Rusët çmojnë pa masë lirinë e adhurimit
Rusët çmojnë pa masë lirinë e adhurimit
QË NGA SHPËRBËRJA E BASHKIMIT SOVJETIK NË VITIN 1991, NJERËZIT QË JETOJNË ATJE KANË GËZUAR NJË LIRI MË TË MADHE PËR TË ADHURUAR PERËNDINË. KJO LIRI ËSHTË ÇMUAR EDHE PREJ ATYRE QË KANË EMIGRUAR NË VENDE TË TJERA.
PËR shumë veta që jetojnë në ish-Bashkimin Sovjetik, liria që të mblidhen hapur për të adhuruar Perëndinë është një kënaqësi e çmuar, një kënaqësi që atyre u ishte privuar për shumë dekada.
Pas Revolucionit Bolshevik në vitin 1917, në Rusi u bë e rrezikshme të lexoje Biblën dhe pak veta rrezikonin lirinë e tyre për ta bërë këtë. Dëshmitarët e Jehovait ishin një përjashtim. Në fakt, revista Newsweek e 16 prillit 1956, afro 44 vjet të shkuara, citonte një të ri nga Gjermania Lindore që thoshte: «Askush nuk e lexon Biblën, përveç Dëshmitarëve të Jehovait.» Megjithatë, Dëshmitarët u futën burgjeve dhe kampeve të punës, ngaqë mbanin mbledhje për studimin biblik dhe predikonin mesazhin e Biblës. Gjithsesi, kudo që shkuan, ata e përqendruan vëmendjen në shpresën e tyre të bazuar në Bibël, siç tregon edhe kutia e mëposhtme.
Në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik filloi të shpërbëhej, Dëshmitarët atje mbajtën shtatë kongrese që i dhanë rëndësi programit të arsimimit biblik. Gjithsej, ishin të pranishëm 74.252 veta. Më 1993, vetëm dy vjet më vonë, 112.326 veta u mblodhën në tetë kongrese të tilla në 4 prej 15 ish-republikave të Bashkimit Sovjetik. * Shumë prej këtyre mijëra vetave kishin kaluar vite të gjata nëpër burgjet sovjetike dhe kampet e punës. Këta të krishterë besnikë ishin tejet mirënjohës për lirinë që kishin për të adhuruar Perëndinë pa pengesa.
Çdo vit qysh prej 1993-shit, njerëz nga ish-republikat sovjetike kanë çmuar pa masë privilegjin për t’u mbledhur lirisht në grumbullimet e krishtere në vendin e tyre. Vitin që shkoi, për shembull, një total prej 282.333 Dëshmitarësh të Jehovait dhe miq të tyre ishin të kënaqur të merrnin pjesë së bashku në adhurim, në 80 Kongreset Krahinore «Fjala
profetike e Perëndisë», që u mbajtën në ish-republikat sovjetike. Dhe një total prej 13.452 vetash u pagëzuan.Sado e habitshme që mund të duket, vitin që shkoi u mbajtën kongrese në rusisht edhe në vende të tjera të botës. Një shumë e përgjithshme prej 6.336 personash ishin të pranishëm në katër grumbullime të tilla në vende jashtë ish-Bashkimit Sovjetik. Ku u mbajtën këto? Dhe përse kaq shumë njerëz që flasin rusisht kanë një interes të thellë për Biblën? Së pari, le të shqyrtojmë shkurtimisht pyetjen e fundit.
Pranojnë nevojën frymore
Rusia ka një histori të pasur fetare. Katedralet e saj plot zbukurime, të ndërtuara shekuj më parë, janë ndër më të famshmet në të ashtuquajturin krishterim. Megjithatë, Kisha Ortodokse Ruse, ngjashëm Kishës Katolike, e ka mbajtur popullin në injorancë në lidhje me Biblën.
