Ç’të themi për shpimin e trupit?
Të rinjtë pyesin . . .
Ç’të themi për shpimin e trupit?
«Kur pashë për herë të parë persona me buzë dhe pjesë të tjera të trupit të shpuara, mendova: ‘Ua! Sa e veçantë!’»—Liza.
LIZA nuk është e vetmja. Një numër në rritje të rinjsh vënë unaza dhe perçina në pjesë të ndryshme të trupit, madje, edhe në vetulla, gjuhë, buzë dhe kërthizë. Është një praktikë e quajtur body piercing (shpimi i trupit). *
Një 16-vjeçare e quajtur Hedhër mezi pret të bëjë të njëjtën gjë. Ajo është e bindur se një unazë në kërthizën e saj do të duket «absolutisht mbresëlënëse». Megjithatë, Xhoi 19-vjeçar tashmë mburret me një zbukurim të artë në formë rrethi në gjuhën e tij. Një tjetër vajzë e re ka vendosur të shpojë vetullën, sepse donte diçka «tepër të dukshme», që do t’i «trondiste njerëzit».
Ideja për të varur bizhuteri në trup nuk është aspak e re. Në kohët biblike, një grua e perëndishme, e quajtur Rebeka, mbante një unazë në hundë. (Zanafilla 24:22, 47) Kur dolën nga Egjipti, izraelitët mbanin vathë. (Eksodi 32:2) Megjithatë, nuk dihet nëse këto bizhuteri vareshin, duke shpuar veshët dhe hundën. Gjithsesi, skllevërit besnikë i kishin veshët të shpuar, si simbol i besnikërisë ndaj zotërinjve të tyre. (Eksodi 21:6) Shpimi ka qenë mbizotërues edhe në kultura të tjera të lashta. Në popullsinë acteke dhe maja, njerëzit e shponin gjuhën për arsye fetare. Shpimi tejpërtej i buzës është akoma i përhapur në Afrikë dhe mes indianëve të Amerikës së Jugut. Vendosja e sendeve zbukuruese në hundë është e zakonshme mes banorëve të Melanezisë, të Indisë dhe të Pakistanit.
Deri para pak vjetësh, në botën perëndimore shpimi kufizohej përgjithësisht në bulën e veshit të grave. Por tani, adoleshentët dhe të rinjtë e të dyja sekseve vënë bizhuteri pothuajse në çdo pjesë të trupit, ku mund të vendosen.
Përse shpohen?
Shumë veta shpohen, sepse mendojnë që kjo është në modë, diçka tepër e kohës. Të tjerë mendojnë se kjo do të përmirësojë pamjen e tyre të jashtme. Sigurisht, maninë e ushqen përdorimi i bizhuterive në trup nga ana e top-modeleve, yjeve të sportit dhe e muzikantëve të njohur. Madje, për disa të rinj, shpimi duket se shërben, gjithashtu, edhe si një shprehje e pavarësisë, një kërkesë për individualitet, një mënyrë për të thënë se ata nuk janë si gjithë të tjerët.
Gazetari Xhon Leo vëren: «Dëshira e zjarrtë për të acaruar prindërit dhe për të tronditur shtresën e mesme, duket se klasifikohen në majat e motiveve për t’u shpuar vazhdimisht.» Duket se këtë nevojë për të shprehur veten e drejton pakënaqësia, jokonformizmi, kundërshtimi i hapur dhe rebelimi.Ka madje edhe nga ata që shpohen për të plotësuar nevoja të thella psikologjike ose emocionale. Për shembull, disa të rinj mendojnë se kjo do t’u rritë respektin për veten. Disa që kanë qenë viktima të abuzimit kur ishin fëmijë e shikojnë si një mjet për të treguar se e kanë marrë nën kontroll trupin e tyre.
