«Beteja nuk është juaja, por e Perëndisë»
«Beteja nuk është juaja, por e Perëndisë»
TREGUAR NGA W. GLEN HAU
Në gjashtë dekadat e kaluara, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë shumë beteja ligjore në Kanada. Fitoret e tyre nuk kanë kaluar pa u vënë re nga qarqet ligjore. Për rolin që kam luajtur në disa nga këto beteja, kohët e fundit Shoqata Amerikane e Avokatëve Mbrojtës më dha Çmimin për Mbrojtje të Guximshme. Në ceremoninë e dhënies së çmimit, u pohua se çështjet që përfshinin Dëshmitarët e Jehovait «formuan mure mbrojtëse të rëndësishme kundër veprimeve të skajshme shtetërore . . . sepse krijuan një kartë të nënkuptuar të drejtash, e cila qe njohur ligjërisht, një kartë që njihte dhe mbronte liritë e të gjithë kanadezëve». Më lejoni t’ju tregoj hollësi nga disa çështje të tilla gjyqësore dhe si u lidha me ligjin dhe me Dëshmitarët e Jehovait.
NË VITIN 1924, Xhorxh Riksi, një Student i Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, u bëri vizitë prindërve të mi që jetonin në Toronto, Kanada. Mamaja, Besi Hau, një grua e imët, e ftoi brenda për të biseduar. Unë isha 5 vjeç dhe vëllai im Xhoi 3 vjeç.
Pas pak kohësh, mamaja filloi të ndiqte mbledhjet e Studentëve të Biblës në Toronto. Në vitin 1929 u bë pioniere ose shërbëtore në kohë të plotë, dhe vazhdoi në këtë aktivitet deri në vitin 1969, kur mbaroi rrugën e saj tokësore. Shërbimi i saj i vendosur e i palodhur ishte një shembull i shkëlqyer për ne dhe ndihmoi shumë veta të njihnin të vërtetën biblike.
Babai, Frenk Hau, ishte një njeri i qetë, i cili fillimisht iu kundërvu aktiviteteve fetare të mamasë. Megjithatë, me mençuri ajo ftonte shërbëtorë udhëtues, si Xhorxh Jang, që të bënin vizita dhe të flitnin me të. Me kohë, qëndrimi i babait u zbut. Ndërsa vërente efektin dobiprurës të së vërtetës biblike në familjen e tij, ai u bë shumë përkrahës, edhe pse vetë nuk u bë kurrë Dëshmitar.
Marr vendimin për t’i shërbyer Perëndisë
Në vitin 1936 mbarova shkollën e mesme. Gjatë adoleshencës, nuk isha shumë i interesuar për gjërat frymore. Ishim në mes të Krizës së Madhe dhe perspektivat për punë ishin shumë të pakta. Prandaj hyra në Universitetin e Torontos. Në vitin 1940, vendosa të hyja në fakultetin e juridikut. Ky vendim nuk e habiti nënën time. Kur isha fëmijë, ajo thoshte shpesh me dëshpërim: «Ky mistrec i vogël debaton për çdo gjë! Ka shumë mundësi që të bëhet avokat kur të rritet.»
Më 4 korrik 1940, tamam para se të filloja fakultetin e juridikut, qeveria kanadeze i vuri në ndalim Dëshmitarët e Jehovait, pa asnjë paralajmërim. Kjo qe pika e kthesës në jetën time. Kur i gjithë pushteti qeveritar vuri në shënjestër këtë organizatë të vogël me njerëz të pafajshëm e të përulur, u binda se Dëshmitarët e Jehovait ishin ithtarët e vërtetë të Jezuit. Pikërisht siç kishte profetizuar ai, ata qenë «objekt urrejtjeje nga të gjitha kombet për shkak të emrit [të tij]». (Mateu 24:9, BR) Vendosa t’i shërbeja Fuqisë Hyjnore që qëndronte pas kësaj organizate. Më 10 shkurt 1941 e simbolizova dedikimin tim ndaj Perëndisë Jehova me pagëzimin në ujë.
