A do të bashkohet vërtet Evropa?
A do të bashkohet vërtet Evropa?
NËSE ju duket e vështirë ta besoni se Evropa e ka marrë seriozisht çështjen e bashkimit, ju duhet vetëm të kaloni disa nga kufijtë e saj të brendshëm. Tani njerëzit lëvizin lirisht brenda Bashkimit Evropian (BE). Pritja në pikëkalimet e kufirit thuajse nuk ekziston më. Udhëtarët janë, pa dyshim, të kënaqur, por nuk janë të vetmit që përfitojnë. Tani qytetarët e vendeve të BE-së mund të studiojnë, të punojnë e të hapin aktivitetet e tyre pa problem në çfarëdo vendi brenda BE-së. Kjo gjë, nga ana e saj, ka bërë që të përparojnë ekonomikisht edhe rajonet më të varfra të Bashkimit Evropian.
Lehtësia e kalimit të kufijve është, pa dyshim, një ndryshim i madh. Megjithatë, a duhet të arrijmë në përfundimin se tashmë Evropa është një e tërë dhe se nuk ekziston asnjë pengesë për njësimin e saj? Përkundrazi, pengesat shquhen përpara dhe disa prej tyre janë mjaft shkurajuese. Por, përpara se të diskutojmë për to, le të shqyrtojmë një nga hapat më të mëdhenj që janë bërë deri tani drejt unitetit. Kështu mund të kuptojmë më mirë përse njerëzit ushqejnë kaq shumë shpresa për unitetin.
Hapa drejt njësimit monetar
Mbajtja e kufijve mund të jetë e kushtueshme. Dikur formalitetet doganore midis 15 vendeve anëtare të BE-së u kushtonin atyre afro 12 miliardë euro në vit. Nuk është për t’u habitur, pra, që situata e re në kufijtë e Evropës i ka dhënë hov zhvillimit ekonomik. Kur mendon për 370 milionë banorët e BE-së që lëvizin lirisht nga një vend në tjetrin brenda një tregu të vetëm e të përbashkët, është e qartë se potenciali ekonomik është i jashtëzakonshëm. Ç’gjë e bëri të mundur këtë progres?
Disa vjet më parë, në shkurt 1992, krerët qeveritarë ndërmorën një hap të madh në rrugën drejt bashkimit, duke nënshkruar Traktatin e Bashkimit Evropian ose Traktatin e Maastrihtit.
Ky traktat hodhi themelet për krijimin e një tregu të bashkuar brenda Evropës, të një banke qendrore dhe të një monedhe të vetme. Gjithsesi, duhej të pasonte edhe një hap tjetër i rëndësishëm: eliminimi i luhatjeve në kursin e këmbimit valutor. Në fund të fundit, kursi i nesërm i këmbimit mund të bëjë që marrëveshjet e sotme tregtare të shihen nga një këndvështrim krejt i ri.Kjo pengesë në rrugën drejt unitetit u hoq duke krijuar Bashkimin Monetar dhe Ekonomik (BME) e duke futur në qarkullim euron si monedhë të përbashkët. Humbjet që vinin nga këmbimi i parave tani janë zhdukur dhe bizneseve nuk u duhet më të mbrojnë veten nga rreziqet e kursit të shkëmbimit. Rezultati është pakësimi i humbjeve në fushën e biznesit dhe një tregti ndërkombëtare e zgjeruar. Kjo, nga ana e saj, mund të çojë në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe në rritjen e fuqisë blerëse, çka do t’i sillte dobi kujtdo.
Themelimi i Bankës Qendrore Evropiane në vitin 1998 shënoi një hap tjetër të rëndësishëm drejt adoptimit të një monedhe të vetme. Kjo bankë e pavarur, që gjendet në qytetin gjerman të Frankfurtit, ka një autoritet absolut monetar mbi qeveritë pjesëmarrëse. Ajo përpiqet ta mbajë inflacionin në nivele të ulëta në atë pjesë të Evropës që është quajtur eurozonë, e cila përbëhet nga 11 vende pjesëmarrëse, * si edhe të stabilizojë luhatjet e kursit të këmbimit ndërmjet euros, dollarit dhe jenit.