«Bibla,—shpjegon një libër i kohëve të fundit, The Russian Tragedy—The Burden of History,—s’ka qenë kurrë një pjesë kryesore në ortodoksinë ruse.» Rezultati, sipas studiuesit fetar rus Sergei Ivanenko, është se «mungesa e njohurisë biblike ndër besimtarët ortodoksë ka çuar në faktin që shumë anëtarë të famullive të kishave ortodokse janë më të prirur ndaj besëtytnive, okultizmit dhe magjisë, sesa jobesimtarët».
Shkrimtari i famshëm rus Tolstoi, bëri një vërejtje të ngjashme. Ai shkroi: «U binda se doktrina e kishës [ortodokse ruse] ishte në teori një mashtrim dinak dhe i dëmshëm dhe në praktikë një përmbledhje e besëtytnive dhe magjive më trashanike, të cilat fshijnë plotësisht gjithë domethënien e mësimit të krishterë.»
Kjo situatë rezultoi në një terren pjellor për lindjen e komunizmit sovjetik me propagandën e tij ateiste dhe me refrenin e mirënjohur: «Feja është opium për popujt.» Megjithatë, vetë komunizmi u shndërrua shumë shpejt në një formë feje, e quajtur shpesh Feja e Kuqe. Por Feja e Kuqe nuk zgjati. Kur shteti sovjetik u shemb në vitin 1991, miliona njerëz ishin të hutuar e s’dinin ku të drejtoheshin. Me inkurajimin e Dëshmitarëve të Jehovait, mijëra e mijëra rusë i kërkuan përgjigjet nga Bibla.
Si rrjedhojë e një sistemi arsimor të shkëlqyer, rusët janë ndër popujt më të shkolluar në botë. Prandaj, shumë rusë u bënë jo vetëm lexues të Biblës, por edhe dashurues të mësimeve të saj. Në të njëjtën kohë, sidomos gjatë dekadës së viteve 90 të shekullit të 20-të, qindra mijë njerëz nga ish-Bashkimi
Sovjetik emigruan në vende të tjera, si Gjermania, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara. Me çfarë rezultati?Të lirë për të adhuruar në Gjermani
Në shekujt e 18-të dhe 19-të shumë gjermanë u transferuan në Rusi. Më e famshmja ishte Sofia 15-vjeçare, e cila në vitin 1762 pasoi të shoqin si sundimtare e Rusisë. Gjatë mbretërimit të saj të gjatë, Sofia, që më vonë u bë e njohur si Katerina e Madhe, ftoi fermerë gjermanë që të jetonin në Rusi. Më pas, kur Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës II Botërore, shumë prej atyre me prejardhje gjermane u syrgjynosën në Siberi dhe në republika të tjera sovjetike, si Kazakistani, Kirkizstani dhe Uzbekistani. Kohët e fundit, shumë gjermanë që flasin rusisht, si dhe të tjerë nga ish-Bashkimi Sovjetik, u transferuan në Gjermani për të gëzuar kushte më të mira ekonomike.
Në dhjetor 1992, në Gjermani u formua kongregacioni i parë në gjuhën ruse në Berlin. Deri vitin e kaluar, në tri qarqet ruse në Gjermani ishin formuar 52 kongregacione dhe 43 grupe më të vogla. Në Kongresin Krahinor «Fjala profetike e Perëndisë», që u mbajt në Këln nga 30 korrik deri më 1 gusht, pati një maksimum të pranishmish prej 4.920 vetash, me 164 të pagëzuar në simbol të dedikimit të tyre ndaj Jehovait. Më parë, më 1 prill, në kongregacionet e gjuhës ruse në Gjermani, 6.175 veta ishin të pranishëm në kremtimin e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit.
Rusët në Shtetet e Bashkuara
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar një vërshim të njerëzve që flasin rusisht nga ish-Bashkimi Sovjetik. The New York Times raportonte: «Mes viteve 1991 dhe 1996, rusët ishin grupi i imigrantëve që shtohej më shpejt në Bruklin. Gjatë së njëjtës periudhë, Shërbimi i Imigrimit dhe i Dhënies së Shtetësisë pranoi në Shtetet e Bashkuara më shumë se 339.000 imigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik.»
