Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Provoni një palë «Të shpejta»!

Provoni një palë «Të shpejta»!

Provoni një palë «Të shpejta»!

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË TAIVAN

NGA fytyra e saj gjithë ëndje, duket qartë se vajzës së vogël po i shijon ushqimi. Në dorën e majtë ka një tas të mbushur plot e përplot me oriz, copa të vogla perimesh dhe peshk. Në dorën e djathtë ka një palë shkopinj të hollë bambuje. Duke përdorur shkopinjtë me gishtat e saj të veckël, vajza zgjedh copat që i pëlqejnë më shumë dhe i fut me kujdes në gojë. Nganjëherë ajo e ngre tasin deri afër gojës dhe me disa lëvizje të shpejta të shkopinjve kap orizin dhe e çon drejt e në gojë. Gjithçka duket krejt e natyrshme, e thjeshtë dhe e rregullt.

Ata që ka në dorë vajza e vogël janë, pa dyshim, shkopinjtë e famshëm. Në gjuhën kineze ata quhen k’uai tzu (Pin-jin, kuaizi), që do të thotë «të shpejtat». Sidoqoftë, ata gjenden thuajse në çdo shtëpi të Azisë Juglindore. Ndoshta jeni përpjekur t’i përdorni kur keni ngrënë në një restorant kinez. Por a e dini ku ka lindur ideja për shkopinjtë? Ose në ç’mënyrë dhe kur u përdorën ata për herë të parë? Veç kësaj, a ju pëlqen të dini se si t’i përdorni ashtu siç duhet?

«Të shpejtat»

Shkopinjtë që përdoren për të ngrënë janë shkopinj hollakë rreth 20 deri në 25 centimetra të gjatë. Gjysma e sipërme e shkopit shpesh ka formë katërkëndëshe. Kjo e bën më të lehtë për t’u mbajtur në dorë dhe nuk e lë të rrokulliset nëpër tavolinë. Gjysma e poshtme zakonisht është e rrumbullakët. Shpesh, shkopinjtë japonezë janë më të shkurtër dhe më me majuc se ata kinezë.

Në këto kohë të prodhimit në seri, shumë restorante sigurojnë shkopinj të paketuar qysh më parë, të cilët janë ende të bashkuar në pjesën e sipërme. Ai që do të hajë, duhet t’i ndajë nga njëri-tjetri para se t’i përdorë. Meqë janë për një përdorim të vetëm, këta shkopinj bëhen me dru të papunuar ose me bambu. Shkopinjtë që përdoren në institucione më të shtrenjta ose në shtëpi, shpesh janë mjaft të bukur, të bërë me bambu të lustruar, me dru të lyer me llak, me lëndë plastike, me inoks ose ndoshta edhe me argjend a fildish. Gjithashtu, mbi ta mund të jetë gdhendur ndonjë poezi ose mund të jenë zbukuruar me një pikturë.

Si t’i përdorim shkopinjtë?

Shumë nga ata që vizitojnë vendet orientale të tilla, si Kina dhe Japonia, mbeten të magjepsur kur shohin një fëmijë të vogël, ndoshta vetëm 2 vjeç, i cili ha me një palë shkopinj që duken jashtëzakonisht të mëdhenj. Sa hap e mbyll sytë, ajo që gjendet në tas kalon pjesë-pjesë në gojën e fëmijës. Duket vërtet e lehtë.

A ju pëlqen të provoni të përdorni një palë «të shpejta»? Në fillim mund t’ju duket e vështirë që t’i bëni shkopinjtë të lëvizin ashtu siç doni, por me pak praktikë kjo bëhet e lehtë dhe shkopinjtë bëhen si një zgjatim i dorës.