Pra, kur bëhet fjalë për paranë, duhet thënë se janë bërë hapa të mëdhenj drejt unitetit. Megjithatë, vështirësitë financiare ilustrojnë edhe ndarjen e thellë që ekziston ende mes vendeve evropiane.
Vështirësi të tjera financiare
Vendet më të varfra në BE kanë ankesat e tyre. Ato mendojnë se vendet anëtare më të pasura nuk po i ndajnë sa duhet me to të mirat e bollshme materiale. Asnjë nga kombet anëtare nuk e mohon nevojën për t’u ofruar partnerëve më të varfër evropianë një mbështetje më të madhe financiare. Megjithatë, kombet më të pasura mendojnë se kanë arsye të vlefshme për t’u frenuar në këtë aspekt.
Le të marrim si shembull rastin e Gjermanisë. Entuziazmi i këtij vendi për të financuar bashkimin e Evropës duket qartë se ka rënë, tani që i është rënduar shumë barra e vet financiare. Vetëm shpenzimet për të bashkuar Gjermaninë Lindore me Gjermaninë Perëndimore kanë qenë
kolosale: thuajse njëqind miliardë dollarë në vit. Kjo shumë është sa një e katërta e buxhetit kombëtar. Këto zhvillime kanë bërë që borxhi kombëtar të ngrihet në qiell, aq sa Gjermanisë i është dashur të bëjë përpjekje të mëdha për të plotësuar kriteret e pranimit të vendosura nga BME-ja.Anëtarë të rinj trokasin në derën e BE-së
Për të ardhmen e afërt, përkrahësit e një monedhe të përbashkët shpresojnë se vendet e BE-së që nuk janë ende në BME do t’i kapërcejnë pengesat e tyre para vitit 2002, kohë kur monedhat dhe kartëmonedhat e euros mendohet se do të zëvendësojnë monedhat e sotme të Evropës. Nëse Britania, Danimarka dhe Suedia e mposhtin ngurrimin, edhe njerëzit që jetojnë në këto vende mund të shohin zëvendësimin e paundit, të koronës dhe të kronës të tyre nga euroja.
Ndërkohë, gjashtë vende të tjera evropiane po trokasin në derën e BE-së. Ato janë Estonia, Hungaria, Polonia, Qiproja, Republika Çeke dhe Sllovenia. Pesë vende të tjera po presin radhën, dhe pikërisht Bullgaria, Letonia, Lituania, Rumania dhe Sllovakia. Hyrja e tyre nuk do të kushtojë pak. Është llogaritur se nga viti 2000 deri në vitin 2006, BE-së do t’i duhet të sigurojë 80 miliardë euro për të ndihmuar dhjetë të sapoardhurit nga Evropa Lindore.
