Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një pikëpamje optimiste pavarësisht nga sëmundjet

Një pikëpamje optimiste pavarësisht nga sëmundjet

Një pikëpamje optimiste pavarësisht nga sëmundjet

TREGUAR NGA KONSTANTIN MOROZOV

Kur linda, më 20 korrik 1936, në trupin tim s’kishte asnjë kockë të zhvilluar, përveç kafkës dhe shtyllës kurrizore. Tërë skeleti im përbëhej nga kërce të dobëta, jo më të forta se kërci i veshit të një të rrituri. Peshoja më pak se një gjysmë kilogrami. Shenjat e vetme të jetës ishin një rrahje e dobët e zemrës, një frymëmarrje e lehtë dhe pak lëvizje.

UNË isha i shtati nga nëntë fëmijët e një familjeje, që jetonte në fshatin Sara, në Uljanovsk Oblast, në zemër të Rusisë. Kur nuk kisha veçse tri javë që kisha lindur, prindërit më çuan në kishë që të pagëzohesha. Prifti më spërkati nxitimthi me ujë dhe u tha prindërve të më çonin sa më parë që të ishte e mundur në shtëpi, pasi ai tha se do të vdisja brenda pak orëve.

Në janar 1937, prindërit më çuan në qytetin e Kazanit, kryeqyteti i republikës ruse të Tatarstanit, që të më shikonin disa specialistë. Në atë kohë, mund të thosha «mami», «babi» dhe «babushka» (gjyshe) dhe dija emrat e vëllezërve të mi. Pasi më ekzaminuan, mjekët u thanë prindërve se do të vdisja brenda një viti. Ata rekomanduan që t’i jepnin fund jetës sime dhe të ruhesha si provë në një enë qelqi, për t’u përdorur si një ndihmë pamore për studentët e mjekësisë. Sa mirënjohës u jam prindërve të mi të dashur, që refuzuan me vendosmëri!

Fëmijëri me vuajtje

Për aq sa mund të kujtoj, trupi im ka qenë vazhdimisht i dërrmuar nga dhimbjet. Megjithatë, edhe kur isha fëmijë, përpiqesha të mbaja një qëndrim mendor pozitiv dhe mundohesha të qeshja shpesh e ta gëzoja jetën. Ky është qëndrimi që kam ruajtur. Dalëngadalë, skeleti im u forcua dhe isha në gjendje të rrija ndenjur e të ecja nga pak këmbadoras. Nuk u rrita si fëmijët normalë dhe isha i deformuar keq. Por isha një studiues i zoti dhe që në moshën pesëvjeçare isha në gjendje të lexoja e të shkruaja.

Në maj të vitit 1941, mamaja më çoi në kishë për herë të dytë. Atje kishte disa njerëz e të gjithë ishin në gjunjë, duke u lutur. Një shërbëtore iu afrua mamasë për ta pyetur përse nuk ishte gjunjëzuar. Kur mamaja më nxori para saj, ajo shkoi të fliste me priftin. Kur u kthye, shërbëtorja na shoqëroi deri te dalja dhe i sugjeroi mamasë të më linte jashtë derës dhe të hynte vetëm. Ajo tha se për shkak të mëkateve të prindërve të mi, unë u isha dhënë atyre nga «i papastri». Mamaja u kthye në shtëpi me lot në sy. Unë mendova rreth kësaj për shumë kohë. Pyetja veten: «Kush është ky ‘i papastri’?»

Në vitin 1948, kur isha 12 vjeç, mamaja më çoi në fshatin Merenki, në Republikën Çuvashe, rreth 80 km larg nga shtëpia. Atje kishte burime ujërash termale dhe mamaja shpresonte se unë mund të kurohesha nga uji. Ndër kushtet e vëna nga priftërinjtë që unë të shërohesha, ishte edhe që s’duhej të haja për tri ditë. Gjithashtu, duhej të merrja kungimin në kishë. Edhe pse nuk kisha shumë besim te kisha, rashë dakord me kushtet. Për mua udhëtimi ishte i gjatë dhe i mundimshëm, por durova, duke u përpjekur ta mbaja veten të zënë me bukurinë e peizazhit.

Kisha ishte plot me njerëz. Ndërsa mamaja po më mbante mes turmës, një grua e moshuar më dha një sheqerkë. E mora dhe e futa në xhep. Kur më erdhi radha për të marrë kungimin, gruaja e moshuar bërtiti: «Atë, mos i jep kungim atij! Ai sapo hëngri një sheqerkë!» I shpjegova se sheqerkën e kisha në xhep, por prifti ulëriti: «Ti përbindësh i pafytyrë! Edhe gënjeshtrat të duhen? Nxirreni nga kisha!» Megjithatë, të nesërmen një prift tjetër kreu ritin e kungimit dhe më lau me ujë «të mrekullueshëm». Sidoqoftë, nuk pati asnjë mrekulli. Sëmundjet e mia mbetën.

