Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Peshkaqeni i bardhë i madh nën sulm

Peshkaqeni i bardhë i madh nën sulm

Peshkaqeni i bardhë i madh nën sulm

Peshku më i madh mishngrënës në botë, peshkaqeni i bardhë i madh, është ndoshta gjallesa që u fut më shumë frikën njerëzve. Megjithatë, tani ai është një specie që mbrohet në të gjitha ose në një pjesë të ujërave që rrethojnë Australinë, Brazilin, Namibinë, Afrikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, si edhe në Detin Mesdhe. Edhe vende e shtete të tjera po mendojnë ta vënë nën mbrojtje. Po pse të mbrosh një vrasës me nam? Çështja, siç do ta shohim, nuk është kaq e thjeshtë. E as idetë e përhapura për peshkaqenin e bardhë nuk bazohen gjithnjë në fakte.

BASHKË me balenën vrasëse dhe kashalotin, peshkaqeni i bardhë i madh * ndodhet në krye të zinxhirit ushqimor detar. Në familjen e peshkaqenëve, ai është mbreti, superpeshkaqeni. Ai ha gjithçka: peshq, delfinë, madje edhe peshkaqenë të tjerë. Por dora-dorës që plaket, që zmadhohet e që bëhet më i ngathët, ai fillon të preferojë fokat, pinguinët e kërmat, sidomos balenat e ngordhura.

Për të përcaktuar vendndodhjen e ushqimit, shumica e peshkaqenëve përdorin të gjitha shqisat, duke përfshirë edhe shikimin e tyre të jashtëzakonshëm. Sa për shqisën e të nuhaturit, le të themi vetëm që metafora e një hunde notuese është më se e goditur. Akoma, veç kësaj, veshëve të tyre zor se u shpëton gjë, deri në atë pikë sa peshkaqenët mund të quhen edhe veshë notues.

Veshët e peshkaqenit ndihmohen nga qeliza të vendosura në çdo anë të trupit, të cilat janë të ndjeshme ndaj presionit. Asgjë nuk i shpëton këtij sistemi përgjimi, i cili është i familjarizuar veçanërisht me drithërimat e luftimit, si për shembull, një peshk që përpëlitet në fundin e shtizës. Prandaj, peshkatarët e nënujit që përdorin shtizën bëjnë mirë të tregojnë kujdes, duke e nxjerrë sa më shpejt nga uji peshkun e gjakosur që përpëlitet.

Peshkaqenët kanë edhe një shqisë të gjashtë. Falë ampulave të Lorencinit​—tubtha të vegjël të shpërndarë përreth hundës​—ata mund të diktojnë fushat e dobëta elektrike që krijohen nga rrahjet e zemrës, nga lëvizja e velëzave ose nga muskujt që përdoren për notim të një preje të mundshme. Në fakt, kjo shqisë e gjashtë është kaq e mprehtë, saqë peshkaqenët mund të ndiejnë madje edhe bashkëveprimin e fushës magnetike të tokës me oqeanin. Si rezultat, peshkaqenët mund të dinë në cilin drejtim është veriu dhe në cilin drejtim është jugu.

Identifikimi i peshkaqenit të bardhë

Ndonëse quhet peshkaqen i bardhë i madh, vetëm pjesa e tij e poshtme është në ngjyrë të bardhë ose të zbehtë. Kurrizi normalisht ka një nuancë të errët të grisë. Dy ngjyrat takohen përgjatë pjesës anësore të peshkut në një vijë të dhëmbëzuar, që ndryshon nga një peshkaqen te tjetri. Ky tipar shërben për maskim, por, gjithashtu, i ndihmon shkencëtarët që të njohin peshkaqenë të veçantë.

Deri në çfarë madhësie rrriten peshkaqenët e bardhë? «Peshkaqenët e bardhë më të mëdhenj, që janë matur me saktësi,​—thuhet në librin Great White Shark,​—shkojnë nga 5,8 deri në 6,4 metra.» Peshqit me këto përmasa mund të peshojnë më shumë se 2.000 kilogramë. Prapëseprapë, falë pendëve të lakuara e trekëndore, të cilat lidhen me trupin në formë siluri, këta gjigantë rrëshqasin në ujë si shigjetë. Bishti i tyre gati-gati simetrik, një strukturë që u jep fuqi, është një gjë tjetër e rrallë në botën e peshkaqenëve, pasi shumica e llojeve të tjera të peshkaqenëve duket qartë që kanë bishta asimetrikë.