Më vonë, Times e janarit 1999 thoshte se gjatë dekadës së mëparshme pothuajse 400.000 judenj nga ish-Bashkimi Sovjetik kishin imigruar në qytetin e Nju-Jorkut dhe në zonën përreth. Veç kësaj, mijëra rusë janë vendosur vitet e fundit në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara. Për shembull, në veri të Kalifornisë ka pasur një dyndje me rreth 35.000 imigrantë të rinj rusë, duke e bërë atë qendrën e tretë
më të madhe të imigrantëve nga ish-Bashkimi Sovjetik pas Nju-Jorkut dhe Los Anxhelosit. Këta njerëz që flasin rusisht i janë përgjigjur edhe mundësisë për të studiuar Biblën dhe qindra prej tyre janë bërë adhurues të Perëndisë së vërtetë, Jehovait.Kongregacioni i parë rus i Dëshmitarëve të Jehovait në këto kohë të fundit në Shtetet e Bashkuara, u formua më 1 prill 1994, në Bruklin, Nju-Jork. Me kalimin e kohës, kongregacione ruse nisën në Pensilvani, Kaliforni dhe Uashington. Grupe studimi filluan edhe në shumë pjesë të tjera të vendit.
Për herë të parë në Shtetet e Bashkuara
Nga 20-22 gusht të vitit të shkuar, një maksimum prej 670 të pranishmish nga tërë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja u elektrizuan nga pjesëmarrja në kongresin e parë krahinor në rusisht, që u mbajt në Nju-Jork-Siti. Të gjitha fjalimet u mbajtën në rusisht, dhe një dramë me kostume që theksonte tregimin biblik të Jakobit dhe Esaut, u prezantua nga pjesëtarë të kongregacionit rus të Los Anxhelosit, Kaliforni. Ishte me të vërtetë një pikë kulmore e kongresit.
Një tjetër pikë kulmore e kongresit ishte edhe pagëzimi i 14 personave, të cilët gjenden të gjithë në këtë fotografi. Disa prej tyre udhëtuan rreth 4.000 km nga Portlandi i Oregonit, si dhe nga Los Anxhelosi e San-Francisko, Kaliforni, për t’u pagëzuar në kongresin në Nju-Jork-Siti. Më parë, këta të 14-të kishin jetuar në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik: Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Moldavi, Rusi dhe Ukrainë. Përvojat e tyre zbulojnë se sa shumë e çmojnë ata njohurinë e Perëndisë dhe lirinë për ta adhuruar atë.
Svjetllana, (rreshti i parë, e treta nga e majta) ishte rritur në Moskë. Në moshën 17-vjeçare u martua me një këngëtar të famshëm shumë më të madh në moshë se ajo dhe më 1989 vajtën në Shtetet e Bashkuara me djalin e tyre të vogël. Burri i saj udhëtonte tepër dhe pesë vjet më vonë u divorcuan.
Kur Svjetllana takoi një kolege të punës Dëshmitare, shoqet e paralajmëruan që të mos ngatërrohej me atë që, siç thanë ato, ishte «një sekt që do t’i merrte jetën në kontroll dhe gjithë paratë». Megjithatë, ajo kishte dëshirë të mësonte çfarë mëson Bibla. Në lidhje me faktin kur i treguan në Bibël emrin e Perëndisë, ajo thotë: «Më bëri shumë përshtypje që Dëshmitarët ishin të vetmit që e bënin atë të njohur.»
Kur ishte i ri, Andrei (rreshti i dytë, i treti nga e majta) e la shtëpinë e tij në Siberi, për t’u stërvitur më tej si atlet, në atë që tani quhet Shën Pjetërburg. Pak pas kësaj, Bashkimi Sovjetik u
shpërbë dhe në vitin 1993, në moshën 22-vjeçare, Andrei emigroi në Shtetet e Bashkuara. Ai shpjegon: «Nisa të mendoja për Perëndinë dhe fillova të shkoja në Kishën Ortodokse Ruse. Një herë, gjatë kremtimit të Pashkës ruse, qëndrova në kishë gjithë natën, duke u përpjekur të afrohesha me Perëndinë.»Rreth kësaj kohe, Svjetllana takoi Andrein dhe i foli për atë që po mësonte ajo nga studimi biblik. Ai pranoi ta shoqëronte në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait dhe më pas pranoi një studim biblik. Në janar 1999 ata u martuan. Pas pagëzimit në kongres, ata shkëlqenin nga gëzimi.