Doja të filloja menjëherë veprën e pionierit. Megjithatë, Xhek Neithëni, i cili në atë kohë ishte një nga ata që merrnin drejtimin në veprën e predikimit në Kanada, më inkurajoi të përfundoja kualifikimin juridik. Kështu bëra dhe u diplomova në maj të 1943-shit. Pas kësaj fillova shërbimin si pionier. Në gusht, më ftuan të shërbeja në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower në Toronto dhe të ndihmoja në problemet ligjore që po hasnin Dëshmitarët e Jehovait. Muajin vijues më pranuan në regjistrin e avokatëve në Ontario, Kanada.
Mbrojmë ligjërisht lajmin e mirë
Lufta II Botërore ishte në kulmin e saj dhe Dëshmitarët në Kanada ishin ende nën ndalim. Burra e gra po i burgosnin thjesht sepse ishin Dëshmitarë të Jehovait. Fëmijët i përjashtonin nga shkolla e, madje, disa i çonin nëpër familje birësuese. Këtë e bënin sepse këta fëmijë refuzonin të përfshiheshin në forma nacionaliste adhurimi, si për shembull, nderimi i flamurit ose këndimi i himnit kombëtar. Profesori Uilliam Kaplan, i cili shkroi librin me titull State and Salvation: The Jehovah’s Witnesses and Their Fight for Civil Rights, tha se «Dëshmitarët i shanë publikisht dhe qenë objekt i veprimeve shtetërore dhe i sulmeve private nga një qeveri jotoleruese dhe nga qytetarë armiqësorë që i kishte zënë dalldia e pasioneve dhe e patriotizmit të luftës».
Dëshmitarët kishin provuar ta hiqnin ndalimin, por pa sukses. Papritur, më 14 tetor 1943, ndalimi u hoq. Megjithatë, Dëshmitarët ishin ende nëpër burgje e kampe pune, fëmijët nuk lejoheshin të frekuentonin shkollat publike dhe, veç kësaj, vazhdonte ndalimi ndaj Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, si edhe ndaj Shoqatës Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës, një korporatë që kishte në pronësi pronat tona në Toronto.
Nga fundi i 1943-shit shkova në Nju-Jork së bashku me Përsi Çapmanin, i cili ishte shërbëtori i degës në Kanada, për t’u konsultuar me Neithën Norin, që atëherë ishte presidenti i Shoqatës Watch Tower, si edhe me Hejden Kavintënin, zëvendëspresident dhe këshilltar ligjor i Shoqatës. Përvoja në fushën ligjore e vëllait Kavintën ishte e jashtëzakonshme. Me kalimin e kohës, ai fitoi 36 nga 45 apelet që ishin bërë në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara.
Për Dëshmitarët në Kanada lehtësimi erdhi dalëngadalë. Në vitin 1944 na u kthye prona e degës në Toronto dhe ata që kishin shërbyer atje para ndalimit u kthyen prapë. Në vitin
1945, gjykata më e lartë për provincën e Ontarios, deklaroi se fëmijët mund të mos detyrohen të marrin pjesë në aktivitete ndaj të cilave kanë kundërshtime për arsye të ndërgjegjes. Ajo dekretoi që fëmijët e përjashtuar nga shkollat të pranoheshin prapë. Më në fund, në vitin 1946 qeveria kanadeze i liroi të gjithë Dëshmitarët nga kampet e punës. Nën drejtimin e vëllait Kavintën, mësova të luftoja për këto çështje me guxim e me vendosmëri, por, mbi të gjitha, duke u mbështetur te Jehovai.Beteja e Kuebekut
Ndërkohë që në shumë pjesë të Kanadasë liria fetare e Dëshmitarëve të Jehovait tani respektohej, kishte një përjashtim: provinca katolike franceze e Kuebekut. Kjo provincë kishte qenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kishës Katolike të Romës për më shumë se 300 vjet. Shkollat, spitalet dhe shumica e shërbimeve publike ose drejtoheshin, ose kontrolloheshin nga klerikët. Madje, përbri karriges së kryetarit të parlamentit të Kuebekut kishte edhe një fron për kardinalin katolik.
Kryeministri dhe prokurori i përgjithshëm i Kuebekut, Moris Dyplesi, ishte një diktator që, sipas historianit kuebekas Zherar Peletie, diktoi mbi provincën «një regjim njëzetvjeçar të karakterizuar nga gënjeshtrat, padrejtësia dhe korrupsioni, shpërdorimi sistematik i pushtetit, ndikimi i njerëzve me mendje të ngushtë dhe triumfi i budallallëkut». Dyplesi e përforcoi pushtetin e tij politik duke punuar krah për krah me kardinalin katolik Vilnëvë.
