Ushqim i modifikuar gjenetikisht: A është i sigurt për ju?
Ushqim i modifikuar gjenetikisht: A është i sigurt për ju?
NË VARËSI nga vendi ku jetoni, ju mund të keni pasur sot për mëngjes, për drekë a për darkë ndonjë ushqim të modifikuar gjenetikisht (GM). Ndoshta kanë qenë patate me një mekanizëm të brendshëm mbrojtës kundër insekteve ose domate që, pasi vilen, qëndrojnë pa u squllur për një kohë më të gjatë. Sidoqoftë, mund të mos ketë ndonjë etiketë që të tregojë se ushqimi ose përbërësi ushqimor është i modifikuar gjenetikisht dhe qiellza juaj mund ta ketë të vështirë që ta dallojë atë nga ushqimi natyror.
Madje, ndërkohë që lexoni këto rreshta, prodhime GM të tilla, si: sojë, misër, fara kolze dhe patate po rriten në Argjentinë, Brazil, Kanada, Kinë, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas një raporti, «në vitin 1998, 25 për qind e misrit, 38 për qind e sojës dhe 45 për qind e pambukut të rritur në Shtetet e Bashkuara ishin të ndryshuara gjenetikisht, qoftë për t’i bërë prodhimet rezistente ndaj herbicideve, qoftë për t’i bërë që të formonin pesticidet e veta». Aty nga fundi i 1999-ës, afërsisht 40 milionë hektarë anembanë botës ishin kultivuar për qëllime tregtare me bimë GM, ndonëse jo të gjitha këto janë bimë që përdoren si ushqim.
A është i sigurt për ju ushqimi i ndryshuar gjenetikisht? A përbëjnë ndonjë kërcënim për ambientin teknikat shkencore që përdoren për të krijuar prodhime GM? Në Evropë, debati rreth ushqimeve GM po bëhet gjithnjë e më i zjarrtë. Një protestues nga Anglia tha: «E vetmja gjë që kam kundër ushqimeve të modifikuara gjenetikisht është se janë të pasigurta, të padëshiruara dhe të panevojshme.»
Si ndryshohet gjenetikisht ushqimi?
Shkenca që fshihet prapa ushqimeve GM quhet bioteknologji ushqimore—përdorimi i gjenetikës moderne për të përmirësuar bimët, kafshët dhe mikroorganizmat për prodhimin e ushqimeve. Sigurisht, ideja për të eksperimentuar me qeniet e gjalla është pothuajse aq e lashtë sa vetë bujqësia. Bujku i parë që ndërzeu lopën më të mirë të tufës me demin e tij më të mirë për të përmirësuar
racën, në vend që t’i linte kafshët të kryqëzoheshin kuturu, po vinte në jetë bioteknologjinë në një kuptim primitiv. Ngjashëm, bukëpjekësi i parë që përdori enzimat e majasë për ta bërë bukën të fryhej, po përdorte një gjë të gjallë për të përmirësuar prodhimin. Veçoria e përbashkët e këtyre teknikave tradicionale ishte përdorimi i proceseve natyrore për të krijuar ndryshime tek ushqimet.Bioteknologjia moderne, po ashtu, përdor organizmat e gjallë për të krijuar produkte ose për t’i modifikuar ato. Por, ndryshe nga metodat tradicionale, bioteknologjia moderne krijon mundësi që të modifikohet drejtpërdrejt dhe me saktësi materiali gjenetik i organizmave. Ajo bën të mundur transferimin e gjeneve ndërmjet organizmave që s’kanë fare lidhje me njëri-tjetrin, duke krijuar kështu kombinime që zor se mund të arrihen me mjete tradicionale. Tani kultivuesit mund të marrin veçori të organizmave të tjerë dhe t’i vendosin në gjenomin e një bime: për shembull, qëndresën ndaj të ftohtit nga peshku, rezistencën ndaj sëmundjeve nga viruset dhe rezistencën ndaj insekteve nga bakteret e dheut.
Ta zëmë se një fermer nuk do që patatet ose mollët e tij të nxihen pasi priten ose kur janë të vrara. Studiuesit vijnë në ndihmë, duke hequr gjenin që është përgjegjës për nxirjen dhe duke e zëvendësuar me një variant të ndryshuar që bllokon nxirjen. Ose le të supozojmë që një kultivues panxhari do të donte të mbillte më herët, me qëllim që të merrte prodhime më të bollshme. Kjo është diçka që normalisht s’mund ta bëjë, sepse në mot të ftohtë panxhari do të ngrinte. Këtu futet në lojë bioteknologjia: gjene të marra nga një peshk që mbijeton me lehtësi në ujëra të ftohta transplantohen te panxhari. Rezultati është një panxhar GM që mund të durojë temperatura të ulëta deri në -6,5°Celsius, domethënë më shumë se dyfishi i temperaturës më të ulët që mund të durojë zakonisht panxhari.