Pavli (rreshti i dytë, i katërti nga e majta) lindi pranë Karagandit, Kazakistan, por më vonë u transferua në Nalçik, Rusi. Ky qytet i madh është afër Çeçenisë dhe Dagestanit, ku kanë ndodhur aq shumë luftime. Pavli i takoi atje për herë të parë Dëshmitarët në gusht 1996, por një muaj më pas emigroi në San-Francisko. Ai ishte përfshirë në drogë dhe ishte baba i një vajze, të cilën e kishte lënë në Rusi me të ëmën.
Menjëherë sapo arriti në Shtetet e Bashkuara, Pavli u lidh me Dëshmitarët e Jehovait dhe pranoi një studim biblik. Ai rregulloi jetën e tij dhe i shkroi mamasë të së bijës për bindjet e tij të sapogjetura. Ajo tani është duke studiuar me Dëshmitarët dhe ka plane për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të martohet me Pavlin dhe t’i shërbejnë Jehovait në Kaliforni bashkë me vajzën e tyre.
Georgi (rreshti i dytë, i dyti nga e majta) lindi dhe u rrit në Moskë. Ai vajti në Shtetet e Bashkuara më 1996 dhe një vit më vonë u martua me Florën, e cila ishte me origjinë nga Azerbajxhani. Georgi ndiqte Kishën Ortodokse Ruse, por pasi lexoi një kopje të revistës Kulla e Rojës pati disa pyetje në lidhje me doktrinën e Trinitetit. Në përgjigje të letrës që i dërgoi Shoqatës Watch Tower, ai mori broshurën A duhet të besosh në Trinitetin? Në vitin 1998 ai dhe Flora filluan të studionin Biblën. Tani, edhe ajo ka planifikuar të pagëzohet.
Një tjetër moment kryesor i kongresit ishte edhe marrja e përshëndetjeve nga Moska, ku 15.108 vetë ishin mbledhur për kongresin e
tyre gjatë po asaj fundjave. Sa u emocionuan delegatët në Nju-Jork-Siti, kur dëgjuan lajmërimin se atje ishin pagëzuar 600 veta! Kjo ishte veçanërisht e vërtetë, duke pasur parasysh raportet ogurzeza të gazetave dhe televizionit, që kishin nisur të shfaqeshin në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë gjatë javës së datës së kongresit.Ç’po ndodhte në Moskë?
Më 21 korrik 1999, Dëshmitarët firmosën një kontratë për përdorimin e Stadiumit Olimpik, i cili gjendet pranë qendrës së Moskës dhe shumë pranë një kishe të madhe ortodokse ruse. Por një javë para se të fillonte kongresi, ishte e qartë se do të kishte kundërshtime. Deri të mërkurën, më 18 gusht, leja për të përdorur stadiumin nuk ishte dhënë akoma, edhe pse pagesa për qiranë tashmë ishte bërë. Zyrtarëve iu theksua se, siç tregon edhe kutia në faqen 28, Dëshmitarët e Jehovait janë një organizatë fetare e njohur ligjërisht në Rusi.
Meqë rreth 15.000 delegatë të kongresit ishin përgatitur të ndiqnin kongresin të premten në mëngjes, përfaqësuesit e Dëshmitarëve ishin në ankth. Disa delegatë po udhëtonin për në Moskë nga qytete dhe zona, që ndodheshin shumë kilometra larg. Së fundi, pas disa orë bisedimesh, rreth orës 20.00 të së enjtes, 19 gusht, administrata e stadiumit ishte e kënaqur të informonte përfaqësuesit e Dëshmitarëve se kongresi mund të vazhdonte. Administrata e qytetit kishte lajmëruar se ata s’kishin asnjë kundërshtim për kongresin.