Arritje intelektuale

Edhe pse isha me të meta të rënda fizike, gjatë viteve të adoleshencës kisha shumë synime akademike dhe intelektuale. Më 1956 u futa në Komsomol (Lidhja e të rinjve komunistë) dhe me kalimin e kohës u mësoja më të rinjve historinë e Komsomolit. Isha anëtar i Komisionit të Shtëpisë e Kulturës në një shtëpi për handikapatë, kur shërbeja, gjithashtu, edhe si drejtues i radios dhe folës.

Veç kësaj, isha bibliotekar i një biblioteke të lëvizshme me libra të incizuar për të verbrit dhe isha zgjedhur për të qenë anëtar i Komisionit Gjyqësor për Luftën kundër Abuzimit me Alkoolin. Gjithashtu, merrja pjesë në një klub artistësh amatorë, ku këndoja dhe u bija disa instrumenteve muzikore.

Në shtëpinë e handikapatëve

Në vitin 1957, kur isha 21 vjeç, sëmundjet fizike më detyruan të hyja në një shtëpi për handikapatë. Gjithsesi, s’kisha ndër mend të dorëzohesha. Në tetor 1963, u nisa për në Institutin e Kërkimeve Shkencore për Protezat në Moskë. Së fundi, atje iu nënshtrova 18 operacioneve për të drejtuar këmbët.

Fillimisht, m’i shtrinë mirë këmbët. Pastaj, tetë ditë më vonë, bëra një operacion. Pas tij, këmbët m’i vunë në allçi për t’i mbajtur në vend deri në operacionin tjetër. Infermierja qante, kur shihte se sa shumë vuaja.

Gjatë katër muajve që pasuan, mësova të ecja me paterica. Me to mund të ngrihem derisa të jem i gjatë afro një metër e dhjetë centimetra. Peshoj pak më shumë se 25 kg. Pasi u aftësova të ecja me paterica, u ktheva në shtëpinë e handikapatëve në vitin 1964. Mjerisht, kockat e dobëta të këmbëve nuk mundën të qëndronin nën peshën e trupit tim dhe shpejt u detyrova përsëri të vija vërdallë këmbadoras ose me ndihmën e një karrigeje me rrota. Karrigia me rrota është edhe sot e kësaj dite mjeti im kryesor për të lëvizur.

Në kishë nuk shkova kurrë më. Pohimi se kisha lindur nga «i papastri» vazhdonte të më mundonte në shpirt. I doja shumë nënën dhe babanë e thjesht s’mund ta pranoja se ata dhe Perëndia kishin faj për gjendjen time. U përpoqa ta përballoja situatën si burrat. Dëshiroja t’u bëja mirë të tjerëve dhe mbi të gjitha, t’i provoja vetes se edhe unë isha në gjendje ta bëja këtë.

Bëj një jetë të pavarur

Më 1970 u martova me Lidian, e cila ka qenë pjesërisht e paralizuar që nga vogëlia. Blemë një shtëpi të vogël, në të cilën jetuam për 15 vjet. Gjatë asaj periudhe, të dy punuam për të siguruar jetesën. Unë mësova të ndreqja orë dhe aparate të tjera të vogla e të imta.

Për ca kohë, përdora një qen të stërvitur për të kryer një sërë shërbimesh të vlefshme. Në fakt, bashkë me një stërvitës qensh shpikëm një pajisje të ndërtuar në mënyrë të veçantë. Kisha dy qen: njëri quhej Vulkan dhe tjetri Palma. Palma ishte një shok besnik për shumë vjet. Në dyqan, ajo kapte ushqimet për mua. E vetmja gjë që nuk i pëlqente të bënte, ishte të rrinte në radhë kur paguanim. Ajo mbante ndër dhëmbë kuletën time dhe në qaforen e saj kishte një grepçe të vogël për çantën e pazarit.

Në vitin 1973 mamaja ime u sëmur rëndë. Meqë unë isha gjithnjë në shtëpi, bashkë me gruan vendosëm ta merrnin që të jetonte me ne. Në atë kohë, babai dhe pesë nga vëllezërit e mi kishin vdekur, ndërsa tre nga fëmijët e tjerë të familjes jetonin në pjesë të tjera të Rusisë. Ndërkohë që mamaja jetonte me ne, u përpoqa të bëja ç’të mundja për të. Përfundimisht, ajo vdiq në moshën 85-vjeçare.

Në vitin 1978 vendosa të ndërtoja një mjet transporti për veten. Pasi kisha punuar me mjete të ndryshme ekperimentale, përfundova me një të përshtatshëm. Inspektoriati lokal shtetëror i automjeteve më lejoi të merrja një patentë dhe ta regjistroja mjetin tim. E quajta Osa (Grenzë). Bashkë me gruan i bëmë një rimorkio, që mund të mbante deri në 300 kilogramë. Të dy kishim mundësi të vinim vërdallë me të e të merrnin edhe ca gjëra me vete. Ky mjet i motorizuar na shërbeu deri në vitin 1985.

