Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një botë e dhënë pas pirjes së duhanit

Një botë e dhënë pas pirjes së duhanit

Një botë e dhënë pas pirjes së duhanit

BILLI ishte një burrë i sjellshëm, një burrë i zgjuar, një burrë i fortë. Ai e donte familjen e tij. Megjithatë, qysh në një moshë të hershme nisi të pinte cigare. Më vonë, e urrente këtë ves. Edhe kur ishte duke pirë ndonjë cigare, ai i paralajmëronte seriozisht djemtë e tij në lidhje me duhanin, duke u thënë se sa punë pa mend ishte. Kishte raste kur e shtypte një paketë cigaresh në duart e tij të fuqishme dhe duke e vërvitur në dysheme, zotohej se ajo ishte cigarja e fundit që kishte pirë. Megjithatë, s’kalonte shumë dhe i kthehej prapë duhanit, së pari fshehtas e më pas hapur.

Billi vdiq nga kanceri 15 vjet më parë, pas disa muajsh me dhimbje të tmerrshme. Sikur të mos kishte pirë duhan, mbase sot do të ishte gjallë. E shoqja do të kishte akoma burrin, djemtë e tij do të kishin akoma babanë.

Sado tragjike që ishte për familjen e tij, vdekja e Billit nuk është një rast i veçantë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundjet që lidhen me duhanin vrasin çdo vit rreth katër milionë njerëz ose një person në çdo tetë sekonda. Përdorimi i duhanit është shkaku më i mënjanueshëm i sëmundjeve kudo në botë. Nëse prirjet e tanishme vazhdojnë, brenda 20 vjetëve duhani do të zërë vendin e parë në botë si shkak i vdekjeve dhe paaftësive, duke vrarë më shumë njerëz se SIDA, tuberkulozi, vdekshmëria amësore, aksidentet automobilistike, vetëvrasjet dhe vrasjet të marra së bashku.

Cigaret vrasin. Gjithsesi, ata që i pinë gjenden kudo. Anembanë botës, ka të paktën 1,1 miliard duhanpirës, pohon OBSH-ja. Kjo do të thotë pak a shumë një e treta e të rriturve të botës.

Analistët vlerësojnë se, edhe pse kompanitë e duhanit paguajnë tani qindra milionë dollarë për shkak të proceseve gjyqësore kundër tyre, kjo shumë është e vogël në krahasim me fitimet e tyre që arrijnë në disa miliarda dollarë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, fabrikat e duhanit prodhojnë rreth 1,5 miliard cigare çdo ditë. Anembanë botës, kompanitë e duhanit dhe monopolet qeveritare shesin më shumë se pesë trilionë cigare çdo vit!

Përse kaq shumë njerëz këmbëngulin në një ves vdekjeprurës? Nëse ju jeni një duhanpirës, si mund ta lini? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikujt vijues.