Vetëvrasja—Epidemia e fshehur
Vetëvrasja—Epidemia e fshehur
XHONI DHE MERI * po i lënë prapa të pesëdhjetat dhe jetojnë në një shtëpi të vogël në pjesën fshatare të Shteteve të Bashkuara. Xhoni është duke vdekur ngadalë nga emfizema dhe nga pamjaftueshmëria kongjestionale e zemrës. Meri thjesht nuk mund ta imagjinojë jetën pa Xhonin dhe nuk mund ta përballojë dhimbjen, ndërsa e sheh atë tek fiket pak nga pak, çdo herë duke marrë frymë me gulçim. Edhe Meri ka problemet e veta me shëndetin dhe për vite ka vuajtur nga depresioni. Kohët e fundit, Xhoni ka qenë i alarmuar, sepse Meri ka folur për vetëvrasjen. Mendimet e saj çoroditen gjithnjë e më shumë për shkak të depresionit dhe gjithë atyre ilaçeve që merr. Ajo thotë se nuk mund t’i bëjë ballë idesë se do të jetë vetëm.
Shtëpia është plot me ilaçe: pilula për zemrën, kundër depresionit, qetësues. Një mëngjes herët, Meri shkon në kuzhinë dhe nis të pijë pilulat. Ajo nuk ndalet, derisa Xhoni e gjen dhe ia merr pilulat. Ai thërret ndihmën e shpejtë, ndërsa ajo bie në koma. Ai lutet që të mos jetë shumë vonë.
Çfarë zbulojnë statistikat?
Vitet e fundit është shkruar shumë për numrin në rritje të vetëvrasjeve ndër të rinjtë, dhe me të drejtë, sepse ç’tragjedi më të madhe mund të ketë, sesa vdekja e parakohshme e një të riu plot jetë dhe shpresa? Gjithsesi, artikujt e gazetave nënvlerësojnë faktin se përqindja e vetëvrasjeve në shumë vende rritet pa u ndalur me rritjen e moshës. Kjo është e vërtetë, pavarësisht nëse përqindja e përgjithshme e vetëvrasjeve në një vend të caktuar është e lartë ose e ulët, siç tregon kutia në faqen
e mëparshme. Një vështrim i këtyre statistikave zbulon, gjithashtu, natyrën globale të kësaj epidemie të fshehur.Më 1996, Qendrat Amerikane për Kontrollimin e Sëmundjeve raportonin se numri i vetëvrasjeve ndër amerikanët e moshës 65 vjeç e lart ishte rritur me rreth 36 për qind që prej 1980-s. Një pjesë e kësaj rritjeje i detyrohej numrit të madh të amerikanëve të moshuar, por jo vetëm kaq. Në vitin 1996, u rrit me 9 për qind edhe përqindja ekzistuese e vetëvrasjeve ndër ata të moshës mbi 65 vjeç, për herë të parë në 40 vjet. Për sa u takon vdekjeve që lidhen me dëmtimet, vetëm rëniet nga lartësitë dhe përplasjet me makina vranë më shumë amerikanë të moshuar. Në fakt, edhe këto të dhëna alarmuese mund të jenë shumë të ulura. «Dyshohet se numri i vetëvrasjeve është minimizuar tepër në statistikat e bazuara në certifikatat për shkaqet e vdekjeve»,—vëren A Handbook for the Study of Suicide. Libri shton se disa mendojnë që shifrat reale janë dy herë më të larta se statistikat e raportuara.
Rezultati? Shtetet e Bashkuara, si edhe shumë vende të tjera, po vuajnë prej epidemisë së fshehur mbarëbotërore të vetëvrasjes së të moshuarve. Dr. Herbert Hendin, ekspert në këtë fushë, vëren: «Pavarësisht nga fakti se përqindja e vetëvrasjeve në Shtetet e Bashkuara rritet vazhdimisht dhe dukshëm me rritjen e moshës, vetëvrasja ndër më të moshuarit ka tërhequr pak vëmendjen e publikut.» Përse kështu? Ai sugjeron se pjesë e problemit është fakti që meqenëse përqindja e vetëvrasjeve ndër të moshuarit ka qenë gjithnjë e lartë, «kjo s’ka krijuar atë alarm të beftë që shoqëron rritjen dramatike të vetëvrasjeve të të rinjve».
Një efikasitet i tmerrshëm
Këto statistika, sado tronditëse, s’janë veçse numra të ftohtë. Ato s’mund të përcjellin vetminë e jetës pa një bashkëshort të dashur, zhgënjimin nga humbja e pavarësisë, dëshpërimin nga një sëmundje që s’të shqitet, boshllëkun e depresionit kronik, mungesën e shpresës nga një sëmundje fatale. E vërteta e trishtueshme është që ndërsa të rinjtë ndoshta përpiqen të vetëvriten si rrjedhojë e një reagimi të nxituar ndaj problemeve kalimtare, të moshuarit zakonisht përballojnë probleme që duken se janë të përhershme dhe pa zgjidhje. Si rrjedhojë, shpesh ata i afrohen vetëvrasjes me më shumë vendosmëri se të rinjtë dhe e realizojnë atë me një efikasitet të tmerrshëm.
«Vetëvrasja jo vetëm që është shumë më mbizotëruese ndër të moshuarit, por akti i vetëvrasjes në vetvete pasqyron ndryshime të mëdha mes të moshuarve dhe të rinjve,—vëren dr. Hendin, në librin e tij Suicide in America.—Në veçanti, raporti i tentativave për vetëvrasje me vetëvrasjet e arrira ndryshon krejt dukshëm ndër personat e moshuar. Në lidhje me popullsinë si një e tërë, raporti i tentativave për vetëvrasje me vetëvrasjet e kryera është përllogaritur të jetë 10 me 1; ndër të rinjtë (15-24 vjeçarë) ky raport është përllogaritur 100 me 1 dhe ndër ata mbi 55 vjeç është përllogaritur të jetë 1 me 1.»
Çfarë statistikash që të fusin në mendime! Ç’brengë është të plakesh, të humbësh fuqinë fizike e të vuash nga dhimbjet dhe sëmundjet! S’është për t’u habitur që kaq shumë njerëz kryejnë vetëvrasje. Megjithatë, ekziston një arsye e fuqishme për ta ruajtur jetën si një thesar, madje edhe në rrethana tepër të vështira. Shqyrtoni çfarë ndodhi me Merin, e cila është përmendur në fillim.
[Shënimi]
^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.
[Tabela në faqen 3]
Përqindjet e vetëvrasjeve për 100.000 veta, sipas moshës dhe seksit
Burra/Gra Moshat 15 deri 24
8,0/2,5 Argjentinë
4,0/0,8 Greqi
19,2/3,8 Hungari
10,1/4,4 Japoni
7,6/2,0 Meksikë
53,7/9,8 Rusi
23,4/3,7 SHBA
Burra/Gra Moshat 75 e lart
55,4/8,3 Argjentinë
17,4/1,6 Greqi
168,9/60,0 Hungari
51,8/37,0 Japoni
18,8/1,0 Meksikë
93,9/34,8 Rusi
50,7/5,6 SHBA