Mëngjesin tjetër, mijëra veta vërshuan në stadium. Dëshmitarë vullnetarë kishin punuar gjithë natën që të përgatiteshin për mbërritjen e tyre. Të pranishëm në atë mëngjes të parë ishin edhe përfaqësuesit e shtypit, të cilët qenë informuar që më parë në lidhje me kundërshtimin për mbajtjen e kongresit. «Urime!—tha njëri prej tyre.—Jemi të gëzuar të dëgjojmë se kongresi juaj po shkon përpara.»
Shembull i sjelljes së rregullt
Administrata e stadiumit kishte menduar se do të ishte e matur po të merrte disa masa sigurie. Prandaj, njerëz të sigurimit me pajisje për diktimin e metaleve, të tilla si ato që përdoren për të parë në ekran pasagjerët në aeroporte, ishin vendosur në të gjitha hyrjet.
Gjithashtu, kudo brenda stadiumit kishte edhe policë. Kongresi vazhdoi në mënyrë të rregullt, pavarësisht nga një kërcënim serioz.Të shtunën pasdite, dikush mori në telefon për të treguar se në stadium ishte vendosur një bombë. Kërcënimi u mor pak para përfundimit të fjalimit të parafundit të ditës. Prandaj, me kërkesë të administratës së stadiumit, u bë një lajmërim i shkurtër për të zbrazur menjëherë stadiumin. Kur të gjithë bënë kështu në një mënyrë të rregullt, drejtuesit e stadiumit dhe policët u mahnitën. Kurrë s’kishin parë diçka të tillë! Ata pyetën se mos ishin bërë prova.
Asnjë bombë nuk u gjet dhe ditën tjetër programi u zgjat, që të përfshinte edhe atë pjesë që nuk ishte prezantuar të shtunën. Drejtuesit e stadiumit mbetën të kënaqur nga kongresi.
Në Greqi dhe gjetkë
Gjatë javës së fundit të gushtit dhe javës së parë të shtatorit, kongrese krahinore në rusisht u mbajtën edhe në Greqi: së pari në Athinë e më pas në Selanik. Ishin gjithsej 746 të pranishëm, me 34 të pagëzuar. Në Greqi ka 8 kongregacione ruse dhe 17 grupe më të vogla, të formuara nga imigrantë prej ish-republikave jugore të Bashkimit Sovjetik. Ato i mbajnë mbledhjet në rusisht dhe në gjuhët e tjera që flasin imigrantët.
Një prej atyre që u pagëzuan në Athinë ishte edhe Viktori. Ai kishte qenë ateist, por në gusht 1998 mori pjesë në kongresin ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në Athinë, ku u pagëzua gruaja e tij. Ai tha se i bëri kaq shumë përshtypje dashuria që shfaqnin delegatët, saqë u nxit të studionte Biblën.
Një burrë i quajtur Igor, mori një kopje të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në Parajsë mbi tokë dhe pasi e lexoi hodhi tej ikonat e tij. Madje, ai nisi ta prezantonte veten si Dëshmitar i Jehovait. Pasi i shkroi zyrës së degës në Athinë dhe pati një vizitë nga Dëshmitarët në nëntor 1998, mori pjesë menjëherë në mbledhjen e tij të parë në kongregacion dhe që nga ajo kohë s’ka humbur asnjë mbledhje. Tani, pasi është pagëzuar, synimi i Igorit është që të jetë një Dëshmitar i Jehovait që shërben në kohë të plotë.
Njerëz që flasin rusisht kanë emigruar edhe në disa vende të tjera të botës, që nuk i kemi përmendur. Shumë prej këtyre njerëzve gëzojnë, gjithashtu, lirinë për të studiuar Biblën dhe për t’u mbledhur së bashku lirisht në adhurim të Perëndisë. Për ta ky privilegj është një kënaqësi e çmuar!
