Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Ish-kriminel Dua t’ju shkruaj për t’ju thënë se sa shumë e vlerësova përvojën e Enrik Torres i Riu, me titull «Nga luan ulëritës në qengj të butë». (gusht 1999) Aty dilte në pah dashuria dhe mëshira e Perëndisë tonë, Jehovait, dhe se sa i durueshëm është ai me ne. Në të tregohej edhe që ne si prindër, nuk duhet të dorëzohemi kurrë lidhur me fëmijët tanë, pavarësisht se sa larg standardeve të Perëndisë mund të shkojnë ata.

J. F., Angli

U rrita si i krishterë, por për shkak të shoqërisë së keqe iu futa rrugës së drogës dhe të dhunës. Në moshën 18-vjeçare më dënuan me 25 vjet burg. Edhe pse jam rivendosur në kongregacionin e krishterë, shpesh provoj ndjenja pavlefshmërie. Por, pasi lexova këtë artikull, arrita të kuptoj se Jehovai nuk është larg atyre që e kërkojnë. Ndonëse jam ende në burg, kjo përvojë më inkurajoi që të qëndroj i fortë.

R. B., Shtetet e Bashkuara

Kolibrat Artikulli «Zogu që puth lule» (gusht 1999) ishte fantastik. Kam parë edhe më përpara kolibra, por nuk ma merrte mendja që mund të ishin kaq të vegjël. Nëpërmjet fjalëve dhe fotografive, më nxitët interesin për këto krijesa magjepsëse.

R. H., Gjermani

Më lanë mbresë informacioni dhe ilustrimet e bukura. Gjatë stinës së verës, kolibrat e vizitojnë shpesh kopshtin tim. Është vërtet kënaqësi të vëzhgosh këta zogj të mrekullueshëm. Shumë herë mjafton vetëm t’i shoh dhe më gjallërojnë shpirtin.

C.S.S., Brazil

Siguria në shkallë Faleminderit për artikullin «Përdorimi i shkallëve: A i bëni këto kontrolle sigurie?» (gusht 1999) Kohët e fundit unë rashë nga një shkallë dhe, për pasojë, m’u desh të operoja gjurin. I çmoj dhjetë sugjerimet që jepnit dhe do t’i mbaj parasysh herës tjetër që do të përdor shkallën.

D. N., Meksikë

Stacioni hapësinor Jam 16 vjeç dhe më ka magjepsur gjithnjë eksplorimi i hapësirës. Prandaj dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për artikullin «Stacioni hapësinor ndërkombëtar​—Një laborator në orbitë». (22 gusht 1999, anglisht) Artikuj të tillë janë mjaft interesantë.

K. E., Shtetet e Bashkuara

Ju i jepni lavdi këtij stacioni hapësinor pa thënë asnjë fjalë për ta dënuar. Perëndia nuk e ka përmendur këtë si pjesë të planit të tij për njeriun. Dhe kostoja e një lëshimi në hapësirë, ndërkohë që miliona njerëz vuajnë urie, është diçka e turpshme. Ju diskreditoni Perëndinë kur u jepni lavdi këtyre gjërave.

P.N.M., Angli

Bibla thotë se ‘toka u është dhënë bijve të njerëzve’. (Psalmi 115:16) Megjithatë, nuk ka ndonjë bazë biblike për të thënë se është e gabuar që njeriu të interesohet për hapësirën. Në fakt, Bibla i inkurajon njerëzit me besim që të vëzhgojnë qiejt, si një mënyrë për të vëzhguar mençurinë e Perëndisë dhe fuqinë e tij krijuese. (Psalmi 8:3, 4; 19:1) Sidoqoftë, nuk kishim për qëllim t’i jepnim lavdi stacionit hapësinor të projektuar; thjesht treguam planet për ndërtimin e tij. Nëse stacioni hapësinor do të bëjë apo jo studime që do t’i justifikojnë shpenzimet e jashtëzakonshme të bëra për të, mbetet për t’u parë.​—BOT.

Mbijetojnë nga persekutimi Sapo mbarova së lexuari artikullin «I shërbejnë Perëndisë përballë vdekjes». (22 gusht 1999, anglisht) Si rezultat i qëndrueshmërisë së vëllezërve në Angolë për më shumë se 17 vjet, ky vend që dikur dukej shterpë nga ana frymore, sot është bekuar me prodhim të bollshëm.

R. Y., Japoni