Megjithatë, fondet që duhet të mbledhin të sapoardhurit, me qëllim që të plotësojnë kërkesat
për të hyrë në BE janë shumë herë më të mëdha sesa shuma që do të marrin nga ndihma e BE-së. Për shembull, Hungarisë do t’i duhet të shpenzojë 12 miliardë euro për zhvillimin e rrugëve dhe të hekurudhave. Republika Çeke do të duhet të harxhojë më shumë se 3,4 miliardë euro vetëm për pastrimin e ujit dhe Polonia duhet të shpenzojë 3 miliardë euro për të pakësuar gazet e squfurit. Prapëseprapë, kandidatët mendojnë se dobitë i tejkalojnë shpenzimet. Para së gjithash, tregtia e tyre me vendet e BE-së do të shtohet. Megjithatë, kandidatëve mund t’u duhet që të presin një copë herë. Sipas opinionit të sotëm publik, vende të reja anëtare duhen pranuar vetëm pasi BE-ja të ketë ndrequr çështjet e veta financiare.Mëri, nacionalizëm dhe papunësi
Pavarësisht nga gjithë përpjekjet që janë bërë për një unitet më të madh, si brenda, ashtu edhe jashtë Evropës ndihet meraku për zhvillimet në kontinent. Ekziston edhe një shqetësim i madh rreth mënyrës se si duhen zgjidhur konfliktet etnike të tilla, si ato në rajonin e copëtuar të Ballkanit: fillimisht lufta në Bosnje e pastaj konflikti në Kosovë. Shpesh, vendet anëtare të BE-së nuk janë të një mendjeje rreth mënyrës se si duhen zgjidhur konflikte të tilla në Evropë ose jashtë saj. Duke qenë se BE-ja nuk është një federatë shtetesh dhe nuk ndjek një politikë të jashtme të përbashkët, shumë shpesh mbizotërojnë interesat kombëtare. Është e qartë që interesat kombëtare janë një pengesë e stërmadhe për krijimin e ‘Shteteve të Bashkuara të Evropës’.
Evropa ka edhe një problem tjetër të ngutshëm për të zgjidhur: shkallën e lartë të papunësisë. Mesatarisht, 10 për qind e fuqisë punëtore është e papunë. Kjo do të thotë se janë pa punë më shumë se 16 milionë veta. Në shumë vende, të rinjtë, të cilët përbëjnë thuajse një të katërtën e popullsisë së BE-së, bëjnë ç’të munden për të gjetur punë, por më kot. S’është çudi që shumë njerëz mendojnë se të luftosh papunësinë në masë është sfida numër një e Evropës. Deri tani përpjekjet për të përmirësuar tregun e punës kanë qenë të pafrytshme.
Por, ekziston një pengesë akoma më e madhe për unitetin.
Kush kryeson?
Pavarësia ngelet pengesa më e madhe për të krijuar një Evropë të bashkuar. Vendet anëtare duhet të bien dakord se deri në çfarë mase janë të gatshme të heqin dorë nga pavarësia kombëtare. Synimi i BE-së është që të krijojë një formë mbikombëtare sundimi. Nëse nuk arrihet kjo gjë, siç vërehet në gazetën Le Monde, vënia në qarkullim e euros do të jetë thjesht «një fitore e përkohshme». Sidoqoftë, disa vendeve anëtare u duket e vështirë ta gëlltitin idenë se mund të lënë t’u ikë nga duart autoriteti. Për shembull, udhëheqësi i një kombi anëtar të BE-së tha se vendi i tij kishte «lindur për të qenë një udhëheqës i kombeve, jo një pasues».
Me të drejtë, kombet më të vogla anëtare kanë frikë se me kalimin e kohës, kombet më të mëdha do të marrin në dorë komandën dhe nuk do të pranojnë të miratohen vendime që mund të dëmtojnë interesat e tyre vetjake. Kombet më të vogla vrasin mendjen se si do të vendoset, për shembull, se në cilat vende do të jenë selitë e agjencive të ndryshme të BE-së. Ky është një vendim i rëndësishëm, sepse këto agjenci rritin tregun e punës të vendeve ku ndodhen.
Përballë këtyre pengesave shkurajuese për unitetin—pabarazisë ekonomike, luftës, papunësisë dhe nacionalizmit—mund të jetë e lehtë që të ndihesh pesimist lidhur me njësimin e Evropës. Megjithatë, faktikisht është bërë një përparim i jashtëzakonshëm. Se sa përparim do të bëhet akoma në të ardhmen, nuk mund të thuhet me siguri. Problemet që shqetësojnë ata që përpiqen të bashkojnë Evropën janë, kryesisht, të njëjtat probleme që shqetësojnë gjithë qeveritë njerëzore.
