Baballarët—Përse po zhduken?
Baballarët—Përse po zhduken?
«Nuk i mbaj mend mamin dhe babin duke u grindur a duke bërë fjalë. Gjithçka që kujtoj është se babi ishte atje, dhe pastaj një ditë—bum!—nuk ishte më. Edhe sot e kësaj dite nuk e di se ku është babi. Di që nuk ndiej asgjë për të.»—Brus.
«Isha e vetmja nga gjithë fëmijët në shkollë që s’kisha dy prindër dhe që nuk jetoja në një familje . . . Gjithmonë më dukej sikur bija në sy. Gjithmonë më dukej vetja shumë e ndryshme nga moshatarët e mi.»—Patricia.
KRIZA e familjeve pa baba i ka rrënjët në revolucionin industrial. Dora-dorës që punët në fabrika filluan t’i tërhiqnin burrat larg shtëpisë, ndikimi i babait në familje filloi të binte; me rritjen e fëmijëve nisën të merreshin më shumë mamatë. * Megjithatë, shumica e baballarëve qëndruan me familjet e tyre. Por në mesin e viteve 60, përqindja e divorceve në Shtetet e Bashkuara filloi të rritej në mënyrë të jashtëzakonshme. Pengesat fetare, ekonomike dhe sociale për divorcin nisën të rrëzohen. Të nxitur nga këshillat e të vetëquajturve ekspertë, të cilët thoshin se divorci jo vetëm që nuk i dëmtonte fëmijët, por faktikisht mund të ishte i dobishëm për ta, një numër rekord çiftesh vendosën të divorcoheshin. Në librin Divided Families—What Happens to Children When Parents Part (Familje të copëtuara: Ç’ndodh me fëmijët kur prindërit ndahen?), nga Frank F. Furstenberg i Riu dhe Andre J. Çerlin, thuhet: «[Që nga vitet 60] përqindjet [e divorcit] në Belgjikë, Francë dhe Zvicër janë dyfishuar, ndërsa në Kanada, Angli dhe Holandë janë trefishuar.»
Ndonëse pas një divorci fëmijët qëndrojnë zakonisht me nënën, shumica e baballarëve që largohen duan të mbajnë lidhje me fëmijët. Kujdestaria e përbashkët është një zgjidhje e përhapur. Megjithatë, shumica e baballarëve të divorcuar mbajnë pak lidhje me fëmijët. Nga një anketë u zbulua se vetëm 1 fëmijë në 6 e shikon çdo javë babanë e tij ose të saj pas divorcit. Gati
gjysma e fëmijëve nuk e kishin parë babanë për një vit të tërë!Dështimi i kujdestarisë së përbashkët
Kujdestaria e përbashkët kërkon nga çiftet e divorcuara bashkëpunim dhe mirëbesim të jashtëzakonshëm, cilësi që shpesh janë me pakicë. Studiuesit Furstenberg dhe Çerlin shprehen në këtë mënyrë: «Një arsye kryesore për të cilën baballarët nuk i vizitojnë më fëmijët është që ata nuk duan të kenë të bëjnë fare me ish-gratë e tyre. Po ashtu, shumë gra kanë të njëjtin qëndrim karshi ish-burrave të tyre.»
Është e vërtetë se shumë baballarë të divorcuar i vizitojnë rregullisht fëmijët. Por duke qenë se nuk janë të përfshirë më në jetën e përditshme të fëmijëve, për disa është e vështirë të sillen si baballarë kur janë me ta. Shumë zgjedhin rolin e shokut të lojës, duke e kaluar thuajse tërë kohën së bashku me zbavitje ose duke bërë pazar. Katërmbëdhjetëvjeçari Adi i përshkruan kështu vizitat e fundjavës tek i ati: «Nuk ka asnjë orar të përcaktuar, s’ka gjëra të tilla, si: ‘Rreth pesë e gjysmës të jesh në shtëpi’. Nuk ka kufizime. Je i lirë. Gjithashtu, babi më blen gjithnjë dhurata.»—How It Feels When Parents Divorce, nga Xhil Kremenc.
Një baba i dashur duhet të ‘dijë t’u japë dhurata të mira bijve të tij’. (Mateu 7:11) Por dhuratat nuk e zëvendësojnë drejtimin dhe disiplinën e nevojshme. (Fjalët e urta 3:12; 13:1) Kur dikush e shkëmben rolin e prindit me atë të shokut të lojës ose të mysafirit, nuk ka dyshim që marrëdhënia baba-fëmijë do të dëmtohet. Nga një studim u nxor ky përfundim: «Divorci mund ta prishë njëherë e mirë marrëdhënien baba-fëmijë.»—Journal of Marriage and the Family, maj 1994.
