Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Petra​—Qytet i gdhendur në shkëmb

Petra​—Qytet i gdhendur në shkëmb

Petra​—Qytet i gdhendur në shkëmb

SHUMË qytete të botës së lashtë përshkoheshin nga lumenj të mëdhenj, ujërat e bollshme të të cilëve i furnizonin dhe i mbronin. Por në kufirin veriperëndimor të Shkretëtirës Arabe ishte një qytet që binte në sy për shkak të mungesës së ujit. Emri i tij ishte Petra.

Në vendet e shkretëtirës që ishin në kufi me detin Mesdhe, rrugët e karvaneve lidhnin qytete të largëta, pak a shumë në atë mënyrë që autostradat moderne përshkojnë kontinentet. Por, ashtu si makinat kanë nevojë për pika furnizimi me karburant, edhe devetë​—me gjithë rezistencën e tyre legjendare​—kanë nevoja për pika ndalimi ku të pinë ujë. Dy mijë vjet më parë, Petra ishte një nga pikat e ndalimit për ujë më të famshme në Lindjen e Mesme.

Petra ndodhej në kryqëzimin e dy rrugëve të rëndësishme tregtare. Njëra lidhte Detin e Kuq me Damaskun dhe tjetra Gjirin Persik me Gazën, në brigjet e detit Mesdhe. Karvaneve që vinin nga Gjiri, të ngarkuara me erëza të çmuara, u duhej t’u bënin ballë me guxim për javë të tëra ashpërsive të Shkretëtirës Arabe, para se të mbërrinin më në fund në kanionin e freskët dhe të ngushtë (ose te Sik-u), që ishte hyrja mikpritëse e Petrës. Petra nënkuptonte ushqim dhe strehë e, mbi të gjitha, ujë të freskët e përtëritës.

Pa dyshim, qytetarët e Petrës nuk i jepnin këto gjëra falas. Historiani romak Plini tregon se duhej t’u jepeshin dhurata rojave, portierëve, priftërinjve dhe shërbëtorëve të mbretit, pa folur pastaj për pagesat e ushqimit të kafshëve dhe strehimit. Por çmimet shumë të larta me të cilat mund të shiteshin erëzat dhe parfumet në qytetet e begata të Evropës, bënin që karvanët të vazhdonin të vinin dhe mbushnin arkën e Petrës.

Mbledhin ujin, mposhtin gurin

Në Petra bien vetëm rreth 15 centimetra rreshje në vit dhe përrenj thuajse nuk ka fare. Si e siguruan banorët e Petrës ujin e çmuar për të mbajtur qytetin? Ata hapën kanale, rezervuarë dhe sterna në shkëmbin e fortë. Me kalimin e kohës, gati çdo pikë shiu që binte në zonën e Petrës mblidhej dhe ruhej. Mjeshtëria për të mbledhur dhe për të ruajtur ujin u dha mundësi banorëve të Petrës që të kultivonin prodhime, të rritnin deve dhe të ndërtonin një qendër tregtare. Shitësit e saj pasuroheshin nga temjani dhe mirra që kalonin nëpër duart e tyre. Edhe sot, një kanal i gurtë gjarpërues transporton ujë nëpër tërë gjatësinë e Sik-ut.

Ndërkohë që dinin si të manovronin me ujin, qytetarët e Petrës ishin edhe mjeshtra ndërtimi. Vetë emri Petra, që do të thotë «masë shkëmbore», të sjell ndër mend gurët. E Petra ishte vërtet një qytet prej guri, ndryshe nga çdo qytet tjetër në botën romake. Nabateasit, ndërtuesit e qytetit, skalitën me durim në shkëmbin e fortë shtëpitë, varret dhe tempujt e tyre. Malet prej shkëmbi të kuq ranor, në të cilat ishte strehuar Petra, qenë mjaft të përshtatshme për këtë gjë, dhe rreth shekullit të parë të e.s., në mes të shkretëtirës ishte ngritur një qytet madhështor.

Nga tregtia te turizmi

Dy mijëvjeçarë më parë, tregtia e pasuroi Petrën. Por kur romakët zbuluan rrugë detare për në Lindje, tregtia e erëzave në rrugë tokësore mori fund dhe Petra dalëngadalë u braktis në shkretëtirë. Veçse puna e muratorëve të shkretëtirës nuk u zhduk. Në ditët tona, afro gjysmë milioni turistë vizitojnë çdo vit Jordanin për të parë Petrën, qytetin ngjyrë trëndafili, ndërtesat e të cilit flasin ende për një të kaluar të lavdishme.

Pasi vizitori ka ecur përmes Sik-ut të freskët, një kilometër të gjatë, një kthesë në muret e kanionit zbulon papritmas Thesarin, një ndërtesë madhështore, fasada e së cilës është gdhendur në një shkrep masiv. Rrallë mund të ndodhë që dikush ta harrojë mbresën e parë që të lë pamja e saj, e njërës prej ndërtesave më të mirëmbajtura të shekullit të parë. Ndërtesa e mori emrin nga urna e stërmadhe prej guri që kurorëzon ndërtesën dhe ku mendohej se mbaheshin ar dhe gurë të çmuar.

Ndërkohë që kanioni zgjerohet dalëngadalë, turisti hyn në një amfiteatër natyror të paanë prej shkëmbi ranor, të mbushur me guva. Por janë varret ato që tërheqin vëmendjen e tij​—varre të gdhendura në faqen e shkëmbit, aq të larta, sa vizitorët që marrin guximin të hyjnë në brendësinë e tyre të errët, duken si shkurtabiqë. Një portik me kolona dhe teatri dëshmojnë për praninë e romakëve në qytet gjatë shekujve të parë dhe të dytë.

Beduinët e kohëve moderne, pasardhës të nabateasve, u ofrojnë udhëtime me deve turistëve që kanë më pak fuqi, shesin suvenire ose u japin ujë tufave të dhive në burimet e Petrës, të cilat u shuajnë etjen njerëzve dhe kafshëve. Rrugët e lashta e të shtruara të Petrës janë ende të rezervuara vetëm për devetë, kuajt dhe gomarët. Kështu, sot atje ndihesh si në qytetin e kohëve të lashta, kur deveja ishte mbretëreshë dhe Petra sundonte në shkretëtirë.

Ndërsa dielli perëndon pak nga pak mbi qytet, duke theksuar ngjyrën e kuqërremtë të fasadave masive, vizitori i vëmendshëm mund të meditojë për ato çka mësojmë nga Petra. Qyteti është, pa dyshim, një dëshmi e mjeshtërisë së njeriut për të ruajtur rezervat e pakta, madje edhe në një ambient të tillë jomikpritës. Por ai shërben, gjithashtu, si një përkujtues i qartë i faktit që pasuria materiale mund të ‘fluturojë drejt qiellit’ krejt papritmas.​—Fjalët e urta 23:4, 5.

[Burimi i figurës në faqen 18]

Foto lart: Garo Nalbandian