Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Arinjtë e murrmë të Evropës drejt zhdukjes?
Sipas Fondit Botëror për Natyrën (WWF), arinjtë e murrmë të Evropës Perëndimore janë në rrezik. Numri i tyre ka rënë në vetëm gjashtë popullata të vogla. «Popullatat më të dobëta të arinjve janë ato të Francës, të Spanjës dhe të Italisë. Mbrojtësit e tyre në këto vende paralajmërojnë se ka të ngjarë që ato të zhduken, nëse nuk shtohen me arinj nga vende të tjera»,—thuhet në The Daily Telegraph të Londrës. «Në Itali gjenden vetëm katër arinj në Alpet jugore»,—shtohet në gazetë. Në Greqi, gjuetia pa leje nga fermerët dhe bletërritësit, të zemëruar për dëmtimet në gjedhë ose për prishjen e koshereve, është një problem serioz. Në kontrast me këtë, disa pjesë të Evropës Lindore raportojnë për një lulëzim të popullatave të arinjve. Në Rumani, masat e rrepta mbrojtëse dhe programet e shtimit kanë bërë të mundur që popullatat e arinjve të zhvillohen e të rriten në numër. Gjithashtu, në Rusi, ku ariu mbrohet, gjenden rreth 36 000 arinj. «Është e domosdoshme të veprohet urgjentisht për të shpëtuar arinjtë e fundit të Evropës Perëndimore,—thotë Kalum Rankin, i Fushatës së WWF-së për Kafshët Mishngrënëse të Evropës.—Nëse nuk ndërhyhet menjëherë, këta arinj do të zhduken.»
Bamirësi që të kushton
Miliona njerëz kanë nxjerrë dobi nga ilaçet e dhuruara në kohë krize. Megjithatë, një sondazh i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbulon se shpesh ilaçet e dhuruara nuk janë të identifikuara siç duhet ose skadojnë për një kohë të shkurtër. Ndonëse dërgohen me qëllimet më të mira, shumë ilaçe, siç thotë një funksionar i OBSH-së, dr. Xhonatan Kuik, «nuk arrijnë të plotësojnë nevojat më urgjente shëndetësore. Gjithashtu, pasi hyjnë në vend, ato bllokojnë sistemet e shpërndarjes që tashmë janë të mbingarkuara dhe bëhet e vështirë që të shiten». Më shumë se gjysma e ilaçeve që iu dhuruan Bosnjes ishin të papërshtatshme. Në Armeni dhe në Mostar të Bosnje-Hercegovinës duheshin dërguar furra speciale djegieje, për të hedhur ilaçet e papërshtatshme. Kostoja e përafërt e transportit të 1000 tonë ilaçesh të papërshtatshme nga Kroacia për në vende të tjera, ku janë të nevojshme, është nga dy deri në katër milionë dollarë.
Përdorin tingujt si karrem
Siç thuhet në revistën gjermane DasTier, ndërkohë që shumica e bimëve i tërheqin pjalmuesit me anë të ngjyrës ose të aromës, bima tropikale Mucuna holtoni e kryen po këtë punë nëpërmjet reflektimit të tingujve. Këtë bimë kacavjerrëse e vizitojnë lakuriqët e natës, të cilët krijojnë një përfytyrim të gjërave që kanë përreth duke dërguar sinjale ultratingujsh. Shkencëtarët e Universitetit të Erlangenit zbuluan se nektari i bimës funksionon si një «reflektor akustik», duke i reflektuar menjëherë mbrapsht sinjalet ultratinguj në drejtim të lakuriqëve. «Në këtë mënyrë, bima ua bën më të lehtë lakuriqëve që të përcaktojnë se ku ndodhen lulet»,—thuhet në revistë.
Rreziqe nga kërpudhat
«Në Evropën Lindore dhe në Italinë Veriore, ku mbledhja e kërpudhave është një traditë, ndodhin çdo vit një numër i konsiderueshëm vdekjesh dhe helmimesh»,—thuhet në The Times të Londrës. Duke qenë se gatimi me kërpudha të egra është shumë i kërkuar, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet e ngrënies së ndonjërit nga 250 varietetet helmuese, që rriten në fshatrat e Britanisë. Kësula e vdekjes dhe engjëlli shkatërrimtar mund të jenë që të dyja vdekjeprurëse nëse hahen. Për të ruajtur veten, mbledhësit e kërpudhave inkurajohen që të bashkohen me grupe që udhëhiqen nga vëzhgues profesionistë. «Nuk ekzistojnë rregulla të thjeshta për të dalluar nëse një [kërpudhë] është e dëmshme apo jo, prandaj është marrëzi të dalësh për të mbledhur kërpudha vetë, pa pasur me vete një ekspert»,—paralajmëron një anëtar i lartë i Shoqatës Britanike të Kërpudhave.
Pasojat ekonomike të SIDA-s
Siç raportohet në Le Monde, përveçse një tragjedi e përgjithshme shëndetësore, në Afrikë, SIDA po bëhet me të shpejtë një katastrofë ekonomike. Me afro 23 milionë njerëz të infektuar me HIV dhe 2 milionë që vdesin çdo vit nga virusi, «epidemia e SIDA-s së shpejti do të ketë fshirë dobitë e zhvillimit në Afrikë». Firmat afrikane po luftojnë me mungesat gjithnjë e më të mëdha në punë ose me shtimin e numrit të vdekjeve të punonjësve, si pasojë e sëmundjes. Një kompani kombëtare hekurudhore ka humbur më shumë se 10 për qind të personelit të saj. Në një firmë tjetër të madhe, 3400 nga 11 500 punonjësit e saj
janë të infektuar me HIV. Bujqësia po dobësohet, ndërkohë që bujqit mposhten nga SIDA. Veç kësaj, arsimimi po bie dhe analfabetizmi është në rritje, pasi familjet nuk kanë as para e as kohë për t’i dërguar fëmijët në shkollë dhe qindra mësues kanë vdekur nga SIDA.Astronomët luten për qetësi
Radioastronomët, të cilët dëgjojnë për të kapur sinjale që tregojnë rreth lindjes së galaktikave të para dhe të yjeve, janë gjithnjë e më të zemëruar, siç thuhet në International Herald Tribune, për shkak të «pajisjeve të qytetërimit modern». Stacionet televizive, radiotransmetuesit, satelitët dhe celularët po mbytin zhurmën e sfondit që vjen nga hapësira, të cilën këta shkencëtarë po përpiqen ta dëgjojnë. Për të kryer studimin e tyre, astronomët po kërkojnë një vend të qetë, «ku të gjitha format e transmetimit me valë të jenë të ndaluara». Në atë vend, ata kanë ndër mend të ndërtojnë një varg radioteleskopësh të shpërndarë përgjatë qindra kilometrash, të cilët do të jenë «100 herë më të fuqishëm sesa instrumentet që janë në përdorim sot». Shkencëtarët shpresojnë se informacioni i grumbulluar pak nga pak, do të ndihmojë t’u jepen përgjigje pyetjeve lidhur me origjinën e kohës, të hapësirës dhe të lëndës.
Shpërthim i popullatës së zogjve në Meksiko
Në Meksiko, popullata e zogjve po rritet në mënyrë të pakontrolluar. Siç raportohet në gazetën Reforma, tani në zonën metropolitane jetojnë rreth 1 335 000 pëllumba. Monumentet dhe statujat janë vendet e preferuara të pushimit për këta zogj. Ekspertët që vëzhgojnë zogjtë kanë raportuar se «zogjtë që janë përshtatur me kryeqytetin i ndajnë udhëtimet e tyre të përditshme në tri faza», siç thuhet në gazetë. «Ata zgjedhin një vend për të kaluar natën, një tjetër ku kërkojnë ushqimin dhe një për kohën e lirë. Në [çdo vend] ata lënë një shenjë me glasat e tyre.» Gjithashtu, ata shkaktojnë një shumëllojshmëri sëmundjesh, që nga alergjitë deri te infeksionet bakteriale, mikotike e virale. Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen Ekologjike dhe Mbartjen Paqësore të Pëllumbave të Qyteteve «ka propozuar të nxirret një ligj për të ndaluar të ushqyerin e zogjve në zonat publike». Megjithatë, ajo propozon edhe që «të ndëshkohet kushdo që i vret zogjtë si një mënyrë për të mbajtur nën kontroll numrin e tyre».
«Përqafime vdekjeprurëse»
«Një nga pemët më të vjetra dhe më të mëdha të botës po përjeton përqafime vdekjeprurëse»,—vërehet në gazetën The Australian. Pema kauri, që gjendet në veri të Oklendit, në Zelandën e Re, vizitohet çdo vit nga mijëra turistë, që në mënyrë rituale lidhin krahët rreth trungut të saj të stërmadh, duke dëmtuar kështu rrënjët. «Pema është më shumë se 50 metra e lartë, por nuk është nga më të lartat në botë,—thuhet në gazetë.—Megjithatë, për sa i përket sasisë së drurit, është ndër më të mëdhatë.» E njohur si «plaku i pyllit», ajo është zyrtarisht 2000 vjet e lashtë, por mendohet të jetë dy herë më shumë se kaq. Pasi u ka mbijetuar për tërë këto vite katastrofave natyrore, epidemive dhe kërcënimeve për ta prerë, ajo tani po përjeton përqafime që mund t’i sjellin vdekjen. Një punonjës i ruajtjes së natyrës thotë: «Ka të ngjarë që ajo të jetë duke vdekur, por nuk e dimë nëse ky proces është i pakthyeshëm apo jo.»
Ushqimi me gji mban nën kontroll peshën?
Studiuesit thonë se kanë zbuluar një dobi tjetër të të ushqyerit me qumësht gjiri: ai mund të parandalojë që foshnja të jetë mbi peshë kur të rritet. Siç raportohet në revistën gjermane Focus, një ekip studiuesish i Universitetit të Munihut përcaktoi peshën e 9357 fëmijëve të moshës pesë deri në gjashtë vjeç dhe shqyrtoi mënyrën se si ishte ushqyer çdonjëri kur kishte qenë foshnjë. Rezultatet treguan se fëmijët që ishin ushqyer me gji për tre deri në pesë muaj, kishin 35 për qind më pak mundësi që të ishin mbi peshë kur hynin në shkollë, sesa ata që nuk ishin mëndur kurrë. Në fakt, sa më shumë kohë të ishte ushqyer një bebe me gji, aq më e vogël qe mundësia që të ishte mbi peshë. Një studiues ia atribuon këtë efekt të dobishëm përbërësve të qumështit të nënës, të cilët ndihmojnë metabolizmin.
Për sa ujë kanë nevojë fëmijët?
Fëmijët e moshës një deri në 4 vjeç shpesh pinë tepër pak lëngje. Kjo u zbulua nga një studim i Institutit Kërkimor për Ushqimin e Fëmijëve, në Dortmund të Gjermanisë, dhe u raportua në revistën e konsumatorëve Test. Fëmijët një deri në katërvjeçarë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj dehidratimit dhe duhet të pinë afro një litër lëngje në ditë, përveç atyre që i marrin me ushqimin. Mesatarisht, ata pinë një të tretën më pak se kjo sasi, dhe kjo jo gjithmonë sepse kështu duan. Studiuesit zbuluan se në 1 për çdo 5 raste, kërkesa e fëmijës për të pirë diçka ishte refuzuar nga prindi. Pija më e mirë? Revista Test thotë se kur është i sigurt, uji i thjeshtë është pija ideale.