Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lamu​—Një ishull ku koha ka ngelur në vend

Lamu​—Një ishull ku koha ka ngelur në vend

Lamu​—Një ishull ku koha ka ngelur në vend

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KENIA

PUHIA e detit i valëviste velat prej pëlhure të trashë liri, duke e çuar përpara anijen e vogël të drunjtë. Lart mbi kuvertë, i mbërthyer pas direkut, një rojë këqyrte horizontin për tokë, duke i lodhur sytë në shkëlqimin verbues të Oqeanit Indian. Ishte shekulli i 15-të dhe këta detarë ishin në kërkim të ishullit Lamu.

Ar, fildish, erëza dhe skllevër: Afrika i siguronte të gjitha. Të joshur nga thesaret e Afrikës dhe nga nxitja për të eksploruar, burra sypatrembur nga vende të largëta rrahën detet për në bregdetin e Afrikës Lindore. Marinarët përballuan me guxim dete të trazuara dhe erëra të stuhishme, në kërkim të thesareve. Të ngjeshur në anije të vogla druri me vela, ata morën rrugën për udhëtime të gjata.

Në mes të bregdetit të Afrikës Lindore, një grup i vogël ishujsh, arkipelagu Lamu, u siguroi këtyre udhëtarëve të deteve dhe anijeve të tyre të brishta një liman të thellë e të sigurt, të mbrojtur nga shkëmbinjtë koralë nënujorë. Këtu, marinarët patën mundësi të furnizonin sërish anijet e tyre me ujë të freskët dhe ushqim.

Aty nga shekulli i 15-të, ishulli Lamu ishte themeluar si një qendër e lulëzuar tregtie dhe furnizimi. Lundërtarët portugezë që mbërritën në shekullin e 16-të, gjetën tregtarë të pasur që mbanin çallma prej mëndafshi dhe kaftanë që valëviteshin. Byzylykë ari zbukuronin krahët dhe nyjat e këmbëve të grave të parfumuara, ndërsa lëviznin nëpër rrugët e ngushta. Përgjatë gjithë dokut, anijet me velat e tyre trekëndëshe të mbledhura rëndonin mbi ujë, të ngarkuara plot e përplot me pasuri për në vende të huaja. Skllevër të lidhur dhe të ngjeshur në grupe, pritnin të grumbulloheshin në barkat karakteristike me vela trekëndëshe.

Eksploruesit e hershëm evropianë mbetën të mahnitur që gjetën një nivel të lartë të higjienës publike dhe të projekteve arkitekturore në Lamu. Shtëpitë me pamje nga deti ishin të ndërtuara me blloqe korale, të skalitura me dorë nga gdhendës vendas dhe dyer të rënda prej druri, të gdhendura me shije, ruanin hyrjet e tyre. Shtëpitë ishin të vendosura në radhë të rregulluara mirë, të projektuara për t’u lejuar erërave të ftohta detare të frynin përmes rrugëve të ngushta e të siguronin freskim nga vapa mbytëse.

Shtëpitë e banorëve më të kamur ishin të mëdha e të gjera. Banjat ishin të pajisura me ujë të pastër, që transportohej përmes sistemeve hidraulike primitive. Largimi i ujërave të zeza ishte po aq mbresëlënës dhe më i zhvilluar se sistemi i shumë vendeve evropiane në atë kohë. Kanale të gjera, të gdhendura në gur, zbritnin drejt detit dhe i çonin ujërat e zeza në gropa të gërmuara thellë në rërë, të cilat gjendeshin shumë larg nga burimet me ujë të pastër. Cisternat prej guri që furnizonin shtëpitë me ujë të pastër kishin peshq të vegjël, të cilët ushqeheshin me larvat e mushkonjave, duke i pakësuar kështu këto insekte thumbuese.

Aty nga shekulli i 19-të, ishulli Lamu i furnizonte anijet me vela trekëndëshe që rrihnin oqeanet, me fildish, vaj, farëra, lëkura kafshësh, guacka breshkash, dhëmbë hipopotami dhe skllevër në numër të madh. Megjithatë, me kalimin e kohës, lulëzimi i ishullit nisi të venitej. Sëmundjet epidemike, sulmet nga fiset armike dhe kufizimet që iu vunë tregtisë së skllevërve, e zvogëluan rëndësinë ekonomike të ishullit.

