‘Bota do të ishte ndryshe’
‘Bota do të ishte ndryshe’
Përpjekjet për të anuluar një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait, që u mbajt në Moskë gushtin e kaluar, tërhoqën shumë vëmendjen e njerëzve. (Për hollësi shiko faqet 27 dhe 28.) Andrei Zolotov i Riu, raportonte në The Moscow Times të 21 gushtit 1999 se «Vladimir Kozirev, zëvendësdrejtor i kompleksit sportiv, tha që administrata nuk ishte kundër mbajtjes së kongresit të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai tha se nuk e dinte prej nga vinte urdhri [për ta anuluar atë]».
Në një letër të botuar në The Moscow Times, një javë më pas, një lexues e përgëzonte gazetën për botimin e artikullit «vërtet të paanshëm» dhe thoshte se artikulli «meritonte me të vërtetë vëmendjen e lexuesve». Ai vërente: «Historia e vështirësive të jashtëzakonshme që hasën Dëshmitarët e Jehovait në përgatitjet për asamblenë e tyre vjetore [tregoi] trajtimin e padrejtë që u bëhet.»
Pastaj shkruesi i letrës vërente se Dëshmitarët e Jehovait «janë të mirënjohur në botë (e tani edhe në Rusi) . . . Ata janë . . . të mirënjohur si njerëz mjaft të këndshëm, dashamirës dhe të duruar, me të cilët është shumë e lehtë të merresh vesh, që nuk u bëjnë kurrë presion të tjerëve dhe që kërkojnë gjithmonë paqen në marrëdhëniet me njerëzit, pavarësisht nëse këta i përkasin fesë ortodokse, myslimane a budiste. Midis tyre nuk ka persona që marrin ryshfete, nuk ka pijanecë ose të droguar dhe arsyeja është shumë e thjeshtë: ata përpiqen të udhëhiqen nga bindjet e tyre të bazuara në Bibël, në gjithçka që bëjnë a që thonë. Në qoftë se të gjithë njerëzit në botë do të bënin, të paktën, përpjekje që të jetonin sipas Biblës, ashtu siç përpiqen Dëshmitarët e Jehovait, bota jonë e egër do të ishte krejtësisht ndryshe».
Autoritetet që i kanë hetuar Dëshmitarët e Jehovait dhe që i lidh drejtpërdrejt puna me ta janë dakord me përshkrimin e mësipërm. Këto autoritete, për shembull, u dhanë Dëshmitarëve lejet për të ndërtuar këtë Sallë të re e të bukur Asamblesh në Sh. Pjetërburg, Rusi. Në dedikimin e saj më 18 shtator të vitit të kaluar, salla ishte mbushur me 2.257 pjesëmarrës të gëzuar dhe 2.228 të tjerë e dëgjuan programin në Sallat e Mbretërisë në Sh. Pjetërburg e në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Solneknojen aty pranë.