Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është El Ninjo?

Çfarë është El Ninjo?

Çfarë është El Ninjo?

Kur lumi Apurimak, pranë Limës, Peru, që normalisht është i tharë, fshiu tutje pothuajse gjithçka që Karmen kishte, ajo u ankua: «Ka edhe shumë të tjerë si ne që janë kështu, tepër. Unë s’jam e vetmja.» Akoma më në veri, shirat e rrëmbyeshëm e transformuan përkohësisht një pjesë të shkretëtirës bregdetare të Sekurës, në liqenin e dytë më të madh në Peru, me një sipërfaqe prej rreth 5000 kilometrash katrorë. Edhe në vende të tjera përreth globit, përmbytje të papara ndonjëherë, ciklone të forta dhe thatësira të ashpra sollën zi buke, epidemi, zjarre të mëdha dhe dëmtime të të korrave, pronave dhe mjedisit. Cili ishte shkaku i gjithë kësaj? Shumë veta ia vënë gishtin El Ninjos, i cili lindi nga Oqeani Paqësor tropikal ose ekuatorial, aty nga fundi i vitit 1997, dhe zgjati për më se tetë muaj.

Por, çfarë është saktësisht El Ninjo? Si zhvillohet ai? Përse janë kaq të përhapura ndikimet e tij? A mund të parashikohet me saktësi kur do të ndodhë një herë tjetër, duke zvogëluar mbase koston e tij në jetë dhe prona?

Fillon me ngrohjen e ujërave

«Në kuptimin e ngushtë të fjalës, El Ninjo është vetëm një rrymë e ngrohtë uji, që shfaqet pranë bregut të Perusë çdo dy deri shtatë vjet»,​—thotë revista Newsweek. Për më shumë se njëqind vjet, detarët përgjatë bregut të Perusë e kanë vërejtur këtë ngrohje. Meqë këto rryma të ngrohta vijnë zakonisht rreth periudhës së Krishtlindjes, ua vunë emrin El Ninjo, termi spanjisht për Jezuin foshnjë.

Ngrohja e ujërave pranë buzëdetit të Perusë nënkupton rreshje të mëdha shiu për atë vend. Shirat bëjnë që shkretëtirat të lulëzojnë dhe bagëtia të shkojë mbarë. Kur janë të rëndë, shirat sjellin, gjithashtu, edhe përmbytje në rajon. Për më tepër, shtresa e sipërme e ngrohtë e ujit të detit nuk lejon që ujërat më të ftohta e plot ushqim poshtë, të ngjiten lart. Si rrjedhojë, shumë krijesa detare, madje edhe disa zogj, shtegtojnë në kërkim të ushqimit. Pasojat e El Ninjos ndihen më pas edhe në vende të tjera, shumë larg bregdetit peruan. *

Lind nga era dhe uji

Nga se shkaktohet rritja e pazakontë e temperaturës së oqeanit pranë bregdetit të Perusë? Për të kuptuar këtë, le të shqyrtojmë së pari bërrylin gjigant qarkullues, i njohur si Qarkullimi Uollker, që ekziston në atmosferë midis Paqësorit tropikal Lindor dhe Perëndimor. * Ndërkohë që dielli ngroh nivelin e sipërm të ujit në perëndim, pranë Indonezisë dhe Australisë, ajri i ngrohtë dhe i lagësht ngrihet në atmosferë, duke shkaktuar një sistem me presion të ulët pranë sipërfaqes së ujit. Ajri që ngrihet ftohet dhe lëshon lagështinë e tij, duke sjellë shira në atë zonë. Ajri i thatë drejtohet për nga lindja, për shkak të erërave në shtresat më të larta të atmosferës. Ndërsa udhëton drejt lindjes, ajri bëhet edhe më i ftohtë dhe më i rëndë e nis të ulet pasi arrin Perunë dhe Ekuadorin. Kjo shkakton një sistem me presion të lartë pranë sipërfaqes së oqeanit. Ndërsa në lartësitë më të ulëta, rrymat e ajrit të njohura si erërat alize lëvizin prapa në perëndim në drejtim të Indonezisë, duke plotësuar në këtë mënyrë bërrylin.