Rreziqe shëndetësore
Por, a është i sigurt gjithë ky shpim i trupit? Shumë mjekë thonë se disa lloje nuk janë të sigurta. Sigurisht, të shpohesh vetë është e rrezikshme. Por edhe të shkosh te një i ashtuquajtur shpues profesionist mund të ketë rreziqet e veta. Shumë nuk kanë një stërvitje të madhe, pasi e kanë mësuar zanatin nga miqtë, revistat ose videot. Si rrjedhojë, mbase nuk përdorin teknika sanitare ose, madje, as nuk i kuptojnë rreziqet e shpimit. Gjithashtu, shumë shpues nuk kanë njohuri për anatominë. Dhe ky nuk është një problem i vogël, pasi një vrimë në vendin e gabuar mund të shkaktojë rrjedhje gjaku jashtë mase. Prekja e një nervi mund të shkaktojë dëme të përhershme.
Një tjetër rrezik serioz është infektimi. Pajisjet e pasterilizuara mund të transmetojnë sëmundje të tilla vdekjeprurëse, si hepatiti, SIDA, tuberkulozi dhe tetanosi. Madje edhe kur përdoren teknika sterile, kujdesi pas procedurës është ende thelbësor. Një shpim në kërthizë, për shembull, ka prirje për t’u acaruar, sepse fërkohet vazhdimisht me rrobat. Prandaj, mund të dojë deri në nëntë muaj për t’u shëruar.
Mjekët thonë se të shposh kërcin e hundës ose të veshit është më e rrezikshme se të shposh bulën e veshit. Një buletin informativ i Akademisë Amerikane për Operacionet Plastike dhe Rindërtuese të Fytyrës shpjegon: «Vrimat e shumta për vathët e vënë përreth majës së veshit përbëjnë një shkak të veçantë për t’u merakosur: infeksionet serioze mund të shkaktojnë humbjen e gjithë pjesës së sipërme lakore të veshit. Edhe perçinat në hundë janë të rrezikshme: një infeksion në këtë zonë mund të përfshijë enët e gjakut që ndodhen aty pranë dhe të përhapet në tru.» Buletini përfundon: «Do të ishte ideale që [shpimi] të kufizohej në zonën e bulës së veshit.»
Rreziqe të tjera janë vragët e shëmtuara dhe reaksionet alergjike nga bizhuteritë e vëna. Nëse unazat e vëna në pjesë shumë të ndjeshme të trupit, si për shembull, gjinjtë, kapen ose tërhiqen nga rrobat, shpimet mund ta çajnë lehtësisht mishin. Vragët që formohen në gjirin e një vajze të re mund të bllokojnë gypat e qumështit dhe nëse ajo nuk kërkon të mjekohet, në të ardhmen mund ta ketë të vështirë ose të pamundur të ushqejë një foshnjë.
Shoqata Dentare Amerikane e etiketoi kohët e fundit shpimin në gojë një rrezik publik për shëndetin. Rreziqe të tjera të shpimit në zonën e gojës janë: mbytje nga gëlltitja e bizhuterive, mpirje dhe humbje të shijes në gjuhë, gjakrrjedhje e zgjatur, dhëmbë të ciflosur ose të thyer, rrjedhje në rritje e pështymës, jargëzim i pakontrolluar, dëmtim i mishit të dhëmbëve, pengesa në të folur dhe vështirësi në frymëmarrje, përtypje dhe gëlltitje. Kur një vajzë e re e quajtur Kendra, shpoi gjuhën, ajo iu «ënjt si një balonë». Për të keqësuar punët, ai që bëri shpimim përdori një perçinë të bërë për mjekrën, e cila ia çau asaj gjuhën dhe ia shqeu deri në indin e poshtëm. Kendra për pak sa nuk humbi aftësinë për të folur.
Perëndia i mësoi izraelitët, popullin e tij, të kishin respekt për trupin e tyre dhe të shmangnin gjymtimin e vetes. (Levitiku 19:28; 21:5; Ligji i përtërirë 14:1) Të krishterët e sotëm, edhe pse nuk janë nën Ligjin e Moisiut, janë ende të inkurajuar ta trajtojnë trupin e tyre me respekt. (Romakëve 12:1) A nuk duket e arsyeshme, pra, të shmangësh rreziqe të panevojshme të shëndetit? Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që duhet të mbash parasysh përveç shëndetit.
