Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një shpresë e sigurt

Një shpresë e sigurt

Një shpresë e sigurt

POTHUAJSE 2.000 vjet më parë, Jezui, i quajtur shpesh njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, u dënua padrejtësisht me vdekje. Ndërsa ishte i varur në një shtyllë mundimi, një keqbërës që ishte varur pranë tij, tha duke u tallur: «Ti je Krishti, apo jo? Shpëto, pra, veten dhe ne.»

Në çast, një tjetër keqbërës, i cili ishte edhe ky i ekzekutuar, e qortoi atë njeri: «S’paske fare frikë nga Perëndia, tani që je nën të njëjtin gjykim? Dhe ne, në fakt, me të drejtë, sepse po marrim plotësisht atë që meritojmë për ato që kemi bërë, por ky njeri s’ka bërë asgjë të gabuar.» Pastaj, ai u kthye nga Jezui dhe iu lut: «Më kujto kur të vish në mbretërinë tënde.»

Jezui ia ktheu: «Me të vërtetë të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»​—Luka 23:39-43, BR.

Jezui kishte para tij një shpresë të mrekullueshme. Apostulli Pavël theksoi efektin e kësaj shprese për Jezuin, duke vërejtur: «Për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin [shtyllën e torturës, BR] duke e përçmuar fyerjen.»​—Hebrenjve 12:2.

Në «gëzimin» që iu vu përpara Jezuit, përfshihej edhe fakti se do të jetonte përsëri me Atin në qiell dhe së fundi do të shërbente si Sundimtar i Mbretërisë së Perëndisë. Për më tepër, ai do të kishte edhe gëzimin për t’u dhënë mirëseardhjen në qiell ithtarëve të tij të provuar e të besuar, që do të sundojnë bashkë me të si mbretër mbi tokën. (Gjoni 14:2, 3; Filipianëve 2:7-11; Zbulesa 20:5, 6) Çfarë donte të thoshte, pra, Jezui kur i premtoi keqbërësit të penduar se ai do të ishte në Parajsë?

Çfarë shprese kishte keqbërësi?

Ai njeri nuk kualifikohej për të sunduar me Jezuin në qiell. Ai nuk përfshihet mes atyre, të cilëve Jezui u tha: «Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia. Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im.» (Luka 22:28, 29) Megjithatë, Jezui premtoi se keqbërësi do të ishte në Parajsë me të. Si do të përmbushet ai premtim?

Burri dhe gruaja e parë, Adami dhe Eva, u vendosën nga Perëndia Jehova në Parajsë, një kopsht kënaqësie i quajtur Eden. (Zanafilla 2:8, 15) Edeni ishte në tokë dhe Perëndia kishte si qëllim që mbarë toka të ishte një parajsë. Megjithatë, Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë dhe u zbuan nga shtëpia e tyre e bukur. (Zanafilla 3:23, 24) Por Jezui zbuloi se Parajsa do të rivendoset dhe do të përfshijë mbarë tokën.

Kur apostulli Pjetër e pyeti Jezuin se çfarë shpërblimi do të merrte ai dhe apostujt e tjerë, ngaqë e kishin ndjekur, Jezui premtoi: «Në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone.» (Mateu 19:27, 28) Në mënyrë domethënëse, në tregimin e Lukës për këtë bisedë, në vend që të thuhet «në krijimin e ri», Jezui citohet të ketë thënë «në sistemin e gjërave që po vjen».​—Luka 18:28-30, BR.

Pra, kur Jezu Krishti të ulet në qiell në fronin e tij të lavdishëm, bashkë me ata që do të sundojnë me të, ai do të rivendosë një sistem të ri të drejtë. (2. Timoteut 2:11, 12; Zbulesa 5:10; 14:1, 3) Nëpërmjet sundimit qiellor të Krishtit, do të përmbushet qëllimi fillestar i Perëndisë që mbarë toka të jetë një parajsë!

Gjatë sundimit të kësaj Mbretërie, Jezui do të përmbushë premtimin që i bëri kriminelit, që vdiq përkrah tij. Ai do ta ringjallë dhe ai njeri do të bëhet një nënshtetas tokësor i Jezuit. Atëherë, keqbërësit do t’i jepet mundësia që të plotësojë kërkesat e Perëndisë dhe të jetojë përgjithmonë nën sundimin e Mbretërisë. Pa dyshim, ne mund të gëzojmë për perspektivën e bazuar në Bibël, për të jetuar përgjithmonë në Parajsë mbi tokë!

Jeta mund të ketë kuptim

Imagjinoni kuptimin që mund t’i japë jetës sonë një shpresë kaq e madhe. Ajo mund të ndihmojë në mbrojtjen e mendjes sonë nga rezultatet shkatërrimtare të mendimeve negative. Kjo shpresë u krahasua nga apostulli Pavël si një pjesë jetësore e armaturës sonë frymore. Ai tha se ne duhet të veshim «për përkrenare shpresën e shpëtimit».​—1. Thesalonikasve 5:8; Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.

Kjo shpresë të mban në jetë. Në Parajsën që do të vijë, vetmia do t’ua lërë vendin lotëve të gëzimit, ndërsa njerëzit e dashur e të çmuar kthehen përsëri në jetë nga «Perëndia që ringjall të vdekurit». (2. Korintasve 1:9) Atëherë, zhgënjimi i brishtësisë fizike, dhimbja dhe pamundësia për të lëvizur, do të harrohen, sepse «çalamani do të kërcejë si një dre». «Mishi [i një njeriu] do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë» dhe ai «do të kthehet në ditët e rinisë së tij».​—Isaia 35:6; Jobi 33:25.

Në atë kohë, kur «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë’», dëshpërimi i një sëmundjeje që s’të shqitet do të jetë thjesht një kujtim i zbehtë. (Isaia 33:24) Boshllëku i depresionit kronik do të kthehet në «një hare të përjetshme». (Isaia 35:10) Mungesa e shpresës nga një sëmundje fatale do të venitet bashkë me vdekjen vetë, armikun e lashtë të njerëzimit.​—1. Korintasve 15:26.

[Figurat në faqet 8, 9]

Mbajeni fort në mendje shpresën e mrekullueshme të botës së re të Perëndisë