Sidoqoftë, këto tipare, që janë fryt i transferimit të gjeneve të veçuara, kanë efektshmëri të kufizuar. Të ndryshosh tipare më komplekse,
siç janë shkalla e rritjes ose qëndresa ndaj thatësirës, është një punë krejt tjetër. Shkenca moderne nuk është ende në gjendje të manipulojë grupe të tëra gjenesh. Në fund të fundit, shumë nga këto gjene akoma nuk janë zbuluar.Një revolucion i ri i gjelbër?
Edhe modifikimet e kufizuara gjenetike të prodhimeve bujqësore i mbushin me optimizëm partizanët e bioteknologjisë. Ata thonë se prodhimet GM janë shenja të mira për një revolucion të ri të gjelbër. Një firmë kryesuese në fushën e bioteknologjisë deklaron se inxhinieria gjenetike është «një mjet premtues në përpjekjet për t’i siguruar më shumë ushqim» një popullsie mbarëbotërore që shtohet me rreth 230 000 njerëz çdo ditë.
Tashmë këto prodhime kanë ndihmuar që të ulet kostoja e produkteve ushqimore. Disa bimë që përdoren si ushqim janë përforcuar me një gjen që prodhon një pesticid natyror, duke eliminuar kështu nevojën për të spërkatur hektarë të tërë të mbjellash me një re substancash kimike helmuese. Mes prodhimeve bujqësore që po i nënshtrohen procesit të modifikimit përfshihen bathët dhe drithëra me përmbajtje shumë më të lartë proteinash: diçka jo pak dobiprurëse kjo për pjesët më të varfra të botës. Këto «superbimë» mund t’ua kalojnë gjenet dhe tiparet e tyre të reja e të dobishme breznive pasardhëse, duke dhënë prodhime më të bollshme në tokat jopjellore të vendeve të varfra e të mbipopulluara.
«Pa dyshim që ka shumë arsye për ta përmirësuar jetën e bujqve të kësaj bote,—tha presidenti i një firme kryesore në fushën e bioteknologjisë.—E ne do ta bëjmë këtë duke përdorur bioteknologjinë për të realizuar në nivelin e një molekule dhe të një gjeni të vetëm atë që kultivuesit e bimëve e kanë bërë për shekuj të tërë me ‘bimët komplete’. Do të krijojmë prodhime më të mira që do të përmbushin nevoja specifike dhe do ta bëjmë këtë më shpejt se kurrë më parë.»
Megjithatë, sipas shkencëtarëve të fushës së bujqësisë, ngutja për të përkrahur inxhinierinë gjenetike si një zgjidhje për krizat e ushqimit në shkallë botërore po dëmton gradualisht studimet e sotme rreth prodhimeve bujqësore. Edhe pse duken më pak tërheqëse, këto studime janë më të efektshme dhe, veç kësaj, mund t’u sjellin dobi rajoneve më të varfra të botës. «Nuk duhet të grishemi nga kjo teknologji e paprovuar, ndërkohë që ekzistojnë shumë zgjidhje të tjera të efektshme për problemet e ushqimit»,—thotë Hans Heren, specialist në luftën kundër sëmundjeve të të mbjellave.
Probleme etike
Përveç rreziqeve të mundshme për shëndetin publik e mjedisin, disa mendojnë se modifikimi gjenetik i prodhimeve bujqësore dhe i organizmave të tjerë të gjallë paraqet probleme morale dhe etike. Shkencëtari dhe aktivisti Dagllas Par vërente: «Inxhinieria gjenetike kapërcen një kufi shumë të rëndësishëm të veprimit të njeriut mbi planetin, duke ndryshuar natyrën e vetë jetës.» Xheremi Rifkin, autor i librit The Biotech Century, shprehej kështu: «Sapo arrin të kapërcesh gjithë kufijtë biologjikë, fillon ta konsiderosh një specie thjesht si informacion gjenetik që mund të ndryshohet. Kjo bën që ta perceptojmë në një mënyrë krejt të re jo vetëm marrëdhënien tonë me natyrën, por edhe mënyrën se si e përdorim atë.» Prandaj, ai ngrinte pyetjet: «A ka jeta një vlerë të brendshme apo ka vlerë vetëm për t’u shfrytëzuar? Ç’detyrim kemi kundrejt brezave të ardhshëm? Çfarë është ndjenja e përgjegjësisë ndaj krijesave me të cilat bashkëjetojmë?»