Shkopinjtë mbahen vetëm me një dorë, zakonisht me të djathtën. (Shiko ilustrimet në faqen 15.) Në fillim, mblidheni dorën si kupë, duke e mbajtur gishtin e madh veç të tjerëve. Vendoseni njërin shkop ndërmjet gishtit të madh dhe gishtave të tjerë, duke e mbështetur në fundin e gishtit tregues dhe në majën e gishtit të unazës. Pastaj vendoseni shkopin e dytë paralel me të parin dhe mbajeni me gishtin e madh, gishtin tregues dhe gishtin e mesit, ashtu siç do të bënit me një laps. Kapini fundet e shkopinjve qoftë edhe duke i trokitur mbi tryezë. Tani, duke e mbajtur shkopin e poshtëm të palëvizur, lëvizni të sipërmin, duke përkulur poshtë e lart gishtin tregues dhe gishtin e mesit. Praktikohuni derisa të arrini t’i bashkoni majat e shkopinjve pa vështirësi. Tani jeni gati t’i përdorni këto instrumente të zhdërvjellëta për të kapur çdo copë të shijshme që shërbehet në një ushqim kinez​—nga një kokërr e vetme orizi deri te veza e shkurtës! Shkopinjtë dhe ushqimi kinez përshtaten mirë me njëri-tjetrin, sepse zakonisht ushqimi është i ndarë në copa me madhësinë e një kafshate.

Si i bëhet për ato gatime në të cilat shërbehet një pulë e tërë, një patë e tërë ose pjesa e prapme e një derri, të pandara këto në pjesë të vogla? Zakonisht mishi gatuhet deri në atë masë sa mund të përdoren me lehtësi shkopinjtë për të shkëputur copëza sa një kafshatë. Shkopinjtë janë idealë për peshkun, i cili shpesh shërbehet i tërë. Në fakt, halat hiqen shumë më kollaj sesa me thikë e pirun.

Po kur hamë oriz? Nëse jemi në një rast joformal, mund ta marrim tasin e orizit me dorën e majtë, ta ngremë deri afër gojës dhe ta çojmë orizin me shkopinj nga tasi në gojë. Por, në një darkë ose drekë më formale, do ta kapim orizin me shkopinj nga pak çdo herë.

Po kur kemi supë, e cila është gjithmonë pjesë e një vakti kinez? Zakonisht na jepet një lugë porcelani. Por nëse supa përmban jufka, shuka brumi ose copa perimesh, mishi a peshku, përpiquni të përdorni shkopinjtë me dorën e djathtë, për të kapur ushqimin dhe lugën me dorën e majtë, për t’ju ndihmuar ta çoni në gojë.

Etiketa dhe shkopinjtë

Kur ju ftojnë për të ngrënë në një shtëpi kineze, është mirë që të jeni të vetëdijshëm për rregullat kineze të mirësjelljes në tryezë ose për etiketën. Në fillim, në mes të tavolinës vendosen disa pjata me ushqim. Pritni derisa i zoti i shtëpisë ose kreu i familjes të marrë shkopinjtë e vet dhe t’i lëvizë, për t’u treguar të gjithëve se mund të fillojnë. Ky është momenti i përshtatshëm që mysafirët të pranojnë ftesën, të marrin shkopinjtë e tyre dhe të nisin.

Ndryshe nga ç’është disa herë e zakonshme në Perëndim, ushqimet nuk përcillen nëpër tavolinë. Përkundrazi, të gjithë në tryezë marrin vetë për të ngrënë. Në një vakt familjar, është zakon që secili pjesëtar i familjes të përdorë shkopinjtë e tij ose të saj për të marrë nga pjata e përbashkët dhe ta futë ushqimin drejt e në gojë. Megjithatë, konsiderohet mungesë edukate të përplasësh buzët, të lëpish fundin e shkopinjve ose të kërkosh nëpër pjatë copën që preferon. Nënat në Lindje i mësojnë fëmijët që të mos e kafshojnë fundin e shkopinjve, jo vetëm ngaqë merakosen për higjienën, por edhe sepse kështu prishet pamja e shkopinjve.