Tiparet më të veçanta të peshkaqenit të bardhë, dhe njëkohësisht ato më frikësueset, janë koka e stërmadhe në formë koni, sytë e tij të zinj me një vështrim të akullt dhe goja plot me dhëmbë të mprehtë si brisk e në formë trekëndëshi, që kanë pamjen e sharrës. Dora-dorës që këto «thika» me dy tehe ciflosen ose bien gradualisht, «një rrip transmisioni» dentar shtyn përpara dhëmbë zëvendësues.

I fuqizuar nga gjaku i ngrohtë

Sistemi i qarkullimit të gjakut të familjes Lamnidae të peshkaqenëve, në të cilën përfshihen peshkaqeni-skumbër (Isurus oxyrinchus), një peshkaqen që lind të vegjël (Lamna nasus) dhe peshkaqeni i bardhë, është rrënjësisht i ndryshëm nga ai i shumicës së peshkaqenëve të tjerë. Temperatura e gjakut është rreth 3 deri në 5 gradë Celsius më e lartë se temperatura e ujit. Gjaku i ngrohtë përshpejton tretjen dhe u shton forcën e rezistencën. Peshkaqeni-skumbër, që ushqehet me peshq të shpejtë të deteve të hapura, siç është toni, pasi merr vrull, mund t’i përshkojë ujërat me një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë.

Kur notojnë, peshkaqenët ngrihen lart me dy pendët e gjoksit. Nëse notojnë tepër ngadalë, ata ndalojnë dhe zhyten tamam si avionë, dhe kjo pavarësisht nga një depo e fshehtë vaji që i mban mbi ujë, vaj i cili ruhet brenda një mëlçie aq të madhe, sa mund të përbëjë çerekun e peshës së përgjithshme të peshkaqenit. Veç kësaj, shumë lloje peshkaqenësh duhet të vazhdojnë të notojnë që të marrin frymë, pasi në këtë mënyrë futin përmes gojës dhe velëzave ujë të pasur me oksigjen. Ja pse peshkaqenët kanë atë buzëqeshje të ftohtë të përhershme!

Njeringrënës?

Nga 368 llojet e peshkaqenëve që njihen sot, vetëm rreth 20 janë të rrezikshëm. Dhe vetëm katër prej këtyre janë përgjegjës për pjesën dërrmuese të rreth 100 sulmeve kundër njerëzve, që raportohen çdo vit në mbarë botën. Rreth 30 nga këto sulme janë vdekjeprurëse. Katër llojet fajtore janë: peshkaqeni-dem, i cili ka marrë më shumë jetë njerëzish se çdo peshkaqen tjetër; peshkaqeni-tigër; peshkaqeni majëbardhë i oqeaneve dhe peshkaqeni i bardhë.

Çuditërisht, të paktën 55 për qind​—e madje në disa pjesë të botës, rreth 80 për qind​—e atyre që janë sulmuar nga peshkaqeni i bardhë, kanë mbetur gjallë. Përse kaq shumë njerëz kanë mbijetuar nga sulmi i një grabitqari kaq të frikshëm?

Kafshon dhe flak

Dihet që pas një kafshimi të parë e të fortë, peshkaqeni i bardhë e flak prenë e vet të plagosur. Pastaj ai pret që viktima të vdesë, para se ta hajë. Kur viktima janë njerëzit, kjo sjellje e peshkaqenit u siguron atyre një mundësi për të shpëtuar. Kjo, nganjëherë, është arritur me ndihmën e shokëve të guximshëm, çka tregon mençurinë e këshillës për të mos notuar kurrë vetëm.

Gjithsesi, këto përpjekje për të shpëtuar do të ishin praktikisht vetëvrasëse, po të mos qe për një sjellje tjetër të peshkaqenit të bardhë. Era e gjakut nuk e nxit atë që të turret si i çmendur për të ngrënë, siç ndodh me disa peshkaqenë të tjerë. Po përse peshkaqeni i bardhë përdor strategjinë ‘kafsho dhe flak’?

Siç sugjeron një shkencëtar, për shkak të syve të tij. Ndryshe nga peshkaqenët e tjerë, peshkaqeni i bardhë nuk ka membranë ngjashëm qepallës që t’i mbrojë sytë. Në vend të kësaj, kur pas pak kohe pritet të ndodhë një përpjekje, ai i rrotullon sytë brenda zgavrave. Në momentin e përleshjes, syri mbetet i ekspozuar, ndoshta ndaj kthetrave gërvishëse të një foke. Prandaj, një kafshim i shpejtë vdekjeprurës dhe lëshimi i presë është një sjellje e zakonshme për peshkaqenin e bardhë.