Të lënduar dhe të mërzitur ngaqë nuk janë më pjesë e jetës së fëmijëve të tyre, ose ndoshta duke qenë thjesht indiferentë, disa burra i braktisin familjet e tyre, duke mos dhënë mbështetjen e nevojshme financiare. * (1. Timoteut 5:8, BR) «Nuk më vjen ndër mend ndonjë gjë nga babai që të më pëlqejë,—thotë gjithë hidhërim një adoleshent.—Ai nuk bën pjesë fare në jetën tonë, nuk na mbështet për as edhe një gjë dhe mendoj se kjo është e neveritshme.»
Prindër të pamartuar
Numri rekord i lindjeve të paligjshme ka bërë që të shtohet më shumë se kurrë numri i fëmijëve pa baba. «Sot rreth një e treta e të gjitha lindjeve në [Shtetet e Bashkuara] janë jashtë martese»,—thuhet në librin Fatherless America (Amerika pa baballarë). Nga afro 500.000 foshnjat që lindin çdo vit prej grave të moshës 15 deri në 19-vjeçare, 78 për qind janë të adoleshenteve të pamartuara. Megjithatë, shtatzënia e adoleshenteve është një problem mbarëbotëror. As programet që japin udhëzime për përdorimin e kontraceptivëve ose që rekomandojnë përmbajtjen nuk ia kanë dalë ta ndryshojnë sjelljen seksuale të adoleshentëve.
Libri Teenage Fathers (Baballarë adoleshentë), nga Brajan E. Robinson, shpjegon: «Për shkak të qëndrimeve më liberale të shoqërisë kundrejt seksit dhe shtatzënisë paramartesore, shtatzënia jashtë martese nuk shoqërohet më me turp dhe nuk është më një njollë, ashtu si
gjatë viteve 60 . . . . Gjithashtu, të rinjtë e sotëm bombardohen vazhdimisht me gjëra që i tërheqin ndaj seksit nëpërmjet reklamave, muzikës, filmave dhe televizionit. Mediat amerikane u tregojnë adoleshentëve se marrëdhëniet seksuale janë romantike, emocionuese dhe ngacmuese, pa treguar asnjëherë pasojat e vërteta të sjelljes seksuale spontane dhe të papërgjegjshme.»Shumë të rinj duket se janë krejtësisht të pavetëdijshëm për pasojat e marrëdhënieve të paligjshme seksuale. Vëreni disa nga komentet që dëgjoi autori Robinson: « ‘Ajo nuk dukej nga ato [që mbeten shtatzëna]; ‘Kishim marrëdhënie seksuale vetëm një herë në javë’ ose ‘Nuk mendoja se mund të ngeleshe shtatzënë që me herën e parë.’ » Sigurisht, disa të rinj e dinë fare mirë që marrëdhëniet seksuale mund të çojnë në shtatzëni. Në librin Young Unwed Fathers (Baballarë të rinj të pamartuar) vërehet: «Për shumë djem [të qendrës së qytetit], marrëdhëniet seksuale janë një simbol i rëndësishëm i pozitës shoqërore në zonën e tyre; kështu, fitoret seksuale konsiderohen si arritje. Shumë vajza i ofrojnë marrëdhëniet seksuale si dhuratë në shkëmbim të vëmendjes së një të riu.» Në disa grupe të rinjsh të qendrës së qytetit, një djalë që nuk është bërë baba i një fëmije mundet, madje, ta vënë në lojë se është «i virgjër».
Tabloja bëhet akoma më e zymtë kur vëren rezultatet e një studimi të vitit 1993, të kryer në Kaliforni me vajza të moshës shkollore që janë bërë nëna. Nga ky studim del se dy të tretat e vajzave kishin ngelur shtatzëna jo nga të dashur adoleshentë, por nga burra të moshës mbi 20 vjeç. Në fakt, disa studime tregojnë se shumë nëna adoleshente të pamartuara janë viktima të marrëdhënieve seksuale kur ishin të mitura, ose madje edhe të abuzimit në fëmijëri. Ky shfrytëzim kaq i përhapur zbulon se sa e sëmurë dhe e degjeneruar është bërë shoqëria e kohëve moderne.—2. Timoteut 3:13.
Pse djemtë largohen?
Djemtë adoleshentë që bëhen baballarë rrallë marrin përgjegjësi afatgjata për pasardhësit e tyre. Ja si u shpreh një djalë, e dashura e të cilit ngeli shtatzënë: «I thashë ‘Mirupafshim’.» Gjithsesi, siç theksohet në një artikull në Family Life Educator, «shumica e baballarëve të rinj shprehin një dëshirë të madhe për të pasur marrëdhënie të ngushtë me fëmijët». Sipas një studimi me baballarë të rinj të pamartuar, 70 për qind i vizitonin fëmijët e tyre një herë në javë. «Megjithatë,—vërehet në artikull,—ndërsa fëmijët rriten, numri i vizitave pakësohet.»
Një baba 17-vjeçar e përmblodhi arsyen për të cilën ndodh kështu, duke thënë: «Sikur ta kisha ditur se sa e vështirë do të ishte, nuk do kisha lejuar kurrë që të ndodhte kjo gjë.» Pak të rinj kanë pjekurinë emocionale ose përvojën për të përballuar kërkesat e të qenët prind. Shumë nuk kanë as arsimimin ose aftësitë e nevojshme për të gjetur një punë, që të sigurojnë jetesën. Për të mos përballuar turpin e dështimit, shumë të rinj thjesht i braktisin fëmijët e tyre. «Jeta ime është një lëmsh i vërtetë»,—thotë një baba i ri. Një tjetër ankohet: «Unë mezi sa kujdesem për veten; nuk e di çfarë do të bëja sikur të duhej të kujdesesha edhe për [tim bir].»
Rrush i thartë
Në kohët biblike, hebrenjtë kishin një fjalë të urtë: «Rrushin e thartë e hëngrën prindërit, por thartinë e provuan fëmijët.» (Ezekieli 18:2, Today’s English Version) Perëndia u tha hebrenjve se nuk duhej të ishte ashtu, pra që gabimet e së kaluarës nuk duheshin përsëritur në të ardhmen. (Ezekieli 18:3) Gjithsesi, miliona fëmijë sot duket se po provojnë hidhërimin e ‘rrushit të thartë’ të prindërve, domethënë, po paguajnë për papjekurinë, papërgjegjësinë dhe dështimin e martesës së prindërve të tyre. Studimet tregojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se fëmijët që rriten pa baba janë të ekspozuar ndaj një numri të madh rreziqesh fizike dhe emocionale. (Shiko kutinë në faqen 7.) Veçanërisht pikëllues është fakti që mungesa e baballarëve trashëgohet nga një brez në tjetrin, duke krijuar kështu një cikël të pandërprerë dhimbjesh e vuajtjesh.
A janë të dënuara të dështojnë familjet pa baba? Aspak. Në fakt, lajmi i mirë është se prirja që numri i familjeve pa baba të vazhdojë të rritet, mund të ndalet. Në artikullin vijues do të trajtohet se si.
[Shënimet]
^ par. 4 Është interesante që në Shtetet e Bashkuara, para industrializimit, udhëzuesit për rritjen e fëmijëve u drejtoheshin në përgjithësi baballarëve, jo nënave.
^ par. 10 Sipas studiuesve Sara MekLanahan dhe Geri Sandefur, në Shtetet e Bashkuara «rreth 40 për qind e fëmijëve që teorikisht i përmbushin kushtet për të pasur një mbështetje financiare, nuk kanë fare [një vendim gjyqi] për të marrë shpërblim dhe çereku i atyre që e kanë nuk marrin asgjë. Më pak se një e treta e fëmijëve e marrin tërë shumën që meritojnë».
[Kutia dhe figura në faqen 7]
RREZIQET E RRITJES PA BABA
Rritja pa baba mbart rreziqe serioze për fëmijët. Ndonëse për disa mund të jetë e dhimbshme të shqyrtojnë informacionin e mëposhtëm, të kesh dijeni për rreziqet është hapi i parë për të parandaluar ose të paktën për të minimizuar dëmin. Le të mbajmë parasysh, gjithashtu, se studimet statistikore u aplikohen grupeve dhe jo individëve. Shumë fëmijë rriten në familje pa baba duke mos përjetuar asnjë nga këto probleme. Siç do tregohet në artikullin përmbyllës, ndërhyrja prindërore dhe zbatimi i parimeve biblike mund të bëjë shumë për t’i lehtësuar këto vështirësi të mundshme. Shqyrtoni, pra, disa nga rreziqet e mundshme që mund të ndeshë një fëmijë pa baba.
▪ Rreziqe më të mëdha për abuzim seksual
Studimet tregojnë qartë se mungesa e babait e shton rrezikun e abuzimit seksual me fëmijët. Një studim zbuloi se nga 52.000 raste të abuzimit me fëmijët, «72 për qind përfshinin fëmijë që jetonin në familje ku mungonte njëri ose të dy prindërit biologjikë». Në librin Fatherless America thuhet : «Në shoqërinë tonë, rreziku në rritje për abuzim seksual në fëmijëri e ka burimin kryesisht te mungesa gjithnjë e më e madhe e baballarëve të martuar dhe te prania gjithnjë e më e madhe e njerkëve, e të dashurve dhe e meshkujve të tjerë të përkohshëm ose që nuk kanë lidhje familjare.»
▪ Rrezik më i madh për sjellje seksuale të parakohshme
Duke qenë se në një familje me prind të vetëm ka të ngjarë që të ketë më pak mbikëqyrje prindërore, të rinjtë shpesh kanë më shumë mundësi për t’u përfshirë në sjellje imorale. Një faktor mund të jetë edhe stërvitja më e pakët prindërore. «Vajzat që rriten pa baba ka dy herë e gjysmë më shumë mundësi që të mbeten shtatzëna»,—thotë Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Sociale i SHBA-së.
▪ Varfëri
Nga një studim me vajza zezake adoleshente në Afrikën e Jugut u arrit në përfundimin se varfëria është një pasojë e zakonshme e të qenët prind pa u martuar. Siç thonë autorët e studimit, «në rreth 50% të rasteve ka fare pak mundësi që adoleshentja të kthehet në shkollë». Shumë nëna të pamartuara përfundojnë në vorbullën e prostitucionit dhe të trafikut të drogës. Në vendet Perëndimore situata mund të mos jetë më e mirë. Në Shtetet e Bashkuara, «[në vitin 1995] 10 për qind e fëmijëve që jetonin në familje me dy prindër ishin në varfëri, në krahasim me 50 për qind të fëmijëve që jetonin në familjet ku ishin kryefamiljare gratë».—America’s Children: Key National Indicators of Well-Being 1997.
▪ Lënie pas dore
Të detyruar për t’ia dalë mbanë vetë, disa prindërve të vetëm ua zënë frymën përgjegjësitë dhe nuk janë në gjendje të kalojnë kohë aq sa duhet me fëmijët. Një e divorcuar kujton: «Ditën punoja dhe natën shkoja në shkollë, me një fjalë rraskapitesha. Përfundimisht lashë pas dore fëmijët.»
▪ Dëm emocional
Ndryshe nga ç’pohojnë disa ekspertë, pra që fëmijët e marrin veten shpejt pas një divorci, studiuesit, si dr. Xhudit Uolërstain, kanë zbuluar se divorci lë plagë të pashlyeshme emocionale. «Më shumë se një e treta e të rinjve dhe e të rejave të moshës nga nëntëmbëdhjetë deri në njëzetenëntëvjeç kanë pak ose asnjë pikësynim dhjetë vjet pas divorcit të prindërve të tyre. Ata enden në jetë pa synime të caktuara . . . dhe duke u ndjerë të pambrojtur.» (Second Chances, nga dr. Xhudit Uolërstain dhe Sandra Bleiksli) Te shumë fëmijë që kishin përjetuar divorcin e prindërve u vërejt respekt i pakët për veten, dëshpërim, sjellje kriminale dhe inat i vazhdueshëm.
Në librin The Single-Parent Family thuhet: «Studime të panumërta tregojnë se djemtë që rriten pa shembullin e një burri në jetën e tyre, shfaqin pasiguri rreth identitetit të tyre si meshkuj, respekt të pakët për veten dhe më vonë kanë probleme në krijimin e marrëdhënieve të ngushta në jetë. Problemet që mund të lindin te vajzat, ngaqë rriten pa pasur shembullin e një burri, zakonisht nuk bëhen të dukshme deri në adoleshencë ose më vonë dhe një ndër këto probleme është vështirësia për të krijuar marrëdhënie të suksesshme mashkull-femër në moshë madhore.»