Të tjerë, duke përfshirë edhe princin Karl të Anglisë, argumentojnë se transferimi i gjeneve ndërmjet llojeve që s’kanë absolutisht asnjë lidhje me njëri-tjetrin «na fut në sferat që i përkasin Perëndisë dhe vetëm atij». Studentët e Biblës besojnë fortësisht se Perëndia «është burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi të qartë se Perëndia nuk e miraton shumimin përzgjedhës të kafshëve dhe të bimëve, diçka kjo që e ka ndihmuar planetin tonë të mbajë me ushqim miliardat e njerëzve që jetojnë në të. Vetëm koha do ta tregojë nëse bioteknologjia moderne do t’u shkaktojë dëme njerëzve dhe mjedisit. Nëse bioteknologjia shkel vërtet në «sferat që i përkasin Perëndisë», atëherë—i shtyrë nga dashuria e meraku për njerëzimin—ai mund t’i kthejë mbrapsht këto zhvillime.
[Kutia në faqen 26]
Rreziqe të mundshme?
Bioteknologjia ka ecur përpara me një ritëm kaq marramendës, saqë as ligjet, as institucionet për kontrollin e ushqimeve nuk munden të ecin në një hap me të. Studimet nuk ia dalin dot të shmangin lindjen e pasojave të paparashikuara. Një kor në rritje kritikësh paralajmëron për rezultate të papritura, të cilat mund të shkojnë nga çrregullime të rënda ekonomike për fermerët e botës deri në shkatërrim të ambientit dhe kërcënime për shëndetin e njeriut. Studiuesit paralajmërojnë se nuk ekzistojnë analiza afatgjata e të një shkalle të gjerë për të provuar sigurinë e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht (GM). Ata tërheqin vëmendjen drejt një sërë rreziqesh të mundshme.
● Reagim alergjik. Nëse një gjen, i cili prodhon një proteinë që shkakton reagime alergjike, do të përfundonte, për shembull, te drithërat, njerëzit që vuajnë nga alergjitë prej ushqimeve mund të ekspozoheshin ndaj një rreziku të madh. Me gjithë faktin që institucionet për kontrollimin e ushqimeve u kërkojnë firmave që të raportojnë nëse ushqimi i ndryshuar përmban ndonjë proteinë problematike, disa studiues kanë frikë se disa alergjenë të panjohur mund të shpëtojnë pa u diktuar.
● Aftësi helmuese më e madhe. Disa ekspertë mendojnë se modifikimi gjenetik mund t’i shtojë helmet natyrore të bimëve në mënyra të paparashikuara. Kur një gjen bëhet aktiv te një bimë, përveçse do të japë efektin e dëshiruar, ai mund të nisë edhe procesin e prodhimit të helmeve natyrore.
● Rezistencë ndaj antibiotikëve. Si pjesë të modifikimit gjenetik të bimëve, shkencëtarët përdorin ato që quhen gjene markatore, për të përcaktuar nëse gjeni i dëshiruar është futur me sukses. Duke qenë se shumica e gjeneve markatore sigurojnë rezistencë ndaj antibiotikëve, kritikët kanë frikë se kjo mund t’i kontribuojë problemit në rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve. Por shkencëtarë të tjerë argumentojnë se para përdorimit, këto gjene markatore vendosen gjenetikisht në mënyrë të çrregullt, duke e pakësuar kështu këtë rrezik.
● Përhapja e «superbarërave». Një nga rreziqet më të mëdha është që pas mbjelljes së bimëve të modifikuara, gjenet mund të kalojnë nëpërmjet farërave dhe pjalmit te bimë të përafërta që janë barëra të këqija, duke krijuar «superbarëra» që mund t’u rezistojnë herbicideve.
● Dëmtim i organizmave të tjerë. Në maj 1999, studiues nga Universiteti Kornel raportuan se larvat e fluturës-monark që hëngrën gjethe të spërkatura me pjalm misri GM u sëmurën dhe ngordhën. Edhe pse disa e vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e këtij studimi, ekziston prapëseprapë njëfarë meraku se mund të dëmtohen edhe specie të tjera që s’janë objektivi i pesticideve.
● Mosfunksionim i pesticideve të parrezikshme. Ndërmjet prodhimeve GM më të suksesshme, janë disa që përmbajnë një gjen, i cili prodhon një proteinë helmuese për insektet e dëmshme. Megjithatë, biologët paralajmërojnë se ekspozimi ndaj helmit të prodhuar nga ky gjen, do t’i ndihmojë insektet e dëmshme që të zhvillojnë rezistencën dhe kështu do t’i bëjë pesticidet të padobishme.