[Shënimi]
^ par. 5 Këto janë 15 republikat, që tani janë vende të pavarura: Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Estonia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirkizstani, Letonia, Lituania, Moldavia, Rusia, Taxhikistani, Turkmenistani, Ukraina dhe Uzbekistani.
[Kutia në faqen 22]
Rusë që e duan Biblën
Profesori Sergei Ivanenko, një studiues fetar rus i respektuar, i përshkroi Dëshmitarët e Jehovait si njerëz me të vërtetë të përkushtuar ndaj studimit të Biblës. Në një libër të tij të kohëve të fundit në rusisht, O lyudyakh, nikogda nye rasstayushchikhsya s bibliey (Njerëz që s’gjenden kurrë pa Biblën e tyre), ai shkroi për historinë e tyre të hershme në Bashkimin Sovjetik: «Edhe atëherë kur përfundonin në burg për besnikërinë ndaj bindjeve të tyre, Dëshmitarët e Jehovait gjenin mënyra për të përdorur Biblën.» Për të ilustruar këtë, ai tregoi përvojën vijuese.
«Të burgosurve u ishte ndaluar të kishin një Bibël. Biblat ishin konfiskuar gjatë bastisjeve. Në një nga kampet e veriut, një Dëshmitar i Jehovait ishte elektricist dhe mbante libra të Biblës në një transformator me tension shumë të lartë. Çdo pjesë e Biblës ishte e lidhur me fije me një përcjellës të veçantë dhe vetëm ai njeri e dinte se cila fije duhej tërhequr për të nxjerrë, për shembull, ungjillin e Mateut, pa marrë një goditje vdekjeprurëse. Pa dyshim, asnjë kërkim—sado që rojet kërkuan shumë—nuk dha rezultate, dhe kështu kjo Bibël unike nuk u zbulua.»
[Kutia në faqen 28]
Dëshmitarët e Jehovait të regjistruar sërish në Rusi
Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë aktivë në shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë në Rusi për më shumë se një shekull. Megjithatë, për shkak të kufizimeve qeveritare, Dëshmitarët fillimisht nuk e morën njohjen ligjore deri më 27 mars 1991. Në atë kohë, ata ishin regjistruar me emrin Qendra Administrative e Organizatës Fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në BRSS.
Më 26 shtator 1997, u miratua një ligj i titulluar «Për lirinë e ndërgjegjes dhe shoqatat fetare». Ky ligj i ri u trajtua gjerësisht nga shtypi anembanë botës. Përse? Sepse shumë e konsideruan miratimin e këtij ligji si një përpjekje për të kufizuar aktivitetet fetare të feve më të vogla në Rusi.
Kështu, pavarësisht nga regjistrimi i Dëshmitarëve të Jehovait, që mezi u arrit në 1991-shin, ligji i ri i lirisë së ndërgjegjes në Rusi kërkonte që ata, si edhe organizata të tjera fetare, të regjistroheshin përsëri. Kjo bëri të lindnin një sërë pyetjesh. A tregonte kjo se autoritetet ruse po i riktheheshin një politike shtypëse kundrejt Dëshmitarëve të Jehovait? Apo do të përkrahej toleranca fetare dhe liria e adhurimit, të garantuara në kushtetutën e Federatës Ruse?
Së fundi, përgjigjja erdhi. Sa të lumtur ishin Dëshmitarët të merrnin përsëri njohjen ligjore, kur Ministria e Drejtësisë e Rusisë nxori një certifikatë regjistrimi për «Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi», më 29 prill 1999!
[Figura në faqen 23]
Kongresi i parë krahinor në rusisht në Shtetet e Bashkuara
[Figura në faqen 24]
Dramë biblike e prezantuar në Nju-Jork nga kongregacioni rus i Los Anxhelosit
[Figura në faqen 25]
Këta 14 të pagëzuar në Nju-Jork janë prej gjashtë ish-republikave të Bashkimit Sovjetik
[Figura në faqet 26, 27]
Më shumë se 15.000 veta u mblodhën në Stadiumin Olimpik të Moskës