Çfarë mesazhi transmeton?
Bibla nuk jep asnjë urdhër specifik për shpimin e trupit. Por ajo na inkurajon të stolisemi me «modesti dhe mendje të shëndoshë». (1. Timoteut 2:9, BR) Edhe pse diçka mund të konsiderohet modeste në një pjesë të botës, ajo që ka vërtet rëndësi është se si konsiderohet kjo gjë aty ku jeton ti. Për shembull, shpimi i bulës së veshit nga gratë mund të konsiderohet i pranueshëm në një pjesë të botës. Por në ndonjë vend a kulturë tjetër, disa mund të ofendohen.
Edhe pse është shumë i përhapur mes njerëzve të famshëm, shpimi i trupit dhe vathët për burrat deri tani nuk kanë arritur të fitojnë një pranueshmëri të përgjithshme në vendet perëndimore. Një arsye mund të jetë se këto gjëra kanë qenë prej kohësh shenja dalluese e bashkëvuajtësve në burg, e bandave të motoçiklistëve, e këngëtarëve punk rock dhe e grupeve homoseksuale sadomazokiste. Për shumë persona, shpimi i trupit merr ngjyrimet e një sjelljeje të panatyrshme dhe të rebelimit. Një sërë njerëzish e konsiderojnë si diçka tronditëse dhe të pështirë. Një vajzë e krishterë me emrin Ashli thotë: «Një djalë në klasën time sapo ka shpuar hundën. Ai mendon se kjo është diçka fantastike. Unë mendoj se është e neveritshme!»
S’ka përse të habitemi, pra, që një dyqan shumë i njohur në Amerikë ka një rregull, sipas të cilit nëpunësit që kanë të bëjnë direkt me blerësit, janë të detyruar të mbajnë vetëm një vath në secilin vesh dhe të gjitha shpimet e tjera të dukshme janë të ndaluara. «S’mund ta parashikosh se si mund të reagojnë njerëzit»,—shpjegon zëdhënësja e një kompanie. Profesionistë që japin këshilla për karrierën, i këshillojnë në mënyrë të ngjashme studentët meshkuj të kolegjeve që bëjnë kërkesa për punë, të mos mbajnë «asnjë vath ose bizhuteri tjetër të shpuar në trup; gratë s’duhet të mbajnë . . . unaza në hundë».
Të rinjtë e krishterë në veçanti duhet të jenë të merakosur që t’u lënë të tjerëve përshtypjen e duhur, duke përfshirë edhe kohën kur janë në veprën e ungjillëzimit. Ata nuk duhet të ‘japin asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa e tyre’. (2. Korintasve 6:3, 4) Cilido qoftë opinioni yt personal për shpimin e trupit, pamja e jashtme dëshmon në mënyrë të pashmangshme për zakonet dhe stilin tënd të jetesës. Çfarë dëshmie dëshiron të lësh ti?
Në fund të fundit, ti, dhe sigurisht edhe prindërit e tu, duhet të vendosni se ç’do të bësh në këtë drejtim. «Mos u konformoni me këtë botë»,—është këshilla e shëndetshme e Biblës. (Romakëve 12:2) Në fund të fundit, je ti që ke për të jetuar me rezultatet.
[Shënimi]
^ par. 4 Me këtë, nuk e kemi fjalën për shpimin modest, që është i zakonshëm dhe i pranueshëm në kulturën e shumë vendeve. Përkundrazi, e kemi fjalën për praktikat ekstreme që janë të përhapura sot.—Shiko Kullën e Rojës, 15 maj 1974, f. 318-319, angl.
[Figurat në faqen 12]
Shpimi i trupit është tejet i përhapur ndër të rinjtë