Në fillim të viteve 40 të shekullit të 20-të, në Kuebek kishte 300 Dëshmitarë. Shumë veta, duke përfshirë edhe Xhoin, vëllanë tim, ishin pionierë që kishin ardhur nga vende të tjera të Kanadasë. Dora-dorës që vepra e predikimit në Kuebek u rrit, policia vendëse, nën presionin e klerit, u kundërpërgjigj, duke i ngacmuar Dëshmitarët me arrestime të vazhdueshme dhe duke ua aplikuar në mënyrë të gabuar urdhëresat tregtare aktiviteteve tona fetare.
Udhëtoja kaq shpesh nga Torontoja në Kuebek dhe anasjelltas, saqë përfundimisht më caktuan të transferohesha në Kuebek, për të ndihmuar avokatët që nuk ishin Dëshmitarë, të cilët po përfaqësonin vëllezërit tanë të krishterë dhe motrat tona të krishtere. Çdo ditë, puna ime e parë ishte të gjeja sa veta kishin arrestuar një ditë më parë dhe të nxitoja në gjykatën vendëse për të rregulluar lirimin me kusht. Lumturisht, një Dëshmitar me gjendje të mirë financiare, Frenk Ronkareli, siguronte paratë për lirimin me kusht në shumë nga këto raste.
Nga viti 1944 deri në vitin 1946, numri i padive për shkelje të supozuara urdhëresash u rrit nga 40 në 800. Jo vetëm që autoritetet publike po arrestonin dhe po ngacmonin vazhdimisht Dëshmitarët, por edhe turma të egërsuara, të nxitura nga kleri katolik, i sulmonin ata.
Më 2 dhe 3 nëntor 1946, në Monreal u mbajt një mbledhje speciale për të trajtuar këtë krizë. Vëllai Nor mbajti fjalimin përmbyllës, me titull «Çfarë do të bëjmë?» Të gjithë të pranishmit u kënaqën kur dëgjuan përgjigjen: ai lexoi me zë të lartë dokumentin që tani është bërë historik, Quebec’s Burning Hate for God and Christ and Freedom Is the Shame of All Canada (Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut për Perëndinë, për Krishtin
dhe për lirinë është turpi i gjithë Kanadasë). Kjo ishte një fletushkë e zjarrtë katërfaqëshe, një dokument i hollësishëm që përmbante emra, data dhe vende të përleshjeve të nxitura nga kleri, të mizorisë së policisë, të arrestimeve dhe të dhunës nga ana e turmave kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Kuebek. Shpërndarja e saj filloi në gjithë Kanadanë vetëm 12 ditë më vonë.Brenda disa ditësh, Dyplesi njoftoi publikisht një «luftë pa mëshirë» kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Por, pa dashje, ai veproi në favorin tonë. Si kështu? Ai dha urdhër që, kushdo që shpërndante fletushkën Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut, të akuzohej për nxitje kryengritjeje, një krim shumë i rëndë që do të na çonte nga gjykatat e Kuebekut në Gjykatën Supreme të Kanadasë. Në inat e sipër, Dyplesi, pa u menduar, e shpërfilli këtë pasojë. Më pas, personalisht ai urdhëroi që t’i hiqej leja për të tregtuar pije Frenk Ronkarelit, i cili kishte qenë burimi ynë kryesor për paratë e dorëzanisë. Duke mos pasur më verë në dispozicion, restoranti i shkëlqyer që kishte vëllai Ronkareli në Monreal u mbyll brenda pak muajsh dhe ai u rrënua financiarisht.
Arrestimet u shumëfishuan. Në vend të 800 padive, shumë shpejt u gjendëm përballë 1600 të tillave. Shumë avokatë dhe gjykatës u ankuan se të gjitha këto raste të Dëshmitarëve të Jehovait po bllokonin gjykatat e Kuebekut. Duke iu përgjigjur, ne u sugjeruam një zgjidhje të thjeshtë: policia të arrestojë kriminelët në vend të të krishterëve. Kjo do ta zgjidhte problemin.