Nga konsiderata për mysafirët, disa herë vihen edhe lugë për të shërbyer ushqimin ose shkopinj të tjerë shtesë. Këto përdoren për të marrë ushqim nga pjatat që janë në mes dhe për ta vënë në një pjatë tjetër ose në tasin tënd të orizit. Sidoqoftë, mos u fyeni nëse i zoti i shtëpisë përdor shkopinjtë e vet për të kapur një copë të zgjedhur dhe e vendos drejt e në tasin tuaj. Në fund të fundit, ai do që të sigurohet se mysafiri i tij i nderuar po merr copën më të mirë.

Konsiderohet mungesë edukate të tregosh diçka me shkopinj, ashtu siç është edhe për thikën dhe pirunin. Është po ashtu mungesë edukate të kapësh diçka tjetër, ndërkohë që i ke ende në dorë shkopinjtë. Prandaj, kur ju duhet të përdorni lugën e përbashkët ose të merrni një pecetë a një filxhan çaji, në fillim lini shkopinjtë. Shpesh për këtë qëllim sigurohen mbajtëse shkopinjsh të vogla e tërheqëse.

Kur mbaroni së ngrëni, vendosini shkopinjtë me kujdes, rehatohuni dhe pritni. Është mungesë edukate të largohesh nga tavolina para se të kenë mbaruar të gjithë. Edhe një herë, është i zoti i shtëpisë ose kreu i familjes ai që i jep fund vaktit duke u ngritur dhe duke i ftuar të gjithë që të largohen nga tavolina.

Tani që dini se si t’i përdorni, gjithçka që duhet të bëni është të merrni një palë shkopinj dhe të ushtroheni me to. Herën tjetër që dikush do t’ju ftojë në një restorant kinez ose në shtëpi për të ngrënë ndonjë gatim kinez, përse të mos provoni një palë «të shpejta»? Kjo mund të bëjë madje që ushqimi t’ju shijojë më shumë!

[Kutia dhe figura në faqen 14]

Pak nga historia e shkopinjve

Disa studiues kinezë mendojnë se shkopinjtë e parë janë përdorur jo për të ngrënë, por për të gatuar. Copëza të vogla ushqimi të pagatuar mbështilleshin me gjethe dhe shkopinjtë përdoreshin për të vënë guralecë të nxehtë në mbështjellëse. Kështu ushqimi mund të gatuhej pa u djegur kuzhinieri. Sipas historisë, më vonë shkopinjtë përdoreshin për të nxjerrë copa ushqimi nga tenxherja e gatimit.

Ka të ngjarë që shkopinjtë e hershëm të bëheshin me dru që s’kalbej ose me bambu. * Kjo është një arsye se përse është gati e pamundur të thuash me saktësi se kur u përdorën ata për herë të parë. Disa mendojnë se shkopinjtë përdoreshin në Kinë qysh në kohën e dinastisë Shang (rreth shekullit të 16-të deri në shekullin e 11-të p.e.s.). Një dokument historik që daton tamam pas kohës së Konfucit (551-479 p.e.s.) fliste për ‘cimbisje’ ushqimi nga supa, duke treguar kështu se përdoreshin shkopinj të ndonjë lloji.

Duket se aty nga fillimi i dinastisë Han (206 p.e.s. deri në 220 e.s.), ngrënia me shkopinj ishte bërë një traditë e përhapur. Në një varr të asaj periudhe që u gjet nga gërmimet arkeologjike në Çangsha të provincës së Hunanit, kishte një komplet artikujsh të llakuar që përdoreshin për të ngrënë, ku përfshiheshin edhe shkopinjtë.

Japonezët, koreanët, vietnamezët dhe popuj të tjerë në Lindje përdorin po ashtu shkopinjtë dhe kjo, në një masë të madhe, si rezultat i ndikimit të kulturës kineze.

[Shënimi]

^ par. 25 Në gjuhën e lashtë kineze, të dyja germat për të shkruar k’uai tzu (të shpejtat) paraqitnin bambunë, duke nënkuptuar se ky ishte materiali me të cilin bëheshin fillimisht shkopinjtë.

[Figurat në faqen 15]

Praktikimi të bën mjeshtër