A do të jetë ndonjëherë e mundur që të krijohet një qeveri, e cila mund të zgjidhë probleme të tilla, si: konfliktet etnike, papunësia në masë, varfëria dhe luftërat? A është realiste të mendojmë për një botë ku njerëzit jetojnë në unitet të vërtetë? Në artikullin vijues, ku do të trajtohen këto pyetje, do të gjeni një përgjigje që mund t’ju habitë.
[Shënimi]
^ par. 8 Këto vende janë Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Portugalia dhe Spanja. Për arsye të ndryshme, Britania e Madhe, Danimarka, Greqia dhe Suedia nuk janë përfshirë ende.
[Kutia në faqen 6]
Ja, po mbërrin euroja!
Edhe pse monedhat e kartëmonedhat e sotme të vendeve të Bashkimit Evropian nuk do të zhduken nga skena para vitit 2002, tashmë veprimet tregtare që s’kryhen me para në dorë po bëhen në euro. Ky ndryshim monetar ka qenë një sipërmarrje e jashtëzakonshme për bankat. Megjithatë, kursi i këmbimit midis monedhave të vendeve anëtare dhe euros tani është i palëvizshëm. Gjithashtu, bursat i paraqesin çmimet në euro. Shumë dyqane dhe firma i shesin tani mallrat e tyre si në monedhën vendase, ashtu edhe në euro.
Këto marrëdhënie tregtare kërkojnë të bëhen rregullime rrënjësore, që janë veçanërisht të tilla për shumë persona të moshuar. Ata s’do të munden të përdorin më markat, frangat ose lirat e tyre, me të cilat janë të familjarizuar. Edhe arkat e parave dhe bankat automatike duhen modifikuar. Në mënyrë që ndryshimi të bëhet sa më lehtë që të jetë e mundur, janë organizuar fushata zyrtare informimi, për t’i njoftuar njerëzit rreth daljes në skenë të euros dhe përdorimit të saj.
Pavarësisht nga pengesat e tjera, euroja po mbërrin. Në fakt, prerja dhe stampimi i euros tashmë ka filluar. E kjo është një punë kolosale. Edhe në një vend të vogël si Holanda, me rreth 15 milionë banorë, makineritë për prerjen dhe stampimin e parave do të funksionojnë për tre vjet rresht, në mënyrë që deri më 1 janar 2002 të jenë prodhuar 2,8 miliardë monedha dhe 380 milionë kartëmonedha. Po të stivoseshin njëra mbi tjetrën të gjitha këto kartëmonedha të reja, do të bëhej një pirg rreth 20 kilometra i lartë.
[Kutia në faqen 7]
«Një euromasakër»?
Aty nga fillimi i vitit 1999, Komisioni Evropian, trupi ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE), mezi mbijetoi nga një goditje e rëndë. Kundër tij u hodhën akuzat për mashtrim, korrupsion dhe nepotizëm. U krijua një komitet për të hetuar rreth akuzave. Pas një hetimi gjashtëjavësh, komiteti zbuloi se nga ana e Komisionit Evropian ishin bërë mashtrime dhe keqadministrim. Megjithatë, komiteti hetues nuk zbuloi asnjë dëshmi se ishin pasuruar vetë anëtarët e komisionit.
Pasi u bë publik raporti i komitetit, gjithë Komisioni Evropian dha dorëheqjen në mars të 1999-s: një veprim i paparë ndonjëherë. Kjo gjë shkaktoi një krizë të thellë për BE-në. Revista Time e quajti «një euromasakër». Vetëm koha do ta tregojë se ç’efekte do të ketë kjo krizë në procesin e bashkimit të Evropës.
[Figura në faqen 5]
Tashmë kalimi i kufijve në Evropë është bërë shumë më i thjeshtë
[Figura në faqen 7]
Banka Qendrore Evropiane, në Frankfurt, Gjermani, u themelua në vitin 1998