Dy avokatë të guximshëm me origjinë judaike, A. L. Stein nga Monreali dhe Sem S. Bard nga qyteti Kuebek, ndihmuan duke na përfaqësuar në shumë raste, sidomos para se të më pranonin në regjistrin e avokatëve në Kuebek, në vitin 1949. Pier Eliot Trydo, i cili më vonë u bë kryeministër i Kanadasë, shkroi se Dëshmitarët e Jehovait në Kuebek i kishte «tallur, persekutuar dhe urryer e gjithë shoqëria jonë, por ata kanë përdorur mjete ligjore për të luftuar kishën, qeverinë, kombin, policinë dhe opinionin publik».
Qëndrimi i gjykatave të Kuebekut u bë i dukshëm në trajtimin e vëllait tim, Xhoit. Atë e akuzuan se prishte paqen. Gjyqtari i shkallës së parë për çështjet kriminale, Zhan Mersie, e dënoi Xhoin me dënimin maksimal, 60 ditë burg. Pastaj, duke humbur krejtësisht kontrollin, ai bërtiti, që nga vendi i gjykatësit ku ishte ulur, se do të kishte dëshirë ta dënonte Xhoin me burgim të përjetshëm!
Në një gazetë u tha se Mersie i dha urdhër policisë së Kuebekut të «arrestonte, me të parë, çdo Dëshmitar që njihej ose që dyshohej se ishte i tillë». Një sjellje e tillë vetëm sa provoi vërtetësinë e akuzave që kishim bërë në fletushkën tonë Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut. Më poshtë vijojnë disa tituj tipikë të faqeve të para në disa gazeta kanadeze jashtë Kuebekut: «Në Kuebek kthehet epoka e errësirës» (The Toronto Star), «Rikthimi i Inkuizicionit» (The Globe and Mail, Toronto), «Duhma e fashizmit» (The Gazette, Glejs Bej, Skocia e Re).
Luftojmë kundër akuzës së nxitjes për kryengritje
Në vitin 1947, ndihmova z. Stein në rastin e parë të cilit iu bë proces gjyqësor lidhur me akuzën e nxitjes për kryengritje, rastin e Emé Bushesë. Eméu kishte shpërndarë disa
fletushka afër shtëpisë së tij. Gjatë gjyqit të Eméut provuam se fletushka Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut nuk përmbante mashtrime, por vetëm që përdorte një gjuhë të fortë për t’u ankuar për mizoritë që ishin kryer kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Treguam se ndaj atyre që kishin kryer këto mizori nuk ishin bërë ndonjëherë akuza. Eméun e kishin burgosur vetëm sepse i bëri ato publike. Më në fund, sipas padisë doli që: të thoshe të vërtetën konsiderohej krim.Gjykatat e Kuebekut ishin mbështetur në një përkufizim të mjegullt 350-vjeçar lidhur me «nxitjen për kryengritje», ku thuhej se kushdo që kritikonte qeverinë mund të dënohej për një krim. Edhe Dyplesi mbështetej në këtë përkufizim për të shtypur kritikat ndaj regjimit të tij. Por në vitin 1950, Gjykata Supreme e Kanadasë pranoi pikëpamjen tonë, sipas së cilës në një demokraci moderne, mund të quhet «nxitje për kryengritje» vetëm nxitja e dhunës ose ngritja kundër qeverisë. Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut nuk përmbante nxitje të tilla, prandaj ishte një formë e ligjshme e lirisë së fjalës. Me këtë vendim historik, të 123 rastet e nxitjes për kryengritje u zhvlerësuan. E pashë drejtpërdrejt se si Jehovai kishte dhënë fitoren.
Luftojmë kundër censurës
Qyteti Kuebek kishte një urdhëresë që ndalonte shpërndarjen e literaturës pa lejen e shefit të policisë. Kjo ishte një censurë e drejtpërdrejtë, pra, një shkelje e lirisë fetare. Lorie Somyr, që atëherë shërbente si mbikëqyrës udhëtues, ishte burgosur tre muaj sipas kësaj urdhërese dhe iu bënë disa akuza të tjera sipas saj.