Kthim në të kaluarën

Të lundrosh sot në portin e ishullit Lamu, është sikur të kthehesh prapa në histori. Era fryn pa ndërprerje nga hapësira e madhe blu e Oqeanit Indian. Valët e buta gurkali regëtijnë në bregdetin me rërë të bardhë. Barka druri sipas stilit të lashtë rrëshqasin përgjatë bregut, ndërsa velat e tyre të bardha trekëndëshe ngjajnë me flutura në fluturim. Të ngarkuara me peshq, fruta, arra kokosi, lopë, pula dhe pasagjerë, ato drejtohen për në portin e ishullit.

Në dok, pemët e palmave që fëshfërijnë në puhinë e ngrohtë, sigurojnë hije të pamjaftueshme për burrat që shkarkojnë barkat prej druri. Tregu zien nga njerëzit, që me zhurmë shkëmbejnë mallrat. Këta tregtarë nuk kërkojnë ar, fildish ose skllevër, por banane, arra kokosi, peshq dhe kosha.

Nën hijen e një peme madhështore mangoje, burrat thurin në formë gërshete kordonë të gjatë me fibra kërpi dhe riparojnë velat prej pëlhure, të cilat vënë në lëvizje barkat e tyre prej druri. Rrugët janë të ngushta dhe plot me njerëz që lëvizin në të gjitha drejtimet. Tregtarë të veshur me rrobat e tyre të bardha, të gjata e të derdhura, bërtasin nga dyqanet e tyre të rrëmujshme, duke u bërë shenjë blerësve që të hyjnë e të shohin mallrat e tyre. Një gomar, duke u sforcuar të tërheqë një karrocë prej druri të ngarkuar me thasë të rëndë me grurë, çan rrugën përmes rrjedhës së njerëzve. Banorët lëvizin nga njëra anë e ishullit në tjetrën në këmbë, pasi këtu nuk ka asnjë automjet për transportin. Hyrja në ishull bëhet vetëm me barkë.

Kur dielli arrin zenitin e tij në mesditë, duket se ka ardhur koha për të mos lëvizur. Në atë vapë mbytëse, vetëm pak njerëz lëvizin vërdallë, madje edhe gomarët qëndrojnë pa lëvizur, me sytë e mbyllur fort, në pritje të një lehtësimi nga vapa.

Ndërsa dielli nis të ulet dhe temperaturat bien, ishulli i përgjumur vjen në jetë. Tregtarët hapin dyert e rënda të gdhendura, për të rifilluar punën e tyre, që do të zgjasë deri natën vonë. Gratë lajnë fëmijët e vegjël dhe i fërkojnë me vaj arre kokosi, derisa t’u shkëlqejë lëkura. Të ulura në rrogozë të thurur me gjethe të arrës së kokosit, gratë fillojnë, gjithashtu, edhe të përgatitin ushqimin. Në këtë vend, vazhdojnë akoma të gatuajnë direkt mbi zjarr, duke përgatitur vakte të shijshme me peshk të ndrequr me erëza aromatike dhe pilaf të gatuar me qumështin e arrës së kokosit. Njerëzit janë miqësorë, mikpritës dhe të shkujdesur.

Edhe pse e ka humbur shkëlqimin e vet të dikurshëm, kultura tradicionale afrikane e periudhës para shekullit të 20-të ende lulëzon në Lamu. Nën diellin e ngrohtë tropikal, jeta vazhdon ashtu siç ka qenë për shumë shekuj. Në këtë vend, njeriu mund të vizitojë së bashku të shkuarën dhe të tashmen. Në fakt, Lamu është një i mbijetuar unik i një epoke të shkuar, një ishull ku koha ka ngelur në vend.

[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]

Vizita jonë në Lamu

Jo shumë kohë më parë, disa nga ne bëmë një vizitë në Lamu, por jo për të blerë ose për të shitur mallra. Shkuam për të vizituar vëllezërit tanë dhe motrat tona të krishtere, Dëshmitarë të Jehovait. Aeroplani ynë i lehtë fluturoi në veri, mbi bregdetin e thyer të Kenias. Tutje poshtë, valë të buta rrokulliseshin në buzëdetin e pyjeve të harlisura e të gjelbërta tropikale, të rrethuara nga një rrip me rërë të bardhë. Pastaj, sikur të dilnin nga hiçi, pamë ishujt e arkipelagut Lamu, që shkëlqenin si xhevahirë në detin ngjyrë gurkali. Ngjashëm një shqiponje të madhe afrikane, u ramë përqark ishujve dhe u lëshuam nga qielli, duke u ulur në terë mbi një pistë të vogël zbritjeje. Zbritëm, ecëm buzë ujit dhe hipëm në një barkë me vela trekëndëshe për të bërë rrugën deri në Lamu.

