Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lajmet televizive: Sa prej tyre janë vërtet lajme?

Lajmet televizive: Sa prej tyre janë vërtet lajme?

Lajmet televizive: Sa prej tyre janë vërtet lajme?

Pasi analizoi, për përmbajtjen dhe prezantimin, 102 emisione lajmesh nga televizionet lokale të 52 zonave metropolitane në Shtetet e Bashkuara, një grup vëzhgimi i medias zbuloi se vetëm 41,3 për qind e programeve përmbanin lajme. Çfarë përmban pjesa tjetër e emisioneve të lajmeve?

Mesatarisht, 30,4 për qind të kohës së transmetimit të lajmeve televizive e zënë reklamat. Në fakt, disa stacione të analizuara u kushtonin më shumë kohë reklamave, sesa lajmeve. Përveç kësaj, në raportin që përmblidhte zbulimet e studimit thuhej se shpesh koha e lajmeve mbushet me gjëra të parëndësishme. * Nën titullin «Gjëra të parëndësishme» raporti grupon «kohën e përbashkët të transmetimit që u kushtohet bisedave mes prezantuesve, reklamave dhe përmbledhjes së lajmeve që do të vijojnë, lajmeve të kota ose ‘romantike’ dhe atyre rreth njerëzve të famshëm». Ja një shembull i disa lajmeve të parëndësishme: «Tenorë të paaftë konkurrojnë me njëri-tjetrin», «Një reporter bën udhëtim ‘të jashtëzakonshëm, të pabesueshëm, mahnitës’ në trenin fluturues» dhe «Më shumë njerëz po blejnë gjëra nëpër supermarkete për t’ia vënë sanduiçeve».

Çfarë përmbajnë lajmet aktuale? Lajmet televizive i sundojnë historitë e krimeve, duke mbuluar 26,9 për qind të kohës së transmetimit të lajmeve. «‘Nëse ka gjak, vendin e parë e ka hak’ mbetet një e vërtetë për lajmet lokale televizive . . . Rastet e krimeve në SHBA mund të kenë rënë në disa vite të fundit, por jo në lajmet lokale televizive.» Përse? Sipas autorëve të studimit, «ngjarjet kriminale janë dramatike dhe tërheqin vëmendjen e njerëzve».

Pas krimit vijnë njoftimet për katastrofat, si zjarret, aksidentet automobilistike, përmbytjet dhe shpërthimet (12,2 për qind e lajmeve), të cilat ndiqen nga lajmet sportive (11,4 për qind). Më pas vijnë njoftimet për shëndetin (10,1 për qind), për qeverinë (8,7 për qind) dhe për ekonominë (8,5 për qind). Argumenteve të tilla, si arsimimi, ambienti, arti dhe shkenca u kushtohet pak vëmendje (nga 1,3 deri në 3,6 për qind). Njoftimet e motit, nga ana tjetër, kanë mesatarisht 10 për qind të të gjitha emisioneve të lajmeve. «Të gjithëve u pëlqen të flasin për motin dhe lajmet televizive nuk përbëjnë një përjashtim»,​—komentojnë kërkuesit. Ata shtojnë: «Çdo lloj moti, i mirë a i keq, i nxehtë a i ftohtë, i lagësht a i thatë, mund të bëhet shkak për të zgjatur kohën e transmetimit të lajmeve televizive.»

Me një notë pozitive, në raport thuhet se një numër gjithnjë në rritje gazetarësh dhe teleshikuesish po e kuptojnë nevojën për ndryshim. Megjithatë, në studim pranohet se ky ndryshim nuk do të ndodhë me lehtësi, sepse «kërkesat e tregut dhe lakmia mund ta kërcënojnë gjithnjë gazetarinë me cilësi».

[Shënimi]

^ par. 3 Raporti Not in the Public Interest​—Local TV News in America (Jo në interesin e publikut: Lajmet lokale televizive në Amerikë) është studimi i katërt kombëtar vjetor që shqyrton atë që thuhet në lajme. Këtë raport e përpiluan dr. Paul Klit, dr. Robert A. Barduell dhe Xhezon Salsmen, pjesëtarë të Rocky Mountain Media Watch (Vëzhguesi i Mediave, Malet Shkëmbore).