Në vitin 1947, bëmë një kërkesë civile në emër të vëllait Somyr, që ta ndalonte qytetin Kuebek të përdorte këtë urdhëresë kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Gjykatat e Kuebekut dekretuan jo në favorin tonë dhe iu apeluam përsëri Gjykatës Supreme të Kanadasë. Në tetor 1953, pas shtatë ditësh me seanca, para të nëntë gjykatësve të asaj Gjykate, kërkesa jonë për ndalimin e urdhëresës u pranua. Gjykata e pranoi se shpërndarja publike e fjalimeve biblike të shtypura është pjesë themelore e adhurimit të krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait e, si rrjedhojë, ishte e mbrojtur me kushtetutë nga censura.
Kështu, rasti Bushe përcaktoi se ajo që thoshin Dëshmitarët e Jehovait ishte e ligjshme, por rasti Somyr përcaktoi si dhe ku mund të thuhej. Fitorja në rastin Somyr çoi në zhvlerësimin e më shumë se 1100 akuzave për shkelje urdhëresash në Kuebek. Më shumë se 500 akuza në Monreal, po ashtu, u tërhoqën për mungesë të plotë provash. Shpejt, regjistri ishte i pastër: në Kuebek nuk kishte më padi.
Sulmi përfundimtar i Dyplesisë
Meqë nuk i kishin mbetur më ligje për të përdorur kundër Dëshmitarëve të Jehovait, në fillim të janarit të 1954-s Dyplesi paraqiti në parlament një ligj të ri, Projektligjin nr. 38, të cilin mediat e përshkruan si ‘ligji kundër Dëshmitarëve të Jehovait’. Aty thuhej se ata që dyshonin se ndonjë person kishte ndër mend të bënte një pohim që ishte «sharës ose fyes» mund të ankohej në organet ligjore pa qenë nevoja të paraqitnin prova. Si prokuror i përgjithshëm, në një rast të tillë Dyplesi mund të nxirrte një vendim gjyqësor që e ndalonte personin e akuzuar të bënte pohime publike. Pasi të nxirrej ky vendim gjyqësor për një individ, të gjithë anëtarët e kishës së atij personi do të ndaloheshin, po ashtu, të flitnin. Përveç kësaj, të gjitha Biblat dhe literatura fetare që i përkiste asaj feje do të konfiskoheshin dhe do të shkatërroheshin, e të gjitha vendet e adhurimit do të mbylleshin deri sa të vendosej çështja dhe kjo mund të kërkonte vite të tëra.
Projektligji nr. 38 ishte kopje e një ligji të hartuar në shekullin e 15-të, gjatë Inkuizicionit spanjoll nën drejtimin e Torkuemadës. Personi i akuzuar dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij humbnin të gjitha të drejtat civile, edhe pse nuk ekzistonte asnjë provë për shkelje. Lidhur me Projektligjin nr. 38, shtypi njoftoi se policia provinciale kishte marrë udhëzime të mbyllte të gjitha Sallat e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait dhe të konfiskonte e të shkatërronte Biblat dhe literaturën e tyre. Përballë këtij kërcënimi të tmerrshëm, Dëshmitarët e Jehovait i hoqën nga provinca tërë botimet e tyre fetare.
Megjithatë, ata vazhduan veprën publike të predikimit, por vetëm duke mbajtur Biblën e tyre personale.Projektligji u bë ligj më 28 janar 1954. Më 29 janar, në orën 9.00 të mëngjesit, isha në derën e gjykatës, për të përpiluar një padi në emër të të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait në provincën e Kuebekut, duke kërkuar një ndalim të përhershëm kundër këtij ligji, para se Dyplesi të mund ta përdorte. Gjykatësi nuk pranoi të jepte ndalimin e përkohshëm, sepse Projektligji nr. 38 nuk ishte përdorur ende. Por tha se, nëse qeveria do të përpiqej ta përdorte, mund të kthehesha tek ai për mbrojtje. Kështu, veprimi i gjykatësit kishte të njëjtin efekt si ndalimi i përkohshëm, sepse, sapo Dyplesi të përpiqej ta përdorte këtë ligj, do ta ndalonin.
Gjatë javës që pasoi, pritëm për të parë nëse policia do të ndërmerrte ndonjë veprim lidhur me këtë ligj të ri. Nuk ndodhi asgjë! Për të kuptuar përsenë, bëmë një provë. Dy pioniere, Viktoria Dugaluk (më vonë Stil) dhe Helen Dugaluk (më vonë Simkoks) shkuan shtëpi më shtëpi me literaturë, në qytetin Trua-Rivierë, i cili ishte qyteti i lindjes së Dyplesisë. Përsëri, asnjë reagim. Ndërsa motrat ishin të zëna me këtë shërbim, dërgova Lorie Somyrin që t’i telefononte policisë provinciale. Pa u identifikuar, ai u ankua se Dëshmitarët e Jehovait po predikonin dhe se policia nuk po zbatonte ligjin e ri të Dyplesisë.
