ata vdiqën që të dy nga dora e Perëndisë.​—Veprat 5:1-10.

Vite më vonë, apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Mos gënjeni njëri-tjetrin.» (Kolosianëve 3:9) Kjo porosi është veçanërisht jetësore brenda kongregacionit të krishterë. Jezui tha se dashuria e bazuar në parime do të ishte shenja dalluese e ithtarëve të tij të vërtetë. (Gjoni 13:34, 35) Një dashuri e tillë johipokrite mund të rritet dhe të lulëzojë vetëm në një ambient sinqeriteti dhe mirëbesimi të plotë. Është e vështirë ta duam një person, nëse s’mund të kemi besim se ai do të na thotë gjithnjë të vërtetën.

Ndërkohë që të gjitha gënjeshtrat janë të qortueshme, disa janë më të rënda se të tjerat. Dikush, për shembull, mund të gënjejë nga turpi ose nga frika. Një tjetër mund ta ketë bërë zakon që të gënjejë me ligësi, për të dëmtuar ose për të lënduar. Për shkak të motiveve keqdashëse, ky person që gënjen me paramendim përbën një rrezik për të tjerët dhe nëse nuk pendohet, përjashtohet nga kongregacioni. Duke qenë se jo të gjitha gënjeshtrat nxiten nga keqdashja, duhet pasur kujdes që të mos i dënojmë kot të tjerët, por të sigurohemi se i njohim të gjithë faktorët që përfshihen në rastin kur dikush ka thënë një gënjeshtër. Duhen marrë parasysh motivet dhe rrethanat lehtësuese.​—Jakobit 2:13.

«Të kujdesshëm si gjarpërinjtë»

Sigurisht, të jemi të sinqertë nuk do të thotë që jemi të detyruar t’i zbulojmë çdo informacion kujtdo që na pyet. «Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos . . . kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë»,​—paralajmëroi Jezui në Mateun 7:6. Për shembull, individët me synime të liga mund të mos kenë fare të drejtë që të dinë disa gjëra. Të krishterët e kuptojnë se po jetojnë në një botë armiqësore. Prandaj, Jezui i këshilloi dishepujt e vet që të jenë «të kujdesshëm si gjarpërinjtë», ndërkohë që qëndrojnë «të pafajshëm si pëllumbat». (Mateu 10:16, BR; Gjoni 15:19) Jezui nuk e zbuloi gjithnjë tërë të vërtetën, veçanërisht në ato raste kur zbulimi i të gjitha fakteve mund ta kishte dëmtuar më kot atë vetë ose dishepujt e tij. Prapëseprapë, edhe në këto raste, ai nuk gënjeu. Në vend të kësaj, zgjodhi që ose të mos fliste fare, ose të ndërronte bisedë.​—Mateu 15:1-6; 21:23-27; Gjoni 7:3-10.

Burrat dhe gratë besnike që përmenden në Bibël të tillë, si: Abrahami, Isaku, Rahaba dhe Davidi, ishin, po ashtu, të matur e të kujdesshëm kur kishin të bënin me armiq të mundshëm. (Zanafilla 20:11-13; 26:9; Jozueu 2:1-6; 1. Samuelit 21:10-14) Bibla i përshkruan këta burra e gra si adhurues besnikë, jeta e të cilëve karakterizohej nga bindja. Kjo gjë i bën ata të denjë për t’u imituar.​—Romakëve 15:4; Hebrenjve 11:8-10, 20, 31, 32-39.

Ndoshta ka raste kur gënjeshtra mund të duket rruga më e lehtë. Por të krishterët sot bëjnë mirë të imitojnë mënyrën si veproi Jezui dhe të ndjekin ndërgjegjen e tyre të stërvitur sipas Biblës kur hasin situata veçanërisht të vështira.​—Hebrenjve 5:14.

Bibla na inkurajon të themi të vërtetën dhe të jemi të ndershëm. Është e gabuar të gënjesh, dhe duhet të ndjekim këshillën e Biblës: «Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet.» (Efesianëve 4:25) Duke vepruar kështu, do të mbajmë një ndërgjegje të pastër, do të nxitim paqen e dashurinë në kongregacion dhe do të vazhdojmë të nderojmë «Perëndinë e së vërtetës».​—Psalmi 31:5; Hebrenjve 13:18.

[Figura në faqen 20]

Anania dhe Safira humbën jetën, ngaqë gënjyen