Familje pa baba—Si të ndalet kjo prirje?
Familje pa baba—Si të ndalet kjo prirje?
NËSE vazhdohet sipas prirjeve të sotme, familjet pa baba së shpejti do të jenë një normë. Në një raport të Departamentit të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Sociale të SHBA-së thuhet: «Fëmijët e rritur nga një prind i vetëm kanë prirjen të marrin nota më të ulëta, kanë më shumë probleme me sjelljen dhe kanë më shumë probleme kronike shëndetësore e çrregullime mendore. . . . Ata që rriten në një familje ku nëna është prindi i vetëm ka më shumë rrezik që të kenë fëmijë në adoleshencë, që të lënë shkollën [dhe] që të futen në burg.»
S’është për t’u çuditur, pra, që punonjësit socialë, këshilluesit familjarë, arsimtarët e madje edhe politikanët kërkojnë me ngut mënyra për ta ndalur këtë prirje shkatërrimtare. Janë organizuar mitingje të mëdha, vetëm me burra, për të nxitur krenarinë e të qenët baba dhe për të forcuar angazhimin e burrave në familje. Në treg kanë vërshuar libra që nxitin ndjenjën e atësisë. Janë bërë përpjekje për t’i detyruar baballarët që të kujdesen për përgjegjësitë e tyre. Në Shtetet e Bashkuara «baballarët që s’plotësojnë detyrimet» janë ndëshkuar nga gjykatësit, janë sulmuar nëpërmjet emisioneve televizive dhe, madje, janë bërë objekt i poshtërimit publik. Megjithatë, këto përpjekje kanë sjellë fare pak rezultate.
Zgjidhje të çastit
Një zgjidhje e çastit mund të sjellë, po ashtu, rezultate jo të sigurta. Për shembull, një grua e divorcuar mund të rimartohet shpejt e shpejt, duke shpresuar t’u japë fëmijëve të vet një baba të ri. Por, ndonëse mund të ketë avantazhet e veta, rimartesa mund të sjellë probleme. Fëmijët disa herë kundërshtojnë të pranojnë dikë tjetër si babanë e tyre. Nganjëherë ata nuk e pranojnë kurrë. Nga një studim u zbulua se «afro dy të tretat e vajzave që banonin në familje me njerk ishin larguar nga shtëpia para moshës 19-vjeçare . . . , në krahasim me 50% të vajzave në shtëpitë e paprekura nga ky problem». Madje edhe në familjet e suksesshme me njerk, disa herë duhet të kalojnë vite, përpara se fëmijët ta pranojnë njerkun. *
Ngjashëm, nuk ka zgjidhje të çastit për problemin e shtatzënisë së adoleshenteve. Aborti, për shembull, dhunon ligjin e Perëndisë dhe kërkon që një vajzë e re ta ndrydhë dhembshurinë e butë për jetën e vockël që po zhvillohet brenda saj. (Eksodi 20:13; 21:22, 23; Psalmi 139:14-16; krahaso 1. Gjonit 3:17.) Si mund të mos lërë kjo gjë vraga emocionale? Shumë njerëz e konsiderojnë dhënien e fëmijës për adoptim si një zgjidhje më humane, por edhe kjo mund të lërë vraga emocionale, si te nëna, ashtu edhe te fëmija.
Jo, zgjidhjet e çastit nuk do ta ndërpresin ciklin e familjeve pa baba. Prirjet e sotme në familje mund të ndalen vetëm nëse njerëzit janë të Efesianëve 3:14, 15) Ai e di më mirë nga kushdo tjetër se për çfarë kanë nevojë fëmijët.
gatshëm të bëjnë ndryshime thelbësore në mënyrën e tyre të të menduarit, në qëndrime, në sjellje dhe në normat e tyre morale. Për t’i motivuar njerëzit që të bëjnë ndryshime të tilla të mëdha duhet diçka më shumë se fjalimet pompoze dhe psikologjia për masat e gjera. Kjo «diçka më shumë» gjendet në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Në fund të fundit, është vetë Perëndia ai që krijoi institucionin e familjes. (Parimet biblike i ndihmojnë familjet t’ia dalin mbanë
Por a mund t’i ndihmojë me të vërtetë Bibla fëmijët që s’e kanë njërin nga prindërit? A nuk janë dëmtuar ata në mënyrë të pandreqshme? Jo, aspak. Në fillim të këtij artikulli cituam një raport të qeverisë së SHBA-së, që numëronte shumë nga rreziqet që ndeshin këta fëmijë. Pavarësisht nga fjalët e zymta, raporti përfundonte: «Me gjithë dëshmitë këmbëngulëse për ekzistencën e rreziqeve më të mëdha, studimet tregojnë, gjithashtu, se shumica e fëmijëve në familjet me prind të vetëm zhvillohen normalisht.» Vërtet, pasojat e mungesës së babait mund të eliminohen ose të paktën mund të minimizohen. Kjo arrihet sidomos nëse në rritjen e fëmijëve zbatohen parimet biblike.