Me siklet, oficeri që ishte me shërbim tha: «Po, e dimë se ai ligj ka hyrë në fuqi, por një ditë më vonë Dëshmitarët e Jehovait arritën të vinin një ndalim kundër nesh, kështu që nuk bëjmë dot asgjë.» Menjëherë, e sollëm përsëri literaturën në provincë dhe gjatë dhjetë vjetëve që ky rast u apelua në gjykata të niveleve më të larta, vepra jonë e predikimit shkoi përpara me sukses.
Përveç vendimit gjyqësor për ndalim, u përpoqëm, gjithashtu, që Projektligji nr. 38 të shpallej jokushtetues. Për të provuar se ky ligj kishte si synim pikërisht Dëshmitarët e Jehovait, vendosëm të bënim një hap të guximshëm: t’i dërgonim vetë Dyplesisë një fletëthirrje, duke e detyruar të ishte i pranishëm në gjyq dhe të jepte prova. E mora në pyetje për dy orë e gjysmë. Vazhdimisht e vura përballë deklaratave të tij publike për «luftë pa mëshirë kundër Dëshmitarëve të Jehovait» dhe pohimit të tij se Projektligji nr. 38 do të ishte fundi i Dëshmitarëve të Jehovait në Kuebek. I inatosur, ai më sulmoi mua personalisht: «Jeni një i ri shumë i pacipë!»
«Zoti Dyplesi,—iu përgjigja,—po të ishim duke folur për personalitetin, edhe unë mund të kisha disa vërejtje për ju. Por, meqë jemi duke u marrë me punë, ju lutem a do t’i shpjegonit gjykatës përse nuk iu përgjigjët pyetjes së fundit?»
Në vitin 1964, diskutova kundër rastit të Projektligjit nr. 38 para Gjykatës Supreme të Kanadasë. Por ata nuk pranuan të merrnin vendim nëse është kushtetues apo jo, sepse ligji nuk ishte përdorur kurrë. Megjithatë, ndërkohë Dyplesi kishte vdekur, dhe asnjeri nuk donte t’ia dinte më për Projektligjin nr. 38. Nuk u përdor kurrë kundër Dëshmitarëve të Jehovait ose kundër ndonjë personi tjetër.
Pak kohë para se Dyplesi të vdiste, në vitin 1959, Gjykata Supreme e Kanadasë e urdhëroi që të dëmshpërblente vëllanë Ronkareli, sepse i kishte hequr në mënyrë të paligjshme lejen për të tregtuar pije. Që nga ajo kohë, shumë njerëz të Kuebekut janë bërë shumë miqësorë. Numri i Dëshmitarëve të atjeshëm është rritur nga 300 në vitin 1943 në më shumë se 33 000 sot, sipas një regjistrimi të qeverisë. Tani Dëshmitarët e Jehovait janë të renditur si grupi i katërt më i madh fetar i provincës. Këto fitore ligjore ose suksesin e shërbimit të Dëshmitarëve të Jehovait nuk i konsideroj si arritje të ndonjë njeriu. Përkundrazi, kjo më ka provuar se Jehovai është ai që jep fitoren, sepse beteja është e tij dhe jo e jona.
Ndryshim rrethanash
Në vitin 1954 u martova me një pioniere tërheqëse nga Anglia, Margaret Bigel, dhe filluam veprën e pionierit së bashku. Vazhdova të mbroja raste gjyqësore të Dëshmitarëve të Jehovait, si në Kanada, ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara dhe të shërbeja si konsulent në disa raste në Evropë dhe në Australi. Margareta u bë
sekretarja ime dhe ishte një mbështetje e vlefshme për shumë vjet. Në vitin 1984 u kthyem, së bashku me Margaretën, për të jetuar në degën e Kanadasë ku ndihmova për të ngritur përsëri Repartin Ligjor. Mjerisht, në vitin 1987, Margareta vdiq nga kanceri.Pas vdekjes së mamasë, në vitin 1969, vëllai im Xhoi dhe gruaja e tij Elsi, të cilët ishin stërvitur që të dy si misionarë në klasën e nëntë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, e morën babanë në shtëpinë e tyre dhe u kujdesën për të derisa vdiq, 16 vjet më vonë. Me këtë mënyrë vetësakrifikuese, ata më dhanë mundësi të qëndroja në shërbimin e plotkohor dhe për këtë do t’u jem gjithnjë mirënjohës.