Mbani ndër mend, gjithashtu, se sjellja e peshkaqenëve të bardhë ngjan shumë me sjelljen e foshnjave​—në pamje të parë atyre u duket se gjithçka mund të futet drejt e në gojë. «Mjerisht, kur një peshkaqen i bardhë i madh kafshon [për ta provuar diçka], pasojat mund të jenë shkatërrimtare»,​—shpjegon Xhon Uest, biolog detar në Sidnei, Australi.

Edhe pse është një kafshë e rrezikshme, peshkaqeni i bardhë nuk është një krijesë mizore që vdes për mish njeriu. Një zhytës që kërkonte molusqe, i cili kaloi 6.000 orë në ujë, pa vetëm dy peshkaqenë të bardhë dhe asnjë nga ata nuk e sulmoi. Në fakt, peshkaqeni i bardhë shpesh ia ka mbathur nga njerëzit.

Ndërsa zhyteshin larg ishujve Kepi i Gjelbër, eksploruesit të oqeaneve Zhak-Iv Kustó dhe shokut të tij u doli papritur përpara një peshkaqen i bardhë i stërmadh. «Reagimi [i peshkaqenit] qe reagimi më i paimagjinueshëm,​—shkruante Kustó.​—Me një frikë të dukshme, gjiganti nxori një re jashtëqitjesh dhe u largua me një shpejtësi të pabesueshme.» Kustó përfundonte: «Ndërsa meditoja rreth gjithë përvojave që kemi pasur me peshkaqenin e bardhë, më bënte vazhdimisht përshtypje humnera e madhe që ekziston midis asaj që mendohet në përgjithësi për këtë krijesë dhe asaj që kemi vërejtur ne tek ajo.»

Peshkaqeni i bardhë si pre

Në konceptin e përhapur për këtë kafshë ka ndikuar në një masë të madhe një roman i vitit 1970 (Jaws), i cili më pas u bë edhe film mjaft i ndjekur. Papritur e pakujtuar, peshkaqeni i bardhë u bë mishërimi i së ligës dhe, siç thuhet në librin Great White Shark, «grumbuj të tërë me gjuetarë trofesh bënin garë se kush do të ishte i pari që do ekspozonte mbi oxhak kokën ose nofullat e peshkaqenit njeringrënës». Me kalimin e kohës, trofeja e një dhëmbi të peshkaqenit të bardhë do të kushtonte deri në 1.000 dollarë (në Australi) dhe një nofull e plotë më shumë se 20.000 dollarë.

Gjithsesi, një numër ku e ku më i madh peshkaqenësh ngordhin në rrjetat e peshkimit të tregtarëve. Përveç kësaj, miliona peshkaqenë të tjerë kapen çdo vit për të plotësuar kërkesat gjithnjë në rritje të tregut për produkte të peshkaqenit, e veçanërisht për pendët e tyre. Vitet e fundit, ndërsa numri i peshkaqenëve të kapur është pakësuar, anembanë botës po bien këmbanat e alarmit, sidomos për peshkaqenin e bardhë.

Rritet mirëkuptimi

Dihet mirë se peshkaqenët u bien kryq e tërthor deteve për të gjetur gjallesat e sëmura, ato që janë duke ngordhur, të plakurat dhe gjallesat që kanë ngordhur. Prandaj, një popullatë e shëndetshme peshkaqenësh nënkupton oqeane të shëndetshme e të pastra.

Duke e kuptuar se peshkaqenët janë në rrezik të zhduken, Komisioni i Mbijetesës së Llojeve i Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës ka ngritur një Grup Specialistësh të Peshkaqenëve, për ta studiuar në tërësi problemin e peshkaqenëve. Studimi i peshkaqenit të bardhë, gjithsesi, nuk është i lehtë, pasi ata nuk bëjnë shumë të vegjël dhe në robëri ngordhin. Prandaj ata duhen studiuar në habitatin e tyre natyror.

Ndërkohë që njohuria e njerëzve për peshkaqenët dalëngadalë është rritur, qëndrimi i tyre kundrejt këtyre krijesave magjepsëse ka ndryshuar. Por kjo nuk e ndryshon peshkaqenin e bardhë të madh. Ndonëse s’është një krijesë mizore, ai është, prapëseprapë, një kafshë e rrezikshme dhe duhet trajtuar me kujdes dhe me respekt. Me shumë respekt!

[Shënimi]

^ par. 3 Peshkaqeni i bardhë i madh, ose peshkaqeni i bardhë, ka një larmi emrash. Në Australi, për shembull, disa herë e quajnë qen gjahu i bardhë; në Afrikën e Jugut, qen gjahu blu.

[Figura në faqen 11]

Këta peshkaqenë kanë gojë të madhe e të frikshme

[Burimet e figurave në faqen 10]

Foto nga Rodney Fox Reflections

South African White Shark Research Institute