Ishte një ditë e bukur me diell dhe era e detit ishte e ngrohtë dhe e freskët. Kur iu afruam ishullit, vumë re se skela ziente nga njerëzit. Burra të fuqishëm ngrinin pesha të rënda nga barkat, ndërsa gratë i mbanin mallrat të ekuilibruara gjithë delikatesë mbi kokat e tyre. Duke mbajtur bagazhet tona, ecëm nëpër turmë dhe u ndalëm nën hijen e një palme. Brenda disa minutash, vëllezërit tanë të krishterë na gjetën dhe na dhanë një mirëseardhje të ngrohtë në ishullin e tyre.

Në mëngjes, u ngritëm herët pa dalë dielli, për të takuar vëllezërit tanë dhe motrat tona në bregdet. Udhëtimi për të marrë pjesë në mbledhjet e kongregacionit ishte i gjatë dhe na mori disa orë. Ishim përgatitur, duke marrë me vete ujë për të pirë, kapele me strehë të gjerë dhe këpucë të mira për ecje. Duke lënë prapa lindjen e diellit, i ngritëm velat për në terë, ku mbaheshin mbledhjet.

Vëllezërit e shfrytëzuan mundësinë për t’u dhënë dëshmi njerëzve në barkë dhe deri kur u futëm në dok, ishim kënaqur me disa biseda biblike dhe kishim lënë shumë revista. Rruga e shkretë që u shpalos para nesh, ishte e nxehtë dhe me pluhur. Ndërsa ecnim nëpër një vend të pabanuar me shkurre, na këshilluan t’i mbanim sytë hapur për kafshë të egra, duke përfshirë edhe elefantë që rastësisht mund të kalonin rrugën. Vëllezërit ishin plot hare e të lumtur, ndërsa ecnim ngadalë drejt vendmbërritjes.

Pas pak, mbërritëm në një fshat të vogël, ku takuam edhe pjesëtarë të tjerë të kongregacionit, të cilët kishin udhëtuar nga zona të largëta. Për shkak të largësive të mëdha, atë ditë do të mbaheshin katër mbledhje kongregacioni.

Mbledhjet u mbajtën në një shkollë të vogël të ndërtuar me gurë të pagdhendur, me dritare dhe dyer të papërfunduara. Brenda një klase, 15 nga ne u ulëm në stola të ngushtë druri dhe gëzuam një program të shkëlqyer të bazuar në Bibël, i cili ishte inkurajues dhe arsimues. Dukej se askush s’e kishte mendjen te vapa mbytëse që vinte nga çatia prej teneqeje mbi kokat tona. Të gjithë ishim të lumtur që ishin së bashku. Pas katër orë mbledhjeje, i thamë mirupafshim njëri-tjetrit dhe secili u nis në drejtime të ndryshme. Kur u rikthyem në Lamu, dielli i artë po ulej në horizont.

Atë mbrëmje, në freskinë e natës, gëzuam një vakt të thjeshtë me familjet e Dëshmitarëve që jetojnë në Lamu. Gjatë ditëve që pasuan, ecëm me ta në veprën e predikimit përmes rrugëve të ngushta dredha-dredha, në kërkim të njerëzve të uritur për të vërtetën biblike. Zelli dhe guximi i këtyre pak vëllezërve dhe motrave na inkurajoi.

Së fundi, erdhi edhe dita kur duhej të shkonim. Vëllezërit na çuan buzë dokut dhe me trishtim thamë mirupafshim. Ata na thanë se vizita jonë i kishte inkurajuar. Ne pyetnim veten, nëse ata e kuptonin se sa shumë na kishin inkurajuar. Me t’u kthyer në terë, shpejt i hipëm aeroplanit tonë të vogël. Ndërsa ngriheshim lart e më lart në qiell, shikonim poshtë ishullin e bukur Lamu. Reflektonim për besimin e fortë të vëllezërve që jetojnë atje, për distancat e gjata nëpër të cilat ata rrugëtojnë për të ndjekur mbledhjet dhe për zellin e dashurinë që kanë ata për të vërtetën. Kohë më parë, në Psalmin 97:1 regjistrohej kjo profeci: «Zoti [Jehovai, BR] mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.» Në të vërtetë, edhe në ishullin e largët Lamu, njerëzve po u jepet mundësia për të gëzuar shpresën e mrekullueshme të një parajse të ardhshme nën Mbretërinë e Perëndisë.​—Nga një bashkëpunëtor.

[Hartat dhe figura në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

AFRIKA

KENIA

LAMU

[Burimi i figurës në faqen 15]

© Alice Garrard

[Burimi i figurës në faqen 16]

© Alice Garrard