Si ndikojnë erërat alize mbi temperaturën e sipërfaqes së Paqësorit tropikal? «Normalisht, këto erëra veprojnë si puhitë në një liqen të vockël,​—thotë Newsweek,​—duke marrë përpara me vete shtresën e sipërme të ngrohtë të ujit në Paqësorin Perëndimor, aq sa sipërfaqja e detit atje është të paktën 60 centimetra më e lartë dhe 8°C më e ngrohtë se ç’është, për shembull, në Ekuador.» Në Paqësorin Lindor, uji më i ftohtë plot ushqim nga poshtë ngjitet lart, duke bërë që jeta detare të lulëzojë. Prandaj, gjatë viteve normale ose kur nuk është El Ninjo, temperatura e sipërfaqes së detit është më e ftohtë në lindje se në perëndim.

Cilat ndryshime të atmosferës shkaktojnë një El Ninjo? «Për arsye që shkencëtarët akoma nuk i kuptojnë,​—thotë National Geographic,​—çdo pak vite erërat alize fashiten ose edhe zhduken.» Ndërsa këto erëra ngadalësohen, uji i ngrohtë i grumbulluar pranë Indonezisë vërshon prapa në lindje, duke ngritur temperaturën e sipërfaqes së detit në Peru dhe në vende të tjera në lindje. Nga ana e vet, kjo lëvizje ndikon mbi sistemin atmosferik. «Ngrohja e Oqeanit Paqësor në pjesën lindore tropikale dobëson Qarkullimin Uollker dhe bën që zona konveksionale me rreshje të mëdha shiu të lëvizë drejt lindjes, nga pjesa perëndimore për në pjesën tropikale qendrore dhe lindore të Paqësorit»,​—thotë një vepër referimi. Në këtë mënyrë, ndikohen sistemet e motit gjatë gjithë Paqësorit ekuatorial.

Si një popël në përrua

El Ninjo mund të ndryshojë edhe sistemet klimaterike që ndodhen në largësi të mëdha nga rrymat e ujit të Paqësorit tropikal. Në ç’mënyrë? Duke përdorur si agjent sistemin qarkullues atmosferik. Ndikimet me shtrirje të gjerë të një çrregullimi lokal në qarkullimin atmosferik, mund të krahasohen me mënyrën se si një popël në mes të një përroi mund të shkaktojë formimin e valëve gjatë gjithë përroit. Retë e dendura të shiut, që ngrihen mbi ujin e oqeanit të ngrohtë tropikal, formojnë në atmosferë një pengesë ngjashëm një pople, e cila ndikon mbi sistemet e motit mijëra kilometra larg.

Në gjerësi më të mëdha, El Ninjo forcohet dhe zë vendin e rrymave të erës që lëvizin me shpejtësi drejt lindjes, të njohura si rrymat reaktive. Këto rryma drejtojnë qarkullimin e pjesës më të madhe të sistemeve të stuhive në këto gjerësi. Forcimi dhe ndërrimi i drejtimit të rrymave reaktive mund të intensifikojë ose të zbutë edhe kushtet sezonale të motit. Për shembull, dimrat El Ninjo janë përgjithësisht më të butë se normalisht në zonat e veriut të Shteteve të Bashkuara, ndërsa janë më të lagësht e më të ftohtë në disa shtete të jugut.

Sa i parashikueshëm?

Ndikimet e stuhive të veçanta mund të parashikohen vetëm disa ditë më përpara. A është njësoj me përpjekjet për të parashikuar El Ninjon? Jo. Në vend që të përfshijnë ngjarje afatshkurtra të motit, parashikimet e El Ninjos përfshijnë kushte klimaterike anormale në rajone të gjera për muaj të tërë njëkohësisht. Kërkuesit në fushën klimaterike kanë pasur njëfarë suksesi në parashikimin e El Ninjos.

Për shembull, parashikimi për El Ninjon e periudhës 1997-1998 doli në maj të vitit 1997, nja gjashtë muaj përpara shfaqjes së tij. Të përhapura përgjatë Paqësorit tropikal gjenden tani të ankoruara 70 bova, të cilat matin kushtet e erës në sipërfaqe dhe temperaturat e oqeanit deri në një thellësi prej 500 metrash. Kur futen në modelet kompjuterike të klimës, këto të dhëna nxjerrin parashikimet e motit.