Rreth asaj kohe, u verbova nga syri i majtë, ndërsa shikimi i syrit të djathtë filloi të më keqësohej. Më pas, Lidia u sëmur nga zemra. Në maj të 1985-s, për shkak të kufizimeve tona, ishim të detyruar të transferoheshim në një shtëpi për handikapatë në qytetin Dimitrovgrad.

Përse jeta ime është kaq e lumtur tani?

Në verën e vitit 1990, Dëshmitarët e Jehovait vizituan shtëpinë tonë për handikapatë. Ajo që ata mësonin m’u duk shumë interesante. Ata më treguan fragmentin nga ungjilli i Gjonit për burrin që kishte lindur i verbër. Për të, Jezui tha: «As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar.» Më shpjeguan se ne e kemi trashëguar mëkatin dhe sëmundjet nga paraardhësi ynë Adami.​—Romakëve 5:12.

Megjithatë, mbi të gjitha, më la mbresë fakti që përfundimisht Perëndia do të shërojë të gjithë ata që fitojnë jetën nën Mbretërinë e Birit të tij, Jezu Krishtit, kur mbi tokë të rivendoset Parajsa. (Psalmi 37:11, 29; Luka 23:43; Zbulesa 21:3, 4) Lot gëzimi më rodhën në fytyrë dhe pëshpëritja: «Kam gjetur të vërtetën, të vërtetën, të vërtetën!» Studiova Biblën me Dëshmitarët e Jehovait për një vit dhe më 1991 u pagëzova në ujë në simbol të dedikimit tim ndaj Perëndisë Jehova.

Edhe pse zhvillova një dëshirë të fortë për t’i shërbyer Jehovait dhe për të predikuar rreth qëllimeve tij të mrekullueshme, ndesha një sërë pengesash. Më parë, s’kisha shumë nevojë për të lëvizur, por tani më duhej të dilja për të ndarë besimin tim me të tjerët. Territori im i parë për të predikuar ishte shtëpia jonë për handikapatë, ku jetonin më shumë se 300 veta. Për të qenë në kontakt me sa më shumë persona që të ishte e mundur, kërkova të më caktonin për të shërbyer në dhomën për punët e familjes.

Çdo mëngjes ulesha në vendin tim të punës dhe kujdesesha për caktimet e mia. Gjatë punës, kam bërë shumë miq të rinj, me të cilët kam biseda interesante për tema biblike. Disa prej tyre kanë pranuar libra dhe revista, të cilat i kanë ndihmuar të kuptojnë Biblën. Vizitorët janë mësuar që unë t’u lexoj nga Bibla dhe botimet e bazuara në Bibël. Në kohën e drekës, shpesh në dhomën ku jetojmë gruaja ime dhe unë ka aq shumë njerëz, sa askush tjetër nuk mund të hyjë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të krishtere nga kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait më kanë ndihmuar shumë në veprën e predikimit. Ata më sjellin literaturë biblike dhe kalojnë kohë me gruan time dhe me mua. Gjithashtu, më ndihmojnë për të vajtur në Sallën e Mbretërisë për mbledhjet e kongregacionit. Një Dëshmitar bleu një motoçikletë me kosh kastile për të më marrë me vete. Të tjerët që kanë makina, me gëzim vijnë e më marrin gjatë muajve të ftohtë të dimrit.

Falë kësaj ndihme të dashur, kam pasur mundësi të ndjek më se dymbëdhjetë kongrese ose seminare arsimuese të Dëshmitarëve të Jehovait. Kongresi im i parë ishte ai ndërkombëtar në Moskë, korrik 1993, ku pati një maksimum të pranishmish prej 23.743 vetash, nga më se 30 vende. Që të ndiqja atë grumbullim m’u desh një udhëtim gati 1.000 km. Që prej asaj kohe, s’kam humbur asnjë kongres të popullit të Jehovait.

Administrata e shtëpisë sonë për handikapatë ka respekt të madh për mua dhe për këtë u jam shumë mirënjohës. Edhe gruaja ime, Lidia, me të cilën kam jetuar në harmoni për 30 vjet, më mbështet e më ndihmon, edhe pse nuk ka pikëpamjen time fetare. Por mbi të gjitha, Jehovai më mbështet me dorën e tij të fuqishme e më siguron bekimet e tij të mrekullueshme. Jo shumë kohë më parë, më 1 shtator 1997, u emërova si pionier, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë të Dëshmitarëve të Jehovait.

Ka pasur disa raste në jetën time, kur zemra mund të më ishte ndalur e të kisha vdekur. Sa i lumtur jam tani që kjo s’ka ndodhur dhe kam arritur të njoh e të dua Burimin e jetës, Perëndinë Jehova! Dëshiroj të vazhdoj t’i shërbej atij bashkë me vëllezërit dhe motrat e mia frymore anembanë botës, deri kur zemra ime të vazhdojë të rrahë.

[Figura në faqen 20]

Me gruan time, Lidian

[Figura në faqen 21]

Duke mësuar një student në shtëpinë tonë për handikapatë