Betejat vazhdojnë
Gjatë viteve, betejat ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait kanë ndryshuar. Shumë raste kanë pasur të bëjnë me sigurimin e pronave dhe me lejet për Salla Mbretërie e për Salla Asamblesh. Çështje të tjera kishin të bënin me kujdestarinë për fëmijët, në raste ku prindërit që s’ishin Dëshmitarë përdornin fanatizmin fetar ose për të marrë gjithë kujdestarinë për fëmijët, ose për të kufizuar prindërit Dëshmitarë që të mos u mësonin fëmijëve të tyre bindje dhe praktika fetare dobiprurëse.
Në vitin 1989, në degën e Kanadasë erdhi Linda Maning, një avokate amerikane, për të dhënë ndihmë ligjore të përkohshme. Në nëntor të atij viti u martuam dhe që nga ajo kohë kemi shërbyer lumturisht së bashku.
Në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, unë dhe Xhon Bërnsi, një avokat tjetër këtu në degën e Kanadasë, ishim në Japoni së bashku dhe ndihmuam vëllezërit tanë të krishterë atje. Fituam një rast kushtetues që kishte të bënte me lirinë e një studenti për të mos marrë pjesë në orët e mësimit të arteve marciale që kërkonte shkolla e tij. Gjithashtu, patëm një fitore në rastin që kishte të bënte me të drejtën e një të rrituri për të refuzuar transfuzionin e gjakut.
Pastaj, në vitin 1995 dhe 1996, unë dhe Linda ishim të privilegjuar të kalonim pesë muaj në Singapor, për shkak të ndalimit që ishte vënë në atë vend kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe padive që ishin ngritur si pasojë. Mbrojta 64 burra, gra e të rinj, kundër të cilëve ishin ngritur akuza kriminale sepse merrnin pjesë në mbledhjet e krishtere dhe dispononin Bibla e literaturë fetare. Nuk fituam asnjë nga këto raste, por pamë se si Jehovai i forcoi shërbëtorët e tij besimplotë për të qëndruar me integritet dhe gëzim.
Mirënjohës që kam pasur një pjesë
Në moshën 80-vjeçare, kënaqem që kam shëndet të mirë e që jam në gjendje të vazhdoj të marr pjesë në betejat ligjore të popullit të Jehovait. Jam gjithnjë gati për të shkuar në gjyq dhe për të mbështetur atë që është e drejtë. Është kënaqësia ime që kam parë numrin e Dëshmitarëve në Kanada të rritet nga 4000 në vitin 1940 në 111 000 në kohën e tanishme. Njerëzit dhe ngjarjet vijnë e ikin, por Jehovai vazhdon ta çojë popullin e tij gjithnjë përpara, duke u siguruar që ata të lulëzojnë frymësisht.
A dalin probleme? Po, por fjala e Jehovait na siguron: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Isaia 54:17) Duke u bazuar në më shumë se 56 vjetët që kam kaluar në shërbimin e plotkohor, ‘duke mbrojtur dhe duke vendosur ligjërisht lajmin e mirë’, mund të dëshmoj se sa e vërtetë është profecia e Isaisë.—Filipianëve 1:7, BR.
[Figura në faqen 19]
Me vëllanë e vogël dhe me prindërit
[Figura në faqen 19]
Hejden Kavinton, këshilltar ligjor
[Figura në faqen 19]
Me Neithën Norin
[Figura në faqen 20]
Dyplesi duke u gjunjëzuar para kardinalit Vilnëvë
[Burimi]
Fotografi nga W. R. Eduards
[Figurat në faqet 20, 21]
Frenk Ronkareli
[Burimi]
Me mirësjellje nga Canada Wide
[Figurat në faqen 21]
Emé Bushe
[Figura në faqen 24]
Me bashkëpunëtorët e mi avokatë, Xhon Bërnsi dhe gruaja ime, Linda