Paralajmërimet e hershme të El Ninjos mund t’i ndihmojnë me të vërtetë njerëzit që të përgatiten për ndryshimet që priten. Që nga viti 1983, për shembull, parashikimet e El Ninjos në Peru i kanë inkurajuar fermerët që të rritin bagëti dhe të mbjella të përshtatshme për kushte me lagështi, ndërsa peshkatarët kanë kaluar nga zënia e peshkut në atë të karkalecave të detit, që vijnë bashkë me ujërat më të ngrohtë. Po, parashikimi i saktë bashkë me përgatitjen e mëparshme mund të ulë koston në njerëz dhe atë ekonomike të El Ninjos.

Kërkimet shkencore në proceset që qeverisin klimën e tokës sonë, vërtetojnë saktësinë e fjalëve të frymëzuara, të regjistruara nga mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, rreth 3000 vjet më parë. Ai shkroi: «Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime.» (Predikuesi 1:6) Duke studiuar rrymat e erës dhe të oqeaneve, njeriu modern ka mësuar shumë për sistemet e motit. Le të përfitojmë nga kjo njohuri, duke u vënë veshin paralajmërimeve në lidhje me ngjarje të tilla, si El Ninjo.

[Shënimet]

^ par. 6 Përkundrazi, La Ninja (spanjisht «vajza e vogël») është një ftohje periodike e temperaturave të ujit në bregun perëndimor të Amerikës së Jugut. Edhe La Ninja ndikon në një masë shumë të madhe mbi motin.

^ par. 8 Bërryli e ka marrë emrin nga sër Gilbert Uollker, shkencëtari britanik, që studioi procesin në vitet 20 të shekullit të 20-të.

[Kutia në faqen 27]

VAZHDA E SHKATËRRIMEVE TË EL NINJOS

1525: Regjistrimi më i lashtë historik i një El Ninjoje në Peru.

1789-1793: El Ninjo ishte përgjegjës për më shumë se 600 000 të vdekur në Indi dhe shkaktoi një zi buke të ashpër në jug të Afrikës.

1982-1983: Kjo ngjarje ishte shkaku i më shumë se 2000 të vdekurve dhe i shkatërrimit të pronave me një vlerë më të madhe se 13 miliardë dollarë, kryesisht në rajonet tropikale.

1990-1995: Tri ngjarje rrjesht të kombinuara formuan një nga episodet më të gjata të regjistruara të El Ninjos.

1997-1998: Pavarësisht nga parashikimet rajonale të përmbytjeve dhe thatësirave për një El Ninjo, që fillimisht patën shumë sukses, rreth 2100 veta humbën jetën, ndërsa dëmet e shkaktuara anembanë botës kapën shifrën prej 33 miliardë dollarësh.

[Diagramat dhe hartat në faqet 24, 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

NORMALE

Sistemi i Qarkullimit Uollker

Erëra alize të forta

Ujë i ngrohtë i oqeanit

Ujë i ftohtë i oqeanit

EL NINJO

Shtigjet e zhvendosjes së rrymave reaktive

Erëra alize të dobëta

Uji i ngrohtë lëviz në lindje

Më i ngrohtë ose më i thatë se zakonisht

Më i ftohtë ose më i lagësht se zakonisht

[Diagramat dhe figurat në faqen 26]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

EL NINJO

Ngjyrat e kuqe në globin sipër paraqesin temperatura të ujit shumë më të ngrohta se normalisht

NORMALE

Uji i ngrohtë grumbullohet në perëndim të Paqësorit, duke lejuar që uji më i ftohtë plot ushqim të ngrihet në lindje

EL NINJO

Erëra të dobëta alize lejojnë që uji i ngrohtë të zhvendoset në lindje, duke bllokuar daljen në sipërfaqe të ujërave më të ftohta

[Figurat në faqet 24, 25]

PERU

Shkretëtira e Sekurës e përmbytur

MEKSIKË

Uragani Linda

KALIFORNI

Rrëshqitje e baltës

[Burimet]

Faqet 24-25, nga e majta në të djathtë: Fotografi nga Beatrice Velarde; Imazh i prodhuar nga Laboratory for Atmospheres, NASA Goddard Space Flight Center; Foto FEMA, nga Dave Gatley