Kjo gjë kërkon shumë punë nga ana e prindit të vetëm—një perspektivë që fillimisht mund të duket dërrmuese. Por nëse gjendesh në këtë situatë, mund të mësosh të mbështetesh plotësisht te Perëndia Jehova. (Fjalët e urta 3:1, 2) Disa gra të krishtere në kohët biblike përjetuan situata pikëlluese të tilla, si vejëria. Në lidhje me to, Bibla thotë: «Ajo që është me të vërtetë e ve, dhe ka mbetur e vetme [në skamje, BR], e ka shpresën në Perëndinë dhe qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë.» (1. Timoteut 5:5) Të mos harrojmë se Jehovai e quan veten ‘baba i jetimëve’. (Psalmi 68:5) Mund të jemi të sigurt se ai do ta mbështetë një grua me druajtje Perëndie në përpjekjet e saj për të rritur fëmijët.
Drejtimi i një studimi të rregullt familjar të Biblës me fëmijët është një mënyrë thelbësore për t’i ndihmuar ata që të bëhen të rritur të ekuilibruar e të pjekur. (Ligji i përtërirë 6:6-9) Shumë prindër të vetëm mes Dëshmitarëve të Jehovait përdorin botime të bazuara në Bibël, të bëra posaçërisht për të rinjtë, siç është libri T ë rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike. * Informacioni që gjendet aty i ndihmon të rinjtë të zhvillojnë standarde morale që mund t’i ndihmojnë të mos bëjnë gabimet e prindërve të tyre. Dora-dorës që njohin Perëndinë Jehova, fëmijët mund të fillojnë të kuptojnë se kanë një Atë qiellor që interesohet thellësisht për ta. (Psalmi 27:10) Kjo mund t’ua bëjë më të lehtë të përballojnë ndjenjën e braktisjes. Një vajzë nga Britania, e cila përjetoi ndarjen e prindërve, kujton: «Mes gjithë asaj që kaluam, mami rrënjosi tek unë nevojën për t’u lutur dhe për t’u mbështetur plotësisht te Jehovai. Kjo bëri të mundur që t’ia dilnim mbanë.»
Mbajtja e lidhjes prind-fëmijë
Bibla e bën të qartë se një fëmijë duhet të nderojë si nënën, ashtu edhe babanë. (Eksodi 20:12) Dhe divorci nuk e thyen lidhjen baba-fëmijë. Ndonëse ish-bashkëshorti mund të mos jetojë më në shtëpi, fëmijët mund të përfitojnë ende duke pasur një marrëdhënie të ngrohtë me të. * Problemi është që mamaja mund të ndihet e zemëruar me të dhe të ketë zët që ai shoqërohet me fëmijët. Si mund t’i përballojë mamaja këto ndjenja?
Bibla jep një këshillë të dobishme kur thotë: «Ki kujdes që tërbimi të mos të joshë në [veprime] keqdashëse. . . Ruaju të mos i kthehesh asaj që është e dëmshme.» (Jobi 36:18-21, BR) Natyrisht, s’është e lehtë t’i flasësh me mirësjellje dikujt që të ka lënduar ose të ka braktisur. Por, pyetni veten: «A mund të mësojë një vajzë që të ketë besim te një burrë, nëse i është thënë vazhdimisht se sa i keq është i ati? A mundet një djalë të zhvillojë një personalitet të qëndrueshëm e burrëror, nëse qortohet me fjalët ‘Je tamam si yt atë’? A mund të kenë fëmijët një pikëpamje të shëndetshme për autoritetin, nëse u është mësuar ta përçmojnë babanë ose nëse janë nxitur që të mos e takojnë fare?» Është e qartë se minimi i marrëdhënies që kanë fëmijët me babanë është diçka e dëmshme.
