Xhevahir natyror
Xhevahir natyror
NË SHKRETITË E THATA të Afrikës, ku shiu është një gjë e rrallë, rritet një xhevahir—leandroja e lëngshme. Me një formë delikate e me degë të përdredhura njëra me tjetrën, kjo bimë rritet ngadalë dhe thuhet se jeton qindra vjet. Trungu i fryrë i pemës dhe rrënjët e saj shërbejnë si rezervuar uji, duke i dhënë mundësi bimës që të lulëzojë në një ambient të thatë e jomikpritës.
Limfa qumështore, rrënjët dhe farat e kësaj bime plot lëng përmbajnë një helm vdekjeprurës. Ekstrakti që nxirret nga farat përdoret për të helmuar majat e shigjetave. Peshkatarët vendas i hedhin degët e saj në ujë për të trullosur peshqit, që pastaj t’i zënë më kollaj. Veç kësaj, barinjtë përdorin pjesë të kësaj bime, për të përgatitur një helm që vret këpushat dhe morrat e deveve dhe të bagëtive të tyre. Çuditërisht, me gjithë natyrën vdekjeprurëse të pemës, kafshët e egra ushqehen me gjethet e saj pa pësuar ndonjë dëm.
Por pse mund të quhet xhevahir kjo bimë e helmët? E veshur me tufëza lulesh të hijshme, leandroja e lëngshme ka një pamje të mahnitshme, me ngjyra plot jetë që shkojnë nga e trëndafiltë e feksur në të kuqe të thellë. Kur toka është e thatë e ka një pamje si të shpëlarë, ky xhevahir i bukur natyror nxjerr një mori lulesh që shkëlqejnë ndërsa ndriçohen nga rrezet e diellit.
Një bukuri e tillë e jashtëzakonshme në shkretëtirë nuk është veçse një përkujtues i kohës kur «shkretëtira dhe rajoni pa ujë do të hidhen nga gëzimi dhe fusha e shkretë do të gëzojë e do të lulëzojë». (Isaia 35:1, BR) Ky premtim i këndshëm do të bëhet vërtet realitet nën sundimin e afërt të Mbretërisë së Perëndisë. Në atë kohë, gjithë toka do të ‘hidhet nga gëzimi’, duke u bërë jo vetëm një parajsë bukurie, por edhe një vend paqeje për tërë njerëzimin.—Psalmi 37:11, 29; Isaia 35:6, 7.
[Burimi i figurës në faqen 31]
© Mary Ann McDonald