Mund të habiteni po të mësoni që Bibla nuk e dënon indinjimin e drejtë. «Zemërohuni,—thotë Bibla,—dhe [megjithatë] mos mëkatoni.» (Efesianëve 4:26) Mëkat nuk është të jesh i zemëruar, por të jesh i kontrolluar nga ‘furia, zemërimi, e keqja, i foluri fyes’. (Kolosianëve 3:8, BR) Prandaj, mos e sulmoni me fjalë babanë e fëmijëve në sy të tyre. Nëse ndieni nevojën për të shprehur mërzinë tuaj, ndiqni sugjerimin e Biblës për ta ndarë ‘shqetësimin’ me dikë—përveç fëmijëve tuaj—ndoshta me një mike të besuar. (Fjalët e urta 12:25) Përpiquni të ruani një qëndrim pozitiv dhe mos jetoni me të shkuarën. (Predikuesi 7:10) Kjo mund t’ju ndihmojë shumë për ta zbutur zemërimin.
Së fundi, mos harroni se Bibla e urdhëron një fëmijë që ta respektojë babanë e vet, madje edhe nëse sjellja e babait nuk ka qenë shembullore. (Efesianëve 6:2, 3) Prandaj, përpiquni t’i ndihmoni fëmijët që t’i shikojnë me objektivitet të metat e babait. Një vajzë e re që është rritur në një familje me prindër të ndarë thotë: «Duke e parë me objektivitet babanë—si një njeri të papërsosur që gabon—kam arritur më në fund të shkoj mirë me të.» Duke i inkurajuar fëmijët që të respektojnë babanë, ju i ndihmoni të zhvillojnë një pikëpamje të shëndetshme për autoritetin tuaj prindëror.
Është e rëndësishme edhe që të mos e mjegulloni dallimin mes rolit të prindit dhe atij të fëmijës. Ata janë ende nën ‘ligjin e nënës së tyre’. (Fjalët e urta 1:8, BR) Djemtë mund të ndihen të rënduar nëse prej tyre pritet të jenë ‘burri i shtëpisë’. Po ashtu, vajzat mund të ndihen të mbingarkuara, nëse u duhet të jenë në rolin e të besuarës së mamasë. Fëmijët kanë nevojë të sigurohen se ju, prindi, do të kujdeseni për ta dhe jo e anasjellta. (Krahaso 2. Korintasve 12:14.) Kjo garanci mund t’i bëjë të ndihen të sigurt, edhe pse situata e tyre familjare nuk është ideale.
Zëvendësues të baballarëve
Po në rast se babai nuk është fare pjesë e familjes? Specialistët thonë se fëmijët mund të nxjerrin dobi nga shoqëria e burrave të tjerë. Ndërkohë që interesimi i dashur që tregon një dajë a një fqinj për fëmijën mund të sjellë disa dobi, fëmija do të përfitojë, veçanërisht, nga shoqëria e shëndetshme me burra të tjerë brenda kongregacionit të krishterë. Jezui premtoi se kongregacioni do të ishte si një familje që të mbështet.—Marku 10:29, 30.
Në kohët biblike, Timoteu i ri u rrit dhe u bë një njeri i shquar i Perëndisë, pa pasur mbështetjen e një babai besimtar. Bibla ia jep një pjesë të madhe të meritës për këtë gjë mamasë së tij të dashur dhe gjyshes. (Veprat 16:1; 2. Timoteut 1:1-5) Megjithatë, ai pati dobi edhe nga shoqëria me një burrë të krishterë—me apostullin Pavël. Pavli e quante Timoteun «biri im i dashur dhe besnik në Zotin». (1. Korintasve 4:17) Ngjashëm sot, Dëshmitarët e Jehovait inkurajohen që t’i kushtojnë vëmendje këshillës së Biblës ‘për t’u kujdesur për jetimët dhe të vejat’. (Jakobit 1:27, BR) Ata nxiten që ta ‘çlirojnë jetimin’, duke treguar interes të sinqertë e të ekuilibruar për këta fëmijë. (Jobi 29:12) Një vajzë e re, e quajtur Aneta, kujton interesimin e shëndetshëm që tregonte një plak kongregacioni për të, kur ishte e vogël, duke thënë: «Ai ishte shembulli i vetëm e i vërtetë i babait në jetën time.»
Si të ndalet prirja?
Këto parime mund t’i ndihmojë fëmijët pa baba që t’ia dalin mbanë. Me gjithë fëmijërinë e tyre të vështirë, ata mund të bëhen të rritur të ekuilibruar e të frytshëm, si edhe prindër të dashur, besnikë dhe të përkushtuar. Gjithsesi, të parandalosh është më mirë se të kurosh. Dhe, në fund të fundit, prirja që numri i familjeve pa baba të vazhdojë të rritet mund të ndalet vetëm nëse burrat e gratë angazhohen për ta zbatuar Biblën në jetën e tyre. Këtë mund ta bëjnë duke iu përmbajtur ndalimit që i bën Bibla marrëdhënieve seksuale para martese dhe duke ndjekur standardet e përcaktuara në Bibël për bashkëshortët e bashkëshortet.—1. Korintasve 6:9; Efesianëve 5:21-33.
Në ditët e sotme, shumë fëmijë i kanë baballarët në shtëpi, por, prapëseprapë, mund të quhen fëmijë pa baba. Ja ç’thotë një specialist i çështjeve familjare: «Problemi më i madh që hasin . . . fëmijët sot është koha dhe vëmendja e pakët që u kushtojnë prindërit.» Fjala e Perëndisë flet në mënyrë të drejtpërdrejtë për këtë çështje. Ajo i urdhëron baballarët lidhur me fëmijët e tyre: «Jepuni udhëzimet dhe korrigjimin që i përkasin rritjes së një të krishteri.» (Efesianëve 6:4, New English Bible; Fjalët e urta 24:27) Kur baballarët ndjekin këshillën e Biblës, fëmijët nuk kanë frikë se mos braktisen.
Megjithatë, a është realiste të besojmë se njerëzit do të pranojnë të udhëhiqen nga Bibla në një masë të madhe? Vështirë. (Mateu 7:14) Por nëpërmjet një programi studimi biblik në shtëpi, Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar miliona njerëz që të gjejnë lumturi në jetën e tyre familjare. * Sigurisht, Bibla paralajmëron se të gjitha çiftet e martuara do të përjetojnë «shtrëngim në mish», për shkak të papërsosmërisë. (1. Korintasve 7:28) Por ata që e respektojnë me të vërtetë Fjalën e Perëndisë përpiqen t’i zgjidhin problemet, jo të divorcohen sapo shfaqen vështirësitë. Duhet pranuar se ka raste kur mund të jetë me vend që një i krishterë të mendojë për ndarjen ose madje edhe për divorcin. (Mateu 5:32) Megjithatë, duke ditur ndikimin që mund të ketë kjo gjë te fëmijët e tij ose të saj, një i krishterë do të ndihet i nxitur të kërkojë mënyra për ta shpëtuar martesën, nëse kjo është e mundur.
Zbatimi i Biblës do të bëjë më shumë sesa ta shpëtojë familjen tuaj sot. Ai mund të bëjë të mundur që të gjithë në familje të jetoni përgjithmonë! Jezui tha: «Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Leximi dhe zbatimi i këshillave që gjenden në Fjalën e Perëndisë është një nga mënyrat më të mira për t’u siguruar që familja juaj do të qëndrojë e pacenuar përgjithmonë.
[Shënimet]
^ par. 5 Informacione për të ndihmuar njerkët dolën në numrin e 1 marsit 1999 të revistës sonë shoqëruese, Kulla e Rojës.
^ par. 11 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
^ par. 13 Kjo gjë nuk aplikohet në rastin kur ka rrezik që babai të abuzojë fizikisht ose seksualisht me fëmijën.
^ par. 24 Libri Sekreti i lumturisë familjare (botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.) përmban shumë këshilla të bazuara në Bibël, të cilat mund t’i ndihmojnë familjet. Ai mund të sigurohet duke u vënë në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.
[Figura në faqet 8, 9]
Duke ndjekur parimet e Biblës, një prind i vetëm mund të ketë sukses në rritjen e fëmijëve
[Figura në faqen 10]
Shpesh burrat e krishterë mund ta ‘çlirojnë jetimin’, duke treguar interes të